08 dhjetor 2009

Lajme per Futbollistet Shqiptare

Shkarkohet Tare

Kryetari i Lacios, i ka komunikuar shkarkimin nga detyra, drejtorit të përgjithshëm të klubit të tij, Igli Tares. Tare punoi në këtë post dhe gjatë kampionatit të kaluar, skuadra e tij shkoi deri në finale të Kupës së Italisë. Para se të mbyllet faza e parë e këtij edicioni ka ardhur shkarkimi i Igli Tares nga detyra, duke mos arritur që të fitojë një trofe, në rolin e tij të ri si drejtues i klubit. Rezultatet e dobëta, gjatë 15 javëve të para në Seria A, dhe paraqitja e dobët në Europa Leagua, si dhe disa mosmarrëveshje të kaluara me futbollistët e skuadrës, kanë detyruar kryetarin Lolito që të marrë vendimin në fjalë. Ka mjaftuar edhe ndeshja e fundit derbi me Romën që e humbën me rezultat 1:0.

Sadriu - koordinator në KF Kosova?

Njëri prej ish-futbollistëve më të dëshmuar të gjeneratës së artë, Isa Sadriu, është në negociata më skuadrën e futbollit Kosova e Vushtrrisë, por shikon mundësinë që të mbetët edhe në klubin e Sharrit te Hani i Elezit, që garon në ligën e parë. Sadriu tha se bisedimet kanë përparuar me klubin e Kosovës, por fjala përfundimtare do të vendoset me 20 dhjetor. “Vazhdojnë bisedimet me Kosovën e Vushtrrisë që të jem koordinator i këtij klubit, por s’ka konkrete njëherë asgjë. Me 20 dhjetor mund të merrem vesh nëse është edhe kësmet me Kosovën. Mirëpo, të interesuar janë edhe Sharri që ta vazhdojë kontratën me ta”, ka thënë Sadriu.

Tirana e Dinamo presin kualifikimin

Me kureshtje priten ndeshjet e kthimit të kupës së Shqipërisë në futboll. Tirana kërkon fitore që të kualifikohet, ndërsa Dinamo pret ta përmbysë rezultatin në disfavor të veten (0:1) të ndeshjes së parë me Bylisin. Në ndeshjet që janë të ndara në grupe, në kllapa janë rezultatet e ndeshjeve të para,zhvillohen të mërkurën. Në grupin A takohen: Tirana Lushnja (2:2), Dinamo Bylis (0:1), Shkumbini Kastrioti (1:1), Besa Laçi (1:0). Në grupin B: Vllaznia Kamza (3:1), Teuta Partizani (1:1), Flamurtari Gramozi (0:1), Apolonia Skënderbeu (0:1).

Salihi do të jetë edhe më i spikatur

Hamdi Salihi që po bënë kërdinë në futbollin austriak premton se në vazhdim të kampionatit do të jetë edhe më i spikatur. Ai është “xhokeri” i skuadrës së njohur austriake, Rapidi i Vjenës dhe deri më tash ka shënuar 9 gola për Rapidin ose gjithsej 11 në kampionatin austriak. Është interesant se me gjithë efikasitetin që e ka në vijën e sulmit, trajneri Pakult çuditërisht e fut në lojë shpesh herë në pjesën e dytë. Pavarësisht kësaj Salihi gjithnjë e jep maksimumin kur inkuadrohet në lojë dhe fut tmerrin te mbrojtja rivale dhe shumë herë zë në pozicionin mat portierët. "Me golat e tij, Salihi nuk na ka zhgënjyer",- tha trajneri Pakult.

Celina jep dorëheqje

Erdogan Celina ka dhënë dorëheqje nga posti i trajnerit te skuadra e Lirisë. Këtë lajm e ka bërë të ditur vetë trajneri prizrenas të hënën për Express, duke shtuar se arsyet mbesin personale. Celina e kishte rikthyer klubin prizrenas në elitën e futbollit kosovar, ndërsa pati rezultate të mira edhe në sezonin vjeshtor në Superligë. “Kam dhënë dorëheqje këto ditë. Arsyet janë private, nuk besoj se kanë shumë rëndësi. Kam kaluar një vit shumë të mirë me Lirinë. Këtë ekip e lë në këmbë të shëndosha. Unë nuk e kam kursyer veten dhe kam dhënë gjithçka për këtë klub. Me kryesinë jemi ndarë si miq, ashtu siç e patëm nisur miqësinë tonë”, deklaroi Celina. Mosmarrëveshjet ndërmjet tij dhe kryesisë së klubit duket se e kanë fillin një javë më parë, kur Celina kishte lëshuar një deklaratë, duke pohuar borxhet që kishte kryesia ndaj futbollistëve. “Kemi një pakënaqësi nga ana jonë për një deklaratë të tij të dhënë. Ne i kemi kryer obligimet ndaj lojtarëve. Jemi klub privat dhe nuk mund të flet çdokush çka të dojë. Shumë shpejt do të mblidhet bordi dhe do të vendosë për çështjen e trajnerit. Është e vërtetë se bordi do ta shqyrtojë mundësinë e largimit të Celinës, por për dorëheqjen e tij eventuale ne nuk kemi informata”, theksoi drejtori i Lirisë, Hatmi Gashi. Ky i fundit ka shtuar se përpos Patrik Doçit, asnjë futbollist tjetër i Lirisë nuk do të largohet gjatë afatit kalimtar të janarit. Liria e ka mbyllur sezonin vjeshtor në pozitën e pestë, me 25 pikë të tubuara. Pas mbledhjes së bordit në ditët në vazhdim, kryesia e Lirisë mund ta emërojë trajnerin e ri.

Në pritje të golit

Blerim Xhemajli po kalon momente magjike me Parmën, e cila i ka befasuar të gjithë futbolldashësit me rezultatet që po i arrin këtë sezon, edhe pse nuk ka skuadër me yje. Mesfushori shqiptar pati paraqitje të pëlqyeshme të dielën në barazimin 2:2 kundër Genoas. Pas sezonit pozitiv që pati me Torinon, 23 vjeçari po vazhdon me nivel të njëjtë edhe te klubi parmalat. Por, ai që i mungoi edhe në kohën sa ishte te klubi Granata është goli. Ish futbollisti i Boltonit nuk e ka gjetur ende rrjetën, në sezonin e tij të dytë në Serie A, edhe pse disa herë kishte goditur shtyllën. Në ndeshje me Genoan, për Parmën shënoi dy herë Biabiany, ndërsa tash ndoshta është radha e Xhemajlit, i cili është në pritje të një goli. “Ka ende kohë, do të zhvillohen 40 ndeshje këtë sezon. por për mua është e rëndësishme që skuadra të luajë mirë”, tha futbollisti nga Tetova për ueb faqen zyrtare të Parmës. Edhe pse Parma gjendet në pjesën e epërme të tabelës, përkatësisht në pozitën e katërt, me 25 pikë të tubuara, Xhemajli një herë për një herë mendon vetëm për mbijetesë. “Ne gjithmonë e kemi thënë se gjëja më e rëndësishme është mbijetesa dhe tubimi i 40 pikëve”, shtoi me modesti mesfushori. Nëse vazhdon kështu, Parma shumë shpejt do ta arrijë 40 pikëshin e më pas me siguri se objektivat e këtij ekipi mund të ndryshojnë. Rrallë kush e ka pritur se ky ekip mund të gjendej në këtë pozitë 4 javë pa përfunduar pjesa vjeshtore e kampionatit në Serie A. “Pozita e katërt shkon mirë, 25 pikë janë të rëndësishme. Këtë javë shkoi ndryshe nga java e kaluar. Me Napolin nuk kemi bërë lojë të mirë, sidomos në pjesën e parë. Ndërsa sot kemi bërë një lojë të madhe për 90 minuta”, vazhdoi përfaqësuesi zviceran. Xhemajli e konsideron rezultat pozitiv barazimin në shtëpi të Genoas, një skuadër solide kjo. “Sot ishte një ndeshje me peshë për ne, për ta parë se në cilën rrugë jemi duke shkuar dhe unë mendoj se jemi në rrugë të mbarë. E kemi rrëmbyer një pikë të rëndësishme, nuk mund të fitosh gjithmonë. Kemi arritur këtu në Genova për të luajtur kundër një skuadre të fortë dhe t’ia rrëmbesh një pikë këtij ekipi është një rezultat pozitiv”, shtoi ai. Xhemajli shton se e gjithë skuadra ka vrapuar shumë për ta arritur këtë rezultat. Sipas tij, lojtarët duhet të vrapojnë shumë kur luajnë me skuadra të mëdha. Disa lojtarë cilësorë kanë mbetur në bankinë te Parma, por Xhemajli thotë se trajneri Guidolin ka në dispozicion të gjithë futbollistët që mund të luajnë,e që mund të mbeten edhe në bankinë. Ai shton se secili lojtar duhet ta pranojë faktin nëse luan apo jo. Vetë Xhemajli ishte ai që në fillim të sezonit nuk gjente hapësira, por tash është bërë lojtar i rëndësishëm i ekipit. Gjatë ndeshjeve kampionale, Parma e ndërron modulin e lojës shpesh. Futbollisti shqiptar thotë se për të arritur rezultate pozitive duhet të jesh i koncentruar dhe i organizuar si ekip për 90 minuta. Mentaliteti, pohon ai, është gjëja më e rëndësishme dhe çelësi kryesor për të arritur deri te rezultatet.

Pisha nuk sheh më rivalë në kampionat

"Tirana, e vetmja që mund të na rrezikonte, por tani është shumë larg"
Fakti që Dinamo e ka "vrarë" këtë kampionat, bëhet edhe më i besueshëm nga vetë dinamovitët. Edhe pse Besa e Kavajës këtë javë ka ruajtur hapin e kryesuesve, duke mos lejuar të rritet diferenca 10 pikëshe ndaj bluve, djemtë e Shkëlqim Muçës, e injorojnë këtë fakt, pasi, sipas tyre, verdhezinjtë nuk janë rivali, i cili ua rrezikon atyre objektivin: titullin kampion. Kundërshtari më i rrezikshëm në këtë rrugë për ta shihej Tirana. Por bardheblutë, të cilët, pas një fillimi jo të mirë të sezonit, krijuan iluzionin e rikthimit mes pretendetëve, me një humbje në Laç dhe një barazim të dielën në Korçë në tri javët e fundit, duket se kanë mbetur shumë larg dhe tashmë nuk besojmë më se mund të luftojnë për titull. Kjo i ka lehtësuar disi blutë, të cilët tashmë e shikojnë si të mundshëm arritjen e titullit kampion, që do të ishte i dyti në tre sezonet e fundit, pas atij të fituar në sezonin 2007-2008. Këtë e ka konfirmuar kapiteni i Dinamos, Arjan Pisha. Për mbrojtësin 32-vjeçar, i cili numëron vetëm një ndeshje zyrtare me bluzën e Kombëtares kuqezi, polemikat e fundit në kampionat nuk duhet të ndikojnë aspak në performancën e skuadrës së tij, e cila përditë e më shumë po i bind të gjithë se është ekipi më i mirë i këtij edicioni dhe se shanset që ajo të fitojë titullin janë gjithnjë edhe më të mëdha. Ai, siç duket, u referohet debateve të fundit, ku disa nga kundërshtarët e Dinamos, në përballjet direkte me blutë, kanë ngritur kontestime për favorizimin e bluve nga gjyqtarët. "Kundërshtarët le të vazhdojnë të flasin, ne do të vazhdojmë rrugën tonë, nënvizon kapiteni Pisha në lidhje me këtë çështje. Ne kemi treguar në fushë se e meritojmë fitoren, pavarësisht se ka pasur polemika". Edhe pse është ende herët për të folur për titullin kampion, Dinamo, nga java në javë, por demonstron bindshëm se janë të pakët rivalët, që mund t‘i fusin shkopinjtë nën rrota në këtë rrugë të nisur me shumë vrull. Pas 13 ndeshjeve, kur ende nuk ka kaluar as gjysma e sezonit, blutë në kuotën e 35 pikëve, numërojnë 10 pikë diferencë nga vendi i dytë, Besa e Kavajës, ndërsa 14 pikë nga Tirana dhe Apolonia, që ndajnë vendin e tretë me pikë të barabarta, por ku bardheblutë kanë avantazhin e golavarazhit më të mirë. Me gjithë respektin që ka për Besën e drejtuar nga Shpëtim Duro, Pisha pohon se frikën më të madhe në luftën për titull ia kishte Tiranës, e cila gjithsesi, me rezultatet e fundit, nuk duket se ka shumë mundësi për të qenë kërcënuese për Dinamon. "Jemi më të lehtësuar tani, me që Tirana u frenua në Korçë nga Skënderbeu", thekson kapiteni i bluve, i cili lë kështu të nënkuptohet se në këtë edicion, Dinamo e tij nuk shikon më rivalë në luftën për trofeun më prestigjioz të futbollit shqiptar. Pisha, i cili në karrierën e tij ka luajtur me tri skuadra: Elbasani (1993-1999, 192 ndeshje, 3 gola), Dinamo (1999-2005, 158 ndeshje, 8 gola), Tirana (2005-2007, 54 ndeshje, 0 gola) dhe sërish Dinamo (2007 e në vazhdim, 61 ndeshje, 1 gol), do të mungojë në ndeshjen e radhës ndaj Bylisit, për shkak të një dëmtimi.

Kombëtaret U-17 dhe U-15 hedhin "grepat" në Greqi

Hidhen shortet eliminatore: U-19 kundër Anglisë dhe Belgjikës, 17-vjeçarët me Norvegjinë. Rezultatet e dobëta të skuadrave të moshave gjatë edicionit të kaluar eliminator kanë mobilizuar Federatën Shqiptare të Futbollit. Trajnerët e përfaqësueseve të moshave kanë filluar një "gjueti" të vërtetë talentesh në vendet fqinje, atje ku familje të shumta shqiptare jetojnë dhe punojnë prej vitesh. Për të evidentuar sa më shumë lojtarë që mund t‘i shërbejnë ngjyrave kuqezi është vendosur që për herë të parë, grumbullimet të zhvillohen jashtë Shqipërisë. Gjithçka do të nisë me vëzhgimet në Greqi, ku gjatë muajit dhjetor, trajneri i U-17, Ardian Mema dhe ai i U-15, Sulejman Demollari do të testojnë futbollistët që aktivizohen në akademitë e klubeve helene. Për tri ditë (nga 21 deri më 23 dhjetor), kandidatët për dy përfaqësueset e moshave do të grumbullohen në Athinë dhe do të shpalosin aftësitë e tyre. Dyert do të jenë të hapura për të gjithë ata lojtarë që mendojnë se janë të vlefshëm dhe jo vetëm për sportistët të sinjalizuar dhe të kontaktuar nëpërmjet zyrës së talenteve të stacionuar në Greqi. Prej kohësh institucioni që drejton sportin më popullor në vend ka organizuar grumbullime stërvitore me lojtarët e moshave, por ato nuk kanë qenë gjithmonë efektive. Kjo edhe për faktin se një numër i madh sportistësh e kanë të vështirë që të sigurojnë leje nga klubet për t‘u paraqitur, apo edhe për shkak të problemeve me udhëtimin. Me shpërnguljen e vëzhgimeve në vendet ku shqiptarët jetojnë me shumicë, synohet që të përmirësohet edhe ky handikap, e nuk përjashtohet që grumbullime të tilla të zhvillohen edhe në Itali e Gjermani.
Shortet - Dje pasdite, Kombëtarja U-19 ka njohur kundërshtarët e saj në grupet eliminatore për Europianin 2011 të kësaj moshe, i cili do të zhvillohet në Rumani. Goglat e shortit të hedhur në Nion të Zvicrës nuk kanë qenë "bujare" me skuadrën e drejtuar nga trajneri Ramadan Shehu. 19-vjeçarët kuqezinj do të luajnë në Grupin 8, ku kanë si kundërshtarë Belgjikën, Anglinë dhe Qipron. Në 13 grupet me nga katër skuadra, dy të parat dhe dy skuadrat e treta më të mira kualifikohen në fazën "Elite raund". I vështirë ka qenë edhe shorti për Kombëtaren U-17. Skuadra e Ardian Memës ndodhet në Grupin 4, së bashku me Norvegjinë, Republikën e Irlandës dhe Maltën. Edhe në këtë aktivitet, dy të parat e secilit prej 13 grupeve dhe dy të tretat më të mira do të kualifikohen në "Elite raund", ndërsa faza finale e Europianit U-17 do të zhvillohet në verën e vitit 2011 në Serbi.

Ujkani: Zoti më sjell Milanin përballë

Samir Ujkani, karrierën e tij si profesionist në Serinë A e ka nisur pikërisht kundër Milanit. Sfida e dytë ishte miqësorja e zhvilluar në Tiranë mes Kombëtares dhe gjigantëve të futbollit italian në kuadrin e trofeut "Taçi Oil". Por tashmë shorti i turit të 1/8 së Kupës së Italisë e ka përballur sërish atë dhe skuadrën e tij Novara (Seria C) me Milanin e Ronaldinjos&Patos. Megjithatë portieri shqiptar konfirmon se "është kënaqësi që të luash përballë skuadrës së Leonardos. Duket se Zoti e ka shkruar që të ndeshem shumë herë me Milanin. Do të jetë hera e tretë ndaj tyre brenda një viti, tregon Ujkani. Ne më shumë jemi të fokusuar për t‘u ngjitur në Serinë B, pasi në kampionat nuk kemi pësuar ende humbje. Kupa për ne është një befasi, pasi deri më tani kemi mundur skuadra të Serisë A si Parma e Siena, ndërsa ndaj Milanit mua më mbetet të ruaj sa më mirë portën, e nëse na jepet rasti pse të mos shkaktojmë një tjetër befasi". Sfida me një ndeshje të vetme do të luhet më 13 janar në "San Siro".