15 dhjetor 2009

Lioni në “krizë” pret Bulonjen

Skuadra e Pyelit ka zbritur në vendin e nëntë dhe nuk ka alternativë tjetër veç fitores
Olimpiku i Lionit duhet të fitojë nesër se s’bën kundër Bulonjës së vendit të parafundit, pas humbjes së pësuar kundër Bordosë, humbje që i ka çuar në prag të krizës. Lioni është në vend të nëntë në renditje, pozicioni i tyre më i keq që prej vitit 1997, duke pasur tetë pikë më pak se kryesuesit e Bordosë. Me shtatë fitore, pesë barazime dhe katër humbje në 16 ndeshje, rezultatet e mësipërme nuk janë të mira për Lionmin, që e nisi shumë mirë sezonin. Lioni nuk ka fituar në fushën e vet që prej fitores 2‑1 kundër Tuluzës më 26 shtator dhe tifozët e kësaj skuadre, që e shfaqën pakënaqësinë e tyre në stadium, janë përherë e më të frsutruar.
“Nuk është çudi që shohim një reagim të tillë nga tifozët sepse ne mezi po e marrim veten. Të jesh tetë pikë pas kryesuesit nuk është fundi i botës, por diferenca po bëhet e madhe. Mund ta kishim fituar ndeshjen kundër Borodës”, ka thënë Puel. Presidenti Zhan MIshel Ola e ka mbështetur trajnerin duke thënë se të flitet për Puelin është pa vend. “Klod Puel është trajneri i shkëlqyer dhe për këtë arsye e kemi marrë. Ne duhet të bashkohemi të gjithë pas tij. Kemi dy probleme për të zgjidhur: solidaritetin në skuadër dhe të dëmtuarit. Të gjtiha skuadrat e mëdha po kalojnë momente të vështira.
Përpara se të bëjmë pushim do të luhen edhe tri ndeshje, prandaj duhet të shkojmë në fund të vitit me kokën lart”, ka theksuar Ola. Ndeshja e parë për Lionin do të jetë ajo kundër Bulonjës, që ka arritur tri fitore e tre barazime që prej fillimit të sezonit. Lioni më pas udhëton drejt Monakos së vendit të 12-tëdhe më pas pret Montpeljenë, që ka katër pikë më pak se Bordoja dhe është në vend të dytë. Bordoja, që është e entuziazmuar nga kualifikimi në Ligën e Kampionëve, do të luajë nesër kundër Montpeljesë, të shtunën kundër Lorintit dhe më pas e mbyll vitin kundër Tuluzës.