19 dhjetor 2009

Leonardo kërkon ta mbyllë vitin me fitore

Trajneri kuqezi “harron” humbjen në Palermo: Humori ynë është i mirë, por Fiorentina është në superformë
Leonardo është gati për ndeshjen e sotme të Milanit ndaj Fiorentinës në Firence: “Skuadra që drejton Prandeli është një ekip i madh, janë në superformë, kanë një grup solid me një identitet të qartë, por Milani kërkon ta mbyllë vitin me fitore”. Një ndeshje që i rikthen kujtime të bukura trajnerit brazilian, i cili atë ditë mori dhe investimin për të drejtuar stolin kuqezi, pikërisht në ndeshjen e fundit të Ançelotit, ku Milani fitoi sezonin e shkuar: “E kujtoj, ishte një ditë e bukur me emocione, sepse Milani arriti të fitojë dhe të kualifikohej direkt për Ligën e Kampioneve. Humbja në Palermo? Një humbje që nuk besoj se e ka ndryshuar humorin tonë. Ishte një ndeshje ku u gjendëm përballë një Palermoje në formë, e cila luajti mjaft mirë, por nuk besoj se skuadra ime luajti dobët. Krijuam disa raste për gol, pastaj nuk besoj se kam një skuadër të shpërqendruar”. Leonardo flet edhe për lojtarët e tij: “Pato? Ka punuar mirë gjatë kësaj jave, ka bërë prova, ka qenë një javë e rëndësishme për të dhe të gjithë ne. Gatuzo? Jam i kënaqur që çështja e tij u zgjidh pozitivisht”.
Pa dyshim nuk mund të mungonin konsideratat mbi shortin e 1/8-ve të Ligës së Kampioneve më 18 gusht kundër Mançester Junajted të Fergusonit (ndeshja e parë në “san Siro”). Do të jetë një ndeshje e jashtëzakonshme, - shpjegon Leonardo, - sepse këto dy skuadra kanë Europën brenda, por do të luajmë në mënyrë të barabartë”. Është e kotë për trajnerin kuqezi të thotë nëse mund të ketë kundërshtarë më të fortë ose jo se Mançesteri: “Sigurisht këto llogari nuk kanë kuptim. Na ra në short Mançesteri, një skuadër me një traditë të madhe dhe që ka të njëjtat objektiva si ne. Do të jenë dy ndeshje të mëdha. Megjithatë, duhet parë sesi do të shkojmë deri në prag të kësaj ndeshjeje deri në shkurt. Duhen edhe dy muaj dhe mes ndeshjes së parë dhe të dytë janë 25 ditë”.
Një element më shumë i sfidës do të jetë rikthimi i David Bekhamit (sërish do të huazohet nga Milani në merkatën e janarit) në Mançester si kundërshtar, gjë që sipas Leonardos është sugjestionuese, si rikthimi tek e shkuara e trajnerit të Interit Hoze Mourinjo, që do të përballet me Çelsin, aktualisht i drejtuar nga ish-tekniku kuqezi Karlo Ançeloti. Një “kryqëzim” intrigues emrash dhe personazhesh në futboll pra. “Nëse do të bëj tifo për mikun tim Karlo Ançeloti? Unë bëj tifo për Milanin, pasi duam të arrijmë deri në fund, ndaj duhet t’i mundim të gjithë. Një karakteristikë e këtij Milani, - përfundon tekniku milanist, - është që ndihet shumë i përqendruar tek vetja”.