23 dhjetor 2009

Lajme per Futbollistet dhe Futbollin Shqiptare

A mund të largohet Bogdani?

Chievo pritet të ndërhyjë në afatin kalimtar dhe reparti më i prekur do të jetë sulmi. Problemet që skuadra ka treguar në javët e fundit të Serisë A në fazën ofensive mund të shkaktojnë Erjon Bogdanin. Sulmuesi shqiptar, që vazhdon rikuperimin e plotë pas operacionit në nofull, ka humbur vendin e titullarit dhe klubi veronez po shqyrton alternativat për ta shitur, në mënyrë që të sigurojë fonde për afrimin e një sulmuesi dhe një mesfushori. 32-vjeçari ka mjaft oferta nga Seria B, ku më e interesuar është shfaqur Padova.

Vllaznia merr pikë në Vlorë

Të mërkurën janë zhvilluar tri ndeshjet e para të javës së 17-të të Kampionatit të 71-të Kombëtar të Shqipërisë në futboll. Janë fiksuar dy barazime, në Fier dhe Shkodër, ndërkohë që kampionët në fuqi kanë triumfuar në Krujë, falë golit të të riut Hajdari, i cili ishte protagonist edhe në ndeshjen paraardhëse të bardhebluve, në fitoren 4:1 ndaj Apolonisë. Sikurse duket, më e fituara ka qenë Tirana, e cila përkohësisht, deri në zhvillimin të mërkurën të ndeshjes së Besës, ndaj Gramozit në Kavajë, ka marrë vendin e dytë. Me këtë ritëm në dy javët e fundit, Tirana duket si një “ashensor” në ngjitje, duke u bërë kërcënim serioz edhe për Dinamon kryesuese, pavarësisht se diferenca është e ndjeshme. Fitorja në një transfertë të vështirë, si ajo e Krujës, ku Kastrioti vendas nuk fal kollaj, tregon se Tirana e ka rigjetur veten vërtet, me lojë dhe rezultat, duke e tejkaluar atë krizë. Në Fier, Apolonia nuk ka shkuar dot më tej se një barazim 1:1 ndaj Skënderbeut. Skuadra korçare duket se është një “mace e zezë” për fierakët, sepse vetëm dy javë më parë i eliminoi nga Kupa e Shqipërisë, qysh në 1/16 finale. Golit të Haxhibulic, për Apoloninë, shënuar në fundin e pjesës së parë, i është kundërpërgjigjur Bledi Shkëmbi, që ka barazuar në minutën e 58-të, me anë të një penalltie. Pra, kjo ndeshje, përveç baraspeshës në rezultat, ka prodhuar edhe gola kapitenësh, por u ka shërbyer fare pak skuadrave për planet e tyre, natyrshëm edhe për renditjen. Kuptohet, pikë me vlera mund të konsiderohet për Skënderbeun, pasi luante në transfertë, ndaj një skuadre të fortë dhe plot ambicie, ndërkohë që Apolonia duket në një rënie të lirë. Pas humbjes së thellë 4:1 në Tiranë, javën e shkuar, nuk shkon më shumë se barazimi 1:1 në shtëpi, me Skënderbeun. Barazim dramatik ka marrë Vllaznia, në “Loro Borici”, në ndeshjen me Flamurtarin e Vlorës. Miqtë mund edhe të kishin fituar, nëse do të kishin edhe pak fat me vete, ndërkohë që Vllaznia e lë sërish veten të kundrohet e përfshirë në krizën e këtij edicioni. Kuqeblutë nuk kanë arritur dot ta shfrytëzojnë maksimalisht kalendarin, që u dhuronte dy ndeshje radhazi në shtëpi, në këtë fundviti. Kanë mundur 2:1 Teutën, në javën e 16-të, ndërkohë që nuk kanë shkuar dot më larg se barazimi 2-2 ndaj Flamurtarit. Ky barazim tregon se skuadra vlonjate po i “braktis” humbjet, duke dhënë shpresa për tjetër fytyrë në vijim të garës. Katër pikë në dy ndeshje për Flamurtarin (fitore me Gramozin dhe barazim me Vllazninë) nuk janë pak, edhe pse nevojat e skuadrës vlonjate duken alarmante, sepse noton në ujërat e ftohta të fundit të klasifikimit. Afati kalimtar dimëror i janarit duket si shpëtimi i të dyja skuadrave, Vllaznisë dhe Flamurtarit, që kanë konsumuar një fazë të parë kampionati gati të mjerueshme, shumë larg emrit dhe mundësive reale të tyre.

Rezultatet

Kastrioti-Tirana 0:1
Apolonia-Skënderbeu 1:1
Vllaznia-Flamurtari 2:2

Tabela

1. Dinamo 16 13 2 1 31:13 41
2. Tirana 17 8 5 4 20:13 29
3 Besa 15 7 6 2 14:7 27
4. Apolonia 17 7 4 6 25:22 25
5. Teuta 16 7 1 8 17:22 22
6. Shkumbini 16 6 3 7 19:18 21
7. Laçi 16 5 5 6 15:16 20
8. Kastrioti 17 5 4 8 16:19 19
9. Vllaznia 17 5 4 8 16:22 19
10. Skënderbeu 16 3 6 7 17:21 15
11. Flamurtari 17 3 6 8 13:21 15
12. Gramozi 16 3 6 7 11:20 15

Shosholli emëron ndihmësit e tij

Menaxheri i klubit të futbollit Vëllaznimi nga Gjakova, Ahmet Morina, bëri të ditur se vazhdojnë bisedimet me futbollistët Enis Fetahun dhe Arben Zhjeçin. Sipas tij, brenda dy ditëve mund të dihet edhe përfundimisht se këta futbollistë do të jenë pjesë e skuadrës gjakovare apo do të dështojnë bisedimet në këtë drejtim. Në anën tjetër, ashtu siç kishte paralajmëruar Ajet Shosholli, kryetrajner i ri, edhe emëroi ndihmësit e tij. “Ndihmëstrajner të Shoshollit janë Luan Tabaku dhe Fatos Brahushi. Vëllaznimi brenda këtyre ditëve do të kompletohet në të gjitha drejtimet dhe do të jetë sa më i gatshëm për pranverë”, tha Morina.

Alban Tafaj beson deri në fund: Nuk kam hequr dorë nga titulli

Trajneri bardheblu kërkon edhe pak ndërhyrje në skuadër gjatë merkatos së janarit
"Nuk kam hequr dorë nga titulli. Për aq kohë sa matematika ma lejon, mund të them se Tirana do të vazhdojë luftën për t‘u shpallur kampione". Këto janë fjalët e Alban Tafajt, trajnerit të kampionëve në fuqi, i cili e ka të vështirë ta mendojë faktin se bardheblutë janë dorëzuar kur ndodhemi vetëm në gjysmën e edicionit në Kategorinë Superiore. Edhe pse shanset për të marrë trofeun më prestigjioz në vend janë minimale, tekniku synon të mbajë nën tension të tijtë, në një moment kur skuadra udhëton drejt Krujës, për t‘u ndeshur me Kastriotin. Kjo është një sfidë e rëndësishme, në tentativat për të ngushtuar diferencën me Dinamon kryesuese. Ndeshja e sotme shihet edhe si një mundësi për t‘u hakmarrë për krizën që skuadra e drejtuar nga Ramazan Ndreu i shkaktoi kampionëve në fuqi në javën e gjashtë: barazimi 1-1 në Tiranë u shoqërua me largimin e trajnerit Ilija Lonçareviç. Megjithatë, prej fillimit të tetorit shumë gjëra kanë ndryshuar. Tafaj i ka dhënë stabilitet ekipit, ndërsa tashmë Tirana lufton për vendin e dytë në klasifikim, pa hezituar të shohë edhe drejt kreut. "Shpresojmë të fitojmë në këtë ndeshje", deklaroi drejtuesi i stolit kryeqytetas. "E kemi të qartë se ndodhemi përpara një transferte të vështirë, por kërkojmë tri pikët. Skuadra është e motivuar për të marrë rezultat në Krujë. Më duhet të theksoj se këtë herë kontingjenti është më i kompletuar sesa në ndeshjen e fundit, ku fituam me Apoloninë". Kundër Kastriotit do të mungojnë vetëm Lila dhe Abraham, të dy të dëmtuar, vendet e të cilëve do të zihen nga Sina dhe Ahmataj. Ndërkohë, kthehen pas pezullimeve portieri Nallbani, mbrojtësi Bicaj dhe mesfushori Sefa.
Optimizmi pas triumfit me fierakët, që ishin një rival direkt në zonën e kreut është i ligjshëm. Por, Tafaj mendon ndryshe: "Faktin që u konfirmuam në vendin e tretë e shoh thjesht si një premtim të mbajtur. Këtë e kishim deklaruar që prej momentit kur filluam punën te Tirana. Tashmë, do të bëjmë përpjekjet maksimale që t‘i rrëmbejmë vendin e dytë Besës. Më pas do të fillojmë të shohim nga Dinamo e vendit të parë". Me afrimin e merkatos së janarit priten edhe disa përforcime, ndërsa ish-mbrojtësi bardheblu, Toni Pezo shihet si një alternativë. "Pezo është i mirëseardhur në skuadër. Kroati i tregoi vlerat e tij gjatë sezonit të kaluar, kur ndihmoi Tiranën të fitonte titullin. Gjithsesi, nuk mendoj se kemi nevojë për shumë ndërhyrje në merkato, pasi skuadra është e plotë. Na duhen vetëm mbulime nëpër reparte, pasi deri më tani kemi vuajtur nga dëmtimet dhe skualifikimet", përfundoi Tafaj.

"Mavraj ka kualitetin për të luajtur në Kombëtare"

Më në fund, duket se Josip Kuzhe e ka gjetur një zgjidhe të kënaqshme për repartin e mbrojtjes, aty ku kuqezinjtë kanë çaluar në ndeshjen e fundit. Trajneri kroat ka vendosur që të afrojë në përfaqësuese mbrojtësin kosovar, Mërgim Mavraj, i cili aktivizohet te Bokumi në Bundesligën 1 gjermane. Këtë vendim tekniku e ka marrë në fundjavë, pas ndeshjes Hanover-Bokum, ku e kishte vëzhguar nga afër shtatlartin. Madje Kuzhe ka kërkuar nga FSHF që t‘i kryejë të gjitha proceduarat teknike, për angazhimin e 23-vjeçarit në ekipin kuqezi. "Mavrajn e kam vëzhguar në dy ndeshje, ndërsa pas 90 minutave të takimit Hanover-Bokum, jam bindur që ai i ka të gjitha kualitetet të luajë në Kombëtare. Prandaj kam kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të FSHF-së", u shpreh dje Kuzhe. Në përfundim të ndeshjes Hanover-Bokum (2-3), trajneri kroat është takuar kokë më kokë me kosovarin me pasaportë gjermane dhe ka biseduar rreth përfshirjes së tij në Kombëtare. Kuzhe është ndarë tejet i kënaqur nga takimi, pasi Mavraj i ka shprehur gatishmërinë që t‘i veshë fanellën e Shqipërisë. "Pas ndeshjes kam biseduar personalisht me Mërgim Mavrajn. Ai është shprehur i gatshëm të luajë për Shqipërinë, gjë që më ka gëzuar pa masë", ka përfunduar Kuzhe.

Rama e Shala, në shënjestrën e Kuzhesë

Kosovarët duket se do të jenë edhe për disa kohë "thesari i çmuar" për Kombëtaren e shqiptare. Kjo konfirmohet nga deklaratat e trajnerit kroat të kuqezinjve, Josip Kuzhe, i cili, në një prononcim për të përditshmen e njohur kosovare, "Express", u shpreh se është thuajse i sigurt afrimi i mbrojtësit të Bokumit, Mërgim Mavraj, i cili ka marrë pëlqimin e teknikut të përfaqësues sonë. Tashmë Shqipërisë ka shumë gjasa që t‘i bashkohen në një të ardhme të afërt edhe dy futbollistë të tjerë me prejardhje nga Kosova, të cilët luajnë në kampionate të rëndësishme të Europës. Në listën e gjatë të talenteve, që po mbahen nën vëzhgim nga trajneri Kuzhe, janë dy sulmues: i pari është Valdet Rama, që luan në radhët e Hanoverit në Bundesligës gjermane, Hanover ‘96, ndërsa i dyti është Andis Shala, i cili militon në radhët e ekipit të Premier Leagues skoceze, Dundee United. Ai ka një lidhje të fortë me futbollin, pasi është i biri i trajnerit të Kombëtares së Kosovës, Kujtim Shala.
Tekniku kroat i Shqipërisë ka konfirmuar së është shumë i interesuar për dy sulmuesit kosovarë, për të cilët nuk ka kursyer edhe elozhet menjëherë pas vëzhgimit të parë. Kuzhe ka nënvizuar se Valdet Ramën e ka ndjekur nga afër në fundjavë, në takimin ndërmjet Hanoverit dhe Bokumit, ku kishte shkuar për të vëzhguar ekskluzivisht mbrojtësin e skuadrës mike, Mërgim Mavrajn. "Gjatë ndeshjes pata rastin ta shoh sulmuesin e Hanoverit, Valdet Rama, që luajti për 25 minuta. Natyrisht është e pamundur, që për një kohë kaq të shkurtër, të jap një vlerësim për të. Megjithatë, duhet ta respektojmë faktin që ai po luan në Bundesligë. Ne do të vazhdojmë ta vëzhgojmë nga afër, pasi mendoj se është një nga futbollistët i cili duhet mbajtur në konsideratë për të ardhmen e Kombëtares", theksoi Kuzhe në deklaratën e tij. Valdet Rama ka lindur më 20 nëntor 1987 (22 vjeç) në Mitrovicë dhe është një futbollist që zotëron edhe shtetësinë gjermane. Pas emigrimit nga Kosova në vitin 1996, ai gjeti vend në skuadrën e VfL Volfsburg unter Feliks Magath, por nuk mundi të aktivizohej në asnjë ndeshje zyrtare. Mesfushori polivalent (luan në të dyja krahët, në të majtë dhe në të djathtë) me tipare sulmuese u transferua në verën e 2008 te FC Ingolstadt në Bundesligën 2, ku në 17 ndeshje shënoi një gol. Në sezonin 2009/‘10 ai braktisi FC Ingolstadt për të kaluar te Hanover 96, ku mban mbi shpinë bluzën me numër 22.
Ish-trajneri i Dinamo Zagrebit bëri të ditur se përveç Ramës, është duke e përcjellë edhe sulmuesin 21-vjeçar, Andis Shala. "Më është sugjeruar edhe futbollisti i ri, Andis Shala, i cili luan në Dundee. Nuk ka pasur diçka konkrete, por është një futbollist që do ta vëzhgojmë në të ardhmen e afërt", pohoi Kuzhe. Shala (datëlindja 15 nëntor 1988), 21 vjeç, zotëron edhe shtetësinë gjermane. Karrierën e ka filluar me të rinjtë e Hanover ‘96, por në janar 2008 u transferua te VfR Manhajm. Vetëm 6 muaj më vonë, skocezët e Dundee United e morën në gjirin e tyre si një futbollist shumë premtues. Tashmë, sipas Kuzhesë, është në dorën e tyre e ardhmja në Kombëtare, e cila varet nga paraqitjet përkatëse në kampionatet ku luajnë.