23 dhjetor 2009

Lipi: Nuk do të kthehem tek Juventusi

Trajneri i Italisë ka përgënjeshtruar zërat, që flasin për një rikthim të tijin tek bardhezinjtë

Thonë se Juventusi është “gatuar” pak prej tij. Thonë se Kanavaron, Ferrarën dhe Groson i ka zgjedhur ai. Thonë se Lipi në të ardhmen do të jetë “mbikqyrës” ose diçka e tillë.

- Po ju Lipi do t’iu pëlqente të riktheheshit tek Juventusi?

- Të gjithë flasin për atë që do të bëj unë. Ndërsa, unë them se nuk do të kthehem tek Juventusi. As si trajner dhe as si drejtues teknik. Më pas njerëzit mund të mendojnë atë që duan.

- Po këshillat e verës?

- Nuk kam këshilluar asnjeri. Më është kërkuar se çfarë mendoj për Kanavaron? Po për Groson? Jam përgjigjur: blerja e tyre do të ishte një gjë pozitive në të gjitha aspektet, jo vetëm në atë teknik.

- Edhe sot do ta thonit një gjë të tillë?

- Sigurisht! Nëse do të ma ribënin pyetjen, do të përgjigjesha: do të jenë baza e Italisë në Botërorin e ardhshëm.

- Po Çiro Ferrara?

- Më kanë pyetur edhe për të. Jam përgjigjur: për karakterin që ka, njohjen mbi futbollin dhe përgatijen është një trajner i mirë. I lindur për këtë punë. Këtë e them edhe tani. Por më bezdis…

- Çfarë?

- Fakti se thuhet që kam folur mirë për ta për egoizëm. Për t’i krijuar mundësinë që të luajnë në pritje të Botërorit. Jo, e kam bërë sepse mendoj se janë blerje pozitive. Pastaj, që gjërat shkojnë keq kjo është një çështje tjetër.

- Jeni i shqetësuar për Ital-Juven tuaj?

- Më vjen vetëm keq. Ajo që ndodh tek një klub nuk ka lidhje me kombëtaren.

- Çfarë ndodh tek klubi bardhezi?

- Ndodh ajo që Juventusi ka ndërtuar një skuadër që nuk ka luajtur kurrë ashtu siç është menduar. Sisoko është parë rrallë herë dhe ka nevojë për 6-7 ndeshje rradhazi për të arritur formën maksimale. Më pas janë të dëmtuarit, me radhë, Iakuinta, Markizio, Kamoranezi dhe të tjerë.

- Si e shikoni të ardhmen e Juves?

- Skuadra ka humbur sigurinë, nuk është e qetë dhe gabon edhe në veprimet më të thjeshta. Pasi të jenë rekuperuar të gjithë, gjërat do të shkojnë në rrugën e duhur.

- Keni folur me Ferrarën?

- Po, kam folur me të ashtu siç bëj me të gjithë miqtë.

- Edhe Amauri duket se ka probleme.

- Deri në momentin që nuk ka pasaportë italiane nuk flitet për të. - Toti, Nesta, Kasano, Baloteli: çfarë ju thonë këta emra?

- Që dera është e hapur për të gjithë ata, që kanë qenë më parë dhe për ata që nuk kanë luajtur kurrë me kombëtaren. Gjashtë muajt e ardhshëm do të jenë të rëndësishëm dhe askush nuk është i përjashtuar. Vetëm në fund do të bëj të ditur emrat.

- Me çfarë skeme do të luani?

- Nuk ka një modul të fiksuar, por do të ketë variacion taktik. Do të ndryshoj si në 2006-ën.