11 dhjetor 2009

Lajme per Futbollistet dhe Futbollin Shqiptare

Cana, qendërmbrojtës

Kapiteni i Sunderlandit, Lorik Cana ka thënë se është i gatshëm për të luajtur në pozitën e qendërmbrojtësit në ndeshjen e radhës që ekipi i tij e luan në shtëpi ndaj Portsmuthit të shtunën.
Menaxheri i Sunderlandit, Stave Bruce, për ndeshjen e radhës nuk do të mund të llogaritë në shumë lojtarë të repartit defanziv, me ç’rast Cana pritet të jetë një zgjedhje e rëndësishme për të.
Anton Ferdinand nuk do të mund të luajë për një muaj shkaku i një lëndimi, ndërkohë që nga një dëmtim po vuan edhe John Mensah. Kurse Bardsley Phil dhe Kieran Richardson nuk do të mund të paraqiten në ndeshjen e radhës shkaku i kartonëve, derisa gjasat për të luajtur George McCartney janë 50-50.
Prandaj prej të gjithë lojtarëve të repartit të mbrojtjes, Bruce në dispozicion aktualisht i ka vetëm tre lojtarë: Nyron Nosworthy, Paulo Da Silva dhe Michael Turner. Andaj nevojitet ndihma e Canës.
“Gjëja më e rëndësishme është ekipi. Prandaj nëse më duhet të luaj në këtë pozitë, unë jam i gatshëm dhe do të jap maksimumin nga vetja ime”, ka deklaruar reprezentuesi shqiptar për ueb faqen zyrtare të klubit.
“Ky nuk është ndonjë problem për mua. Unë kam shumë përvojë në këtë aspekt, sepse në këtë pozitë kam luajtur shumë herë e veçmas me ekipin tim kombëtar”, ka shtuar ai.
Cana ka thënë se ekipi i tij duhet ta japë maksimumin për të fituar në dy ndeshjet e radhës që Sunderland do t’i zhvillojë në shtëpi: të shtunën ndaj Portsmuthit, kurse në mesjavën e ardhshme kundër Aston Villas.
“Ne kemi shumë lojtarë të lënduar dhe të pezulluar, dhe ky fakt është një problem i madh për ne. Por, një gjë është e rëndësishme se lojtarët të cilët do të luajnë, duhet ta japin maksimumin. Ndeshja e së shtunës, por edhe ajo ndaj Aston Villës, është shumë, shumë e rëndësishme për ne. Në të dyja këto ndeshje duhet të fitojmë në shtëpi, sepse kemi humbur në dy ndeshjet e fundit”, ka përfunduar Lorik Cana.

Afër largimit nga Dynamo

Bekim Kastrati mund të largohet nga Dynamo Dresden gjatë afatit kalimtar të janarit. Sipas tabloidit gjerman Bild, sulmuesi kosovar është i frustruar që nuk e ka filluar asnjë ndeshje si titullar. Ndërsa Kastrati thotë se gjithçka varet nga dy ndeshjet e ardhshme.
Bekim Kastrati pritet t’i japë fund aventurës së tij te skuadra e Dynamo Dresdenit para kohe.
Ai pritet t’i thotë lamtumirë klubit nga Bundsliga 3 gjatë afatit kalimtar të janarit, për shkak të minutazhit të vogël.
Ish-sulmuesi i Fortuna Dusseldorfit ishte i sigurt, para se të transferohej në Dresden, se do të përshtatej në klubin e ri.
Por, vetëm pas katër muajsh, gjërat qëndrojnë ndryshe. Sulmuesi kosovar nuk është paraqitur në asnjë ndeshje në formacionin bazë, ndërsa ka regjistruat vetëm 7 ndeshje si zëvendësues.
“Natyrisht, nuk jam i lumtur të qëndroj në bankinë. Do të doja ta kem rastin të luaj”, ka thënë Kastrati për Bild të enjten.
Por, as nën urdhrat e ish trajnerit Ruud Kaiser e as të pasardhësit të tij, Matthias Maucksch, Kastrati nuk arriti t’i dëshmojë kualitetet e tij.
Sa do të presë Kastrati i qetë? Pavarësisht se ka kontratë me Dynamon deri në fund të sezonit, a mund të largohet që në afatin kalimtar të janarit?
Megjithatë, sulmuesi kosovar shprehet i përmbajtur. Ai ende beson se mund të tregojë diçka në Dresden.
“Për këtë gjë nuk do të them asgjë. Tani nuk do të dorëzohem. Deri në pushimin e dimrit kanë mbetur edhe dy ndeshje”, theksoi ai.
Ish anëtari i Borussia Monchengladbach dhe Eintracht Braunschweig në Dynamo Dresden ishte transferuar gjatë afatit kalimtar të kësaj vere nga skuadra e Fortuna Dusseldorfit.

Vakitë e Albertit

Albert Bunjaku vazhdon të zgjojë vëmendjen në futbollin gjerman. Ai shpërtheu me Nurnbergun në Bundesligë, derisa tri vite më parë as që kishte menduar se mund të luante në këtë nivel. Pas formës së mirë, kosovari u ftua në përfaqësuesen e Zvicrës nga Otmar Hitzfeld. Ky i fundit nuk e pati lehtë ta thërrasë Albertin. Jo për shkak të konkurrencës, por ai nuk ia hapte telefonin pasi nuk e njihte numrin.
Sulmuesi i Nurnbergut, Albert Bunjaku është njëri prej yjeve më të mëdha të këtij stinori. Qysh gjatë vitit të tij të parë në Bundesligën gjermane, futbollisti kosovar ka joshur për të mirë vëmendjen e të gjithëve.
Në njëmbëdhjetë paraqitjet e tij në Bundesligë, sulmuesi 26 vjeçar i Nurnbergut, Albert Bunjaku ka shënuar gjashtë herë. Ueb faqja e njohur gjermane bundesliga.de të enjten ka shkruar gjithçka rreth karrierës së Albert Bunjaku.
-Prejardhja e Bunjakut - nga Kosova në Zvicër
Albert Bunjaku ka lindur më 29 nëntor të vitit 1983 në Gjilan. Në moshën tetëvjeçare, ai së bashku me nënën dhe dy vëllezërit e tij shkoi në Zvicër, ku i punonte i ati.
-Fillimi jashtëzakonisht i vonë i karrierës
Për një moshë jashtëzakonisht të shtyrë për një futbollist profesionist, Albert Bunjaku iu bashkua në moshën 13 vjeç një ekipi. Stacioni i tij i parë ishte FC Schlieren. Më herët kishte lozur në oborrin e shkollës. Përveç kësaj, ai në atë moshë ka lozur me dëshirë edhe basketboll.
-Fillimi në mbrojtje
“Në ekipin e të rinjve unë gjithmonë kam luajtur si mbrojtës i majtë. Dikur më shndërruan në sulmues dhe kjo funksionoi mjaft mirë. E ndiej vetën mirë në sulm, mendoj se është kjo një pozitë e mirë për mua dhe përpiqem që të jap çdo gjë”, ka kujtuar Bunjaku.
-Ekipi i parë profesionist
Bunjaku karrierën e tij profesioniste e filloi në FC FC Schaffhausen në Challenge League në Ligën e Dytë të Zvicrës. Në stinorin 2003/2004, ai arriti të ngrihet në Ligën e Parë me këtë skuadër. Gjatë 18 muajve në vijim zhvilloi 39 ndeshje në Ligën e Parë të Zvicrës.
-Shkuarja në Gjermani
Në janar të vitit 2006, Bunjaku, 23 vjeç, merr hapin e guximshëm për të shkuar në Gjermani. Ai nga Schaffhausen kalon në radhët e SC Paderborn në Bundesligën e dytë gjermane. Por, angazhimi i tij në këtë skuadër zgjati vetëm gjashtë muaj. Ai nuk arriti depërtimin nën drejtimin e trajnerit të atëhershëm, Jos Luhukay.
“Nuk e kisha bindjen se do të mund të luaja në Bundesligë”, kujton Bunjaku atë periudhë. Dhe në verën e vitit 2006 Bunjaku mbeti pa skuadër…
-Fati i ofroi mundësinë e re
Por, fati i doli në ndihmë sulmuesit. Bashkëshortja e Bunjakut, Arjeta, punonte në një butik në Paderborn, ku rroba blinte edhe bashkëshortja e ish-trajnerit të Paderbornit, Pavel Dotchev. Dy femrat fillojnë bisedën. Dotchev, atëbotë trajner i skuadrës Rot Weiss Erfurt, kërkonte një sulmues të ri, ndërsa Bunjaku një skuadër të re. Rezultati logjik: Bunjaku kalon në radhët e Erfurtit në Ligën e Tretë.
-Paraqitja e parë e madhe
Në ndeshjen për Kupën e Gjermanisë, mes Erfurtit dhe Bayern Munchen, më 10 gusht të vitit 2010, Bunjaku joshi vëmendjen e ekspertëve të futbollit. I futur në lojë në fillim të pjesës së dytë, Bunjaku shënoi dy gola dhe për pak se nuk i kontribuoi befasisë së madhe të eliminimit të Bayernit qysh në xhiron e parë. Në fund Bayerni mposhti Erfurtin me rezultat 4:3.
-Kremtimi
Prej nga kualiteti i Bunjakut për të bërë salto pas shënimit të golave? “Është kjo një histori mjaft qesharake. Kur kam luajtur më herët më vëllanë tim, ne kemi sprovuar vetën në ndërkohë edhe në gjimnastikë. Që nga ajo kohë kam edhe këtë aftësi”, shpjegon Bunjaku.
-Thirrja anonime në telefon
Ftesa e Bunjakut në përfaqësuesen e Zvicrës kishte një rrjedhë mjaft të çuditshme. Otmar Hitzfeld kishte tentuar ta kontaktonte Bunjakun nëpërmjet telefonit mobil. Pasi që Bunjaku nuk e njohu numrin, ai nuk u përgjigj fare. Në fund, ai u njoftua nga trajneri i Nurnbergut, Michael Oenning, se atë e pret një bisedë me Hitzfeldin. Herën e dytë ai iu përgjigj thirrjes së selektorit zviceran.
-Debutimi në përfaqësuesen e Zvicrës
Më 14 nëntor të këtij viti, Bunjaku debutoi në përfaqësuesen e Zvicrës, në ndeshjen miqësore kundër Norvegjisë. Në minutën e 46-të ai e zëvendësoi Eren Derdiyokun dhe pati një paraqitje mjaft të mirë.

Duka e pranon: Futbolli me probleme

Kampionati shqiptar nuk e ka humbur interesin, ndersa akuzat per korrupsion te arbitrave jane nje fenomen qe shfaqet shpesh ne vende te varfera si Shqiperia.
Por Armand Duka ne nje interviste per Top Channel ben vleresime dhe nuk i kursen as kritikat per dukurite negative te futbollit shqiptar. “Kjo eshte nje shoqeri me probleme dhe te tilla probleme ekzistojne edhe ne futboll. Nese gjyqtaret korruptohen, korruptuesit jemi ne, drejtuesit e skuadrave apo te futbollit”, shprehet Duka.
Por keto probleme nuk zgjidhen as nga ndertimi i stadiumit te ri apo rikonstruksioni i “Qemal Stafes”. “Kemi propozuar rikonstruksionin e “Qemal Stafes” duke e rritur kapacitetin 25-30 milje dhe do nje investim rreth 12 milione euro. Federata ka marre persiper investimin e 50 % te shumes. Per ndertimin e nje stadiumi te ri kemi kerkuar nje terren falas. Ka nje ide per ne Lunder ku eshte nje repart ushtarak”, shton kreu i FSHF-se.
Nje fenomen tjeter negativ eshte edhe perfshirja ne hetimin e UEFA-s te dy klubeve shqiptare, ku nuk kane munguar dhe akuzat ndaj vete Dukes. “Uroj qe te mos jete goditje per futbollin. S’mund te them qe jane trukuar, por skuadrat jane ne hetim”, pohon ai. Por marredheniet me disa nga presidentet nuk duket se do te ndikojne ne vendimin e Dukes per rikandidim. Ai shton se do rikandidoje per postin e presidentit pas konsultimit me drejtuesit e shume prej klubeve. Ne fund te intervistes ai pohon se per 80 vjetorin e FSHF-se eshte ne bisedime me skuadra te medha si Spanja apo Gjermania por deri tani nuk ka marre asnje pergjigje.

Spanja ose një "big" për 80-vjetorin e FSHF

Më 6 qershor 2010, në Shqipëri pritet të zbresë një prej skuadrave më të mëdha të futbollit botëror. Ky është projekti i institucionit që drejton futbollin në vend, për të festuar 80-vjetorin e krijimit të FSHF-së.
"Ndoshta mund të organizojmë një miqësore me Spanjën ose një tjetër skuadër të madhe", tha kreu i federatës, Armand Duka për "Top Channel".
Ai theksoi edhe një ide për të ndërtuar një stadium në periferi të kryeqytetit, duke zbuluar edhe kostot financiare: "Kemi kërkuar terren pa pagesë për një impiant të ri, sepse FSHF-ja nuk ka fonde që ta blejë. Ekziston një ide, në një zonë periferike, ku është për një repart ushtarak. Kosto varion nga 30 deri në 45 milionë euro". Duka ka shprehur dëshirën për të rikandiduar për postin e kreut të FSHF-së, por më parë ai do të konsultohet me aktorët e futbollit.

Hofman: Salihi, avion ynë i shpejtë

Hamdi Salihi është shndërruar një sulmues "VIP" në kampionatin austriak të futbollit. Falë paraqitjes së tij të shkëlqyer në këtë pjesë të parë të sezonit, ku pak pas fillimit të tij braktisi Sv Riedin për t‘iu bashkuar gjigantit Rapid Vjena dhe ku ka realizuar 11 gola në total deri tani, bomberi shqiptar ka një meritë të madhe në renditjen e ekipit të tij në majën e klasifikimit.
Këtë meritë Salihit ia njohin edhe vetë shokët e skuadrës. Ai që foli dje rreth Salihit ishte shoku i sulmit Stefan Hofman, i cili u prononcua para medias menjëherë pas shpalljes për të dytën herë radhazi "Futbollisti i Vitit" në Austri.
"Te Salihi ne kemi gjetur vërtetë një aeroplan të shpejtë në shënimin e golave", u shpreh Homan, i cili po shpjegonte situatën e mirë që po kalon skuadra në këtë fillim sezoni.

Muça-Sulaj, shkëndija te Dinamo

Fillojnë problemet te Dinamo. Presidenti Besnik Sulaj ndërhyn në zgjedhjet taktike të trajnerit Shkëlqim Muça, ndërsa drejtuesi i stolit nuk flet asnjë fjalë, por tregon hapur me gjeste pakënaqësinë e tij.
Gjithçka ka ndodhur në sfidën e së mërkurës, në të cilën Dinamo ka fituar 3-0 me Bylisin dhe është kualifikuar në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Skandali i grushteve që ndodhi në tribunën e fushës sportive "Skënder Halili", ku u përfshinë zv.presidenti i bluve Avni Braçe, presidenti i ekipit ballshiot, Besnik Kapllanaj, dhe trajneri i portierëve të skuadrës mike, Arbër Sino, e ka lënë në hije këtë episod.
Megjithatë, kjo mund të jetë fillesa e krisjeve mes palëve, ose vetëm "maja e ajsbergut" e konflikteve te Dinamo. Në fakt, blutë janë ndoshta klubi i vetëm në Shqipëri që arrin t‘i "fshehë" në mënyrë perfekte problemet e brendshme dhe t‘i zgjidhë ato pa shumë bujë.
Por, ndërhyrjet e tentuara nga presidenti Sulaj mund të jenë "Thembra e Akilit" e asaj që deri më tani është shfaqur si një skuadër e pathyeshme në fushën e lojës. Kryeqytetasit dominojnë kampionatin elitar në vend: në 13 ndeshje të luajtura në Kategorinë Superiore, ata kanë grumbulluar 35 pikë (vetëm 4 më pak se maksimumi i mundshëm), ndërsa Besa e vendit të dytë është e distancuar me dhjetë pikë. Rruga e sigurt drejt titullit kampion shoqërohet nga kualifikimi mes tetë më të mirave në Kupë, aktivitet për të cilin Dinamo synon të luftojë deri në fund. Humbja e vetme sezonale ka ardhur pikërisht në trofeun e dytë për nga rëndësia në vend, gjatë ndeshjes së parë me Bylisin (1-0 në Ballsh). Një rezultat që gjithsesi nuk ka pasur asnjë ndikim, pasi shifrat janë përmbysur në takimin e kthimit.
Por tensioni, sado i pakuptueshëm mund të duket, ekziston. Ai është pasqyruar në minutën e 70 të ndeshjes së fituar 3-0 gjatë mesjavës. Dinamo kryesonte 1-0, rezultat i cili do të bënte të nevojshëm zhvillimin e kohës shtesë dhe Muça vendos të ndërhyjë në lojë.
Ai nxjerr nga fusha sulmuesin Plaku dhe aktivizon mbrojtësin Xhafa. Lëvizja taktike kishte një rrjedhë logjike për lojën, duke vlerësuar terrenin e vështirë, tensionin dhe luftën e fortë sportive që po zhvillohej deri në ato momente. Por, ajo nuk është pëlqyer nga presidenti Sulaj, i cili ka reaguar si rrallëherë.
Ai ka bërtitur nga tribuna, duke treguar hapur se nuk pajtohej me vendimin e trajnerit. "O Çimo, po ti me shkatërrues do luash, me mbrojtës", ishin fjalët e drejtuesit më të lartë të klubit, "fut more sulmues, luaj përpara". Muça, nga ana e tij, është kthyer nga tribuna, ka bërë shenjë duke ngritur duart, por nuk ka thënë asnjë fjalë. Rezultati final i dha të drejtë teknikut: dinamovitët realizuan edhe dy gola me Bakajn e Sozën dhe do të të luajnë kundër Shkumbinit në çerekfinale. Por "krisja" duket se ka filluar.

Bogdani ndihet mirë

Erion Bogdani është njëri prej sulmuesve më të mirë të Chievos dhe ndihet mirë në këtë kolektiv. Ai ka shënuar gjatë kësaj vjeshte dy gola dhe nuk ka bërë dallim se me cilin nga sulmuesit dëshiron të luajë në skuadrën e tij. Bogdani ndihet mirë si me sulmuesin Abruskaton dhe si me Granoçen. “Ndihem mirë më të tre. Është e vërtetë që kanë karakteristika të ndryshme, por mënyra imë e të luajturit nuk ndryshon me njërin apo me tjetrin”, tha Bogdani.

Duka: Federatat e futbollit nuk ndërtojnë stadiume!

Kryetari i Federatës Shqiptare të futbollit (FFSh), Armand Duka, e ka pranuar se Shqipëria nuk ka një stadium me standarde evropiane, por shpreson që se shpejti një gjë e tillë do të bëhet. “Në botë federatat e futbollit nuk ndërtojnë stadiume, por ne e kemi marrë këtë nismë për vetë kushtet që paraqet vendi ynë. Kemi dhënë dy alternativa: ndërtimin e një stadiumi të ri ose rikonstruksionin e “Qemal Stafës”. Jemi vendi i vetëm në Evropë që nuk kemi një stadium me standarde. Sipas një projekti të një studioje shqiptare, për ta rikonstruktuar “Qemal Stafën” me një kapacitet 25 30 mijë vende duhen 12 milionë euro”, ka thënë mes të tjera Duka.

Vlerësohet lartë loja e Salihit

Futbollisti Hamdi Salihi vlerësohet lartë në futbollin austriak. Ai madje konsiderohet edhe një sulmues "VIP". Rezultatet e Rapidit të Vjenës vlerësohen meritë e sulmuesit të shkathët shqiptarë. Ish-bashkëlojtari i tij, Stefan Hofman, ka dhënë deklaratë lavdëruese për futbollistin Salihi dhe e ka cilësuar si një aeroplan. "Te Salihi ne kemi gjetur vërtetë një aeroplan të shpejtë në shënimin e golave", tha Homan. Rapidi është lider i tabelës me 38 pikë ose dy më shumë se skuadra e Salzburgu. Hamdi Salihi të shtunën ka takimin e javës së 19-të ligës austriake dhe do të luajë kundër ish skuadrës së tij, Riedit.