10 dhjetor 2009

Lajme per Futbollistet dhe Futbollin Shqiptare

Zemra për futboll

Fatmire Bajramaj është e koncentruar plotësisht në futboll dhe për momentin nuk mendon as për fejesë e as për martesë. Mirëpo, futbollistja kosovare nuk e përjashton mundësinë që një gjë të tillë ta bëjë gjatë karrierës së saj. 21 vjeçarja i ka treguar objektivat e saj të radhës në botën e futbollit, ndërsa ka zbuluar se në fushë mundohet t’i imitojë Zidanen e Ronaldinhon.
Fatmire Bajramaj po kalon nëpër një formë të shkëlqyeshme. Futbollistja kosovare është e përqendruar 100 për qind në futboll dhe nuk mendon shumë për anën sentimentale: për ndonjë fejesë apo martesë, në të ardhmen e afërt.
Ajo nuk e mohon faktin se ka të dashur e as atë që gjatë karrierës së saj mund të martohet. “Unë kam të dashur dhe gjatë karrierës dëshiroj të martohem dhe të kem fëmijë. E di se do ta bëj këtë. Martina Voss (ish futbolliste dhe trajnere e Duisburg FCR) dhe përfaqësuesja norvegjeze Solveig Gulbrandson e kanë bërë një gjë të tillë”, theksoi Bajramaj për ueb faqen gjermane maerkischeallgemeine.de.
21 vjeçarja ka rrëfyer për vuajtjet nëpër të cilat kishte kaluar familja e saj para se të transferohej në Gjermani. Kampionja e botës, e cila luan te Turbine Potsdam, ka treguar se megjithatë i mban raportet me Kosovën, të cilën e viziton një herë në vit, gjatë pushimeve verore. Mirëpo, ajo ka shtuar se nuk mund ta imagjinojë një rikthim përgjithmonë në Kosovë, pasi që Gjermaninë e konsideron si vendin e saj.
Pasi kishte fituar trofe të çmuar me Duisburg sezonin që shkoi, përfshirë këtu Kupën UEFA dhe Kupën DBF (Kupa e Gjermanisë) , futbollistja kosovare vendosi të transferohej te Potsdam. “Këtu gjithçka është më profesionale, funksionon gjithçka mirë. Për shembull, nuk duhet t’i pastrosh vetë veshjet e tua sportive”, theksoi ajo.
Selektorja e përfaqësueses gjermane, Neid Silvia, e konsideron si xhoker perfekt Bajramajn, e cila e pranon se konkurrenca në Kombëtare është shumë e fortë dhe se nuk e ka problem që luan më pak sesa futbollistet tjera.
“Lira” i ka treguar edhe objektivat e saj të ardhshme. “Synim i imi është që të jem pjesë e Gjermanisë në Kampionatin botëror 2011 dhe të kem më shumë hapësira. Gjithashtu dëshiroj ta fitoj titullin e kampionit në Gjermani me Turbine, pasi këtë trofe nuk e kam fituar asnjëherë. Ne jemi në rrugë të mirë për ta bërë një gjë të tillë. Më pas e kërkojmë edhe finalen e Kupës DFB, kurse ëndërr e jona sigurisht mbetet Liga e Kampionëve”, vazhdoi Bajramaj.
Për model të lojës së saj ajo mundohet t’i imitojë futbollistët e mëdhenj si Zinedine Zidane e Ronaldinho. “Gjithmonë e kam thënë se dëshiroj të luaj si Zidane, i cili bënte lojë mjaft të pëlqyeshme. Dhe më pëlqen Ronaldinho, sepse ka një teknikë të përsosur. Nëse e shoh ndonjë trik nga ai, e marr topin dhe mundohem ta imitoj atë”, tha në fund Bajramaj.

Gjinali zëvendëson Celinën

Behajdin Gjinali do t’i prijë Lirisë në sezonin pranveror, pas largimit të trajnerit Erdogan Celina. Ndërkohë, klubi prizrenas i ka lënë të lirë pesë futbollistë: Berishën, Jëllderëmin, Llalloshin, Bajramin e Behollin, ndërsa është në kërkim të zëvendësuesit të Patrik Doçit të larguar.
Behajdin Gjinali është emëruar trajner i ri i Lirisë. Këtë vendim e ka marrë kryesia e klubit prizrenas, pas mbledhjes që mbajti të martën mbrëma. Gjinali do të jetë pasardhës i Erdogan Celina, i cili i shkëputi marrëdhëniet me ekipin bardhezi ditë më parë.
“Bordi i klubit vendosi që detyrën e trajnerit t’ia besojë Behajdin Gjinalit, i cili është kuadër i yni. Ndërsa si ndihmës të tij e zgjodhëm Ali Maralushajn”, theksoi drejtori i Lirisë, Hatmi Gashi.
Ndërkohë, bordi i klubit ka marrë edhe vendime të tjera, ndërsa më kryesori është lirimi i disa futbollistëve, të cilët u konsideruan të panevojshëm. Bëhet fjalë për 5 futbollistë: Ismajl Berisha, Soner Jëllderëm, Erdem Llalloshi, Ardi Bajrami dhe Tedi Beholli, ky i fundit nga Shqipëria.
Përpos transferlistës, prizrenasit po mendojnë edhe për përforcime. Gashi bëri të ditur se Liria është në kërkim të zëvendësuesit të Patrik Doçit, i cili së fundmi iu bashkua Trepçës.
“Jemi në negociata me një futbollist cilësor kosovar, të cilin e konsiderojmë si zëvendësues ideal për Doçin e larguar. Për të do të dihet më shumë, kur ta arrijmë marrëveshjen përfundimtare”, vijoi Gashi.
Liria pati paraqitje të mira në vjeshtë, duke e përfunduar sezonin në Superligë në pozitën e pestë me 25 pikë të tubuara, 7 më pak se kryesuesi Trepça.

I përvjelin mëngët

Drejtuesit e Vëllaznimit janë zgjuar nga gjumi. Përveç premtimit se shumë shpejt do t’i kryejnë obligimet ndaj futbollistëve, ata paralajmërojnë se do të ta sjellin një trajner të ri dhe t’i bëjnë disa përforcime, me synim që të mbesin në Superligë. Në krye të ekipit kuqezi mund të rikthehet Blerim Mula, së bashku me Ismet Ramushin e Muhamet Dragushën.
Skuadra e Vëllaznimit ka filluar të shohë dritë, pas krizës financiare nëpër të cilën kaloi muajt e fundit. Pas konsolidimit të klubit, zyrtarët e Vëllaznimit pritet që menjëherë t’i ndërmarrin hapat e parë.
Ata fillimisht do të përqendrohen te problemi kryesor: shlyerja e borxhit që kanë ndaj futbollistëve. Kryetari i Kuqezinjve, Agim Koci, të mërkurën ka deklaruar se shumë shpejt lojtarëve do t’u paguhen dy rroga.
Sipas tij, në një të ardhme të afërt pritet të mbahet Kuvendi zgjedhor i ekipit, ku do të zgjerohet kryesia me anëtarë të rinj.
“Janë disa njerëz të sportit gjakovar që e kanë shprehur interesimin për t’u futur në kryesi. Pas Kuvendit unë nuk jam i sigurt nëse do ta kryej më këtë funksion”, tha të mërkurën për Express, Koci, i cili e ushtron detyrën e kryetarit.
Ai ka pohuar se klubi ka filluar të mendojë edhe për trajnerin e ri dhe për përforcimet që do t’i bëjë gjatë dimrit. “Do ta marrim një trajner me përvojë dhe do t’i bëjmë dy përforcime. Për momentin nuk mund të themi më shumë”, shtoi ai.
Ndërkaq, njëri prej trajnerëve të deritashëm, Ismet Munishi, ka konfirmuar se në pranverë do të paraqitet si futbollist i Vëllaznimit. Sipas tij, në pjesën e dytë të kampionatit klubi do ta rikthejë në krye të skuadrës trajnerin Blerim Mula, i cili pati dhënë dorëheqje.
“Tash na nevojitet një trajner që e merr ekipin në dorë qysh në përgatitjet që do t’i zhvillojmë. Sipas të gjitha gjasave, në pranverë Vëllaznimin do ta udhëheqë Blerim Mula. Ai nuk kishte faj për mossukseset e Vëllaznimit në vjeshtë, ngase përforcimet e bëra nuk ishin të qëlluara, ndërsa klubi dështoi t’i transferonte Muhamet Dragushën, Enis Fetahun dhe Arben Zhjeqin. Opsion më të mirë sesa Blerim Mulën për Kosovë unë nuk shoh, vetëm nëse e sjellin një trajner nga Anglia”, theksoi ai.
Munishi i ka përmendur edhe emrat e futbollistëve që mund ta përforcojnë Vëllaznimin në afatin kalimtar të janarit. Bëhet fjalë për rikthimin e dy futbollistëve, të cilët patën meritat e veta dy vjet më parë, kur gjakovarët shpëtuan pa rënë nga Superliga.
“Ismet Ramushi 99 për qind do të luajë për Vëllaznimin në pranverë. Ai është njëri prej sulmuesve më të mirë në ligë dhe e duan edhe shikuesit. Nuk përjashtohet mundësia që edhe Muhamet Dragusha të na bashkohet, në rast se e lëshon Ballkani”, u shpreh Munishi.
Ai beson se Vëllaznimi megjithatë do të mbetet në Superligë, edhe pse e pret një punë shumë e vështirë në pranverë. “Në karrierën time kurrë nuk kam rënë nga liga me një ekip, kështu që nuk mendoj se do të ndodhë as sivjet. Vëllaznimi është klub i madh, nuk është klub për të rënë nga liga. Por, krejt varet prej përforcimeve”, shtoi mesfushori kosovar.
Përpos mbetjes në Superligë, Munishi deklaroi se objektiv i Vëllaznimit në pranverë është edhe Kupa e Kosovës. Vëllaznimi e ka mbyllur sezonin vjeshtor në pozitën e parafundit të tabelës në Superligë, me pikë të njëjta me të fundit, Kosovën (V).

Më 6 mars fillon stinori pranveror

Stinori pranveror në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll do të fillojë në fillim të muajit mars, përkatësisht më 6 mars, bën të ditur kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës. Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës në mbledhjen e vet të radhës, që është udhëhequr nga nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi, debatoi për shumë çështje me rëndësi për futbollin e Kosovës. Zëdhënësi i FFK-së, Fazli Berisha, njoftoi për orarin e fillimit te stinorit pranveror në futboll dhe për datën e zhvillimit të ndeshjeve të kupës së Republikës së Kosovës. “Stinori pranveror në futboll fillon me 24 shkurt me ndeshjet e 1/8 së finales së Kupës së Kosovës, ndërsa ndeshjet e kthimit do të zhvillohen më 28 shkurt. Hedhja e shortit për kupë do të bëhet më 16 dhjetor të këtij vitit në lokalet e Federatës së Futbollit të Kosovës. Ndërsa garat kampionale të stinorit pranveror fillojnë më 6 mars 2010”, ka thënë Berisha. Caktimi i datës së fillimit të stinorit pranveror është mirëpritur edhe nga skuadrat e elitës së futbollit, të cilat tashmë bëjnë planet se kur mund të fillojnë përgatitjet që të jenë sa më të gatshëm për pjesën pranverore të kampionatit. Në këtë mbledhje KE i FFK-së ka miratuar edhe një raport të detajuar të garave në stinorin vjeshtor. “KE ka emëruar edhe Komisionin për shpalljen e laureatëve për Vitin 2009, në përbëje Vjollcë Krasniqi, Murat Hoxha dhe Iliaz Mjaku, ndërsa ceremonia e shpalljes do të mbahet më 6 janar në Sheshin 21”, theksoi Berisha. Gjatë kësaj mbledhje është shqyrtuar dhe debatuar me kujdes edhe për ankesën e skuadrës së futbollit Lepenci nga Kaçaniku, që garon në ligën e parë në lidhje me mbrojtjen e ligjshmërisë. “Pas shqyrtimit të shkresave dhe sqarimeve të nevojshme nga ana e Federatës së Futbollit të Maqedonisë si dhe duke konstatuar se Komisioni për regjistrimin lojtarëve ka vepruar në përputhje me aktet normative, ka anuluar vendimin e Komisionit të Shkallës së dytë dhe ka marrë vendim që ndeshja Lepenci-Ballkani të regjistrohet me rezultat të arritur në fushë. Në marrjen e këtij vendimi për t’i ikur çfarëdo konflikti të interesit nuk ka marrë pjesë kryetari i FFK-së Fadil Vokrri”,- thuhet në njoftim e FFK-së.

Skela: E di se mund të luajë më mirë

Në skuadrën e ligës së dytë gjermane, Koblenzi, që luajnë pesë shqiptarë: Ervin Skela, Shefki e Njazi Kuçi, Shqipëron Skeraj e Almir Murati, shpreson ta sigurojë ekzistencën në këtë rang të garave. "Unë e di se mund dhe duhet të luaj më mirë. Unë mund të përshtatem mirë me situatën dhe jam i gatshëm për të marr përsipër përgjegjësitë kryesore, por në futboll një lojtar i vetëm mund të bëjë shumë pak", tha Skela. Futbollisti Skela aktivizohet titullarë në radhët e Koblenzit dhe shpreson se deri në fund të këtij kampionatit do të ia dalin t’i shmangen pozitës së poshtme në tabelë.

Vitaku: Mos të mundohen kot

“Në Trepçë së shpejti do t’i sjellim dy futbollistë nga jashtë, që janë reprezentues dhe kushtojnë shumë shtrenjtë”, ka thënë Eroll Vitaku, drejtor i KF Trepça.
Pas 17 vjetësh (1992) do ta kthejmë titullin në qytetin e Mitrovicës. Trepça e meriton titullin e kampionit, ka thënë Eroll Vitaku, drejtor i klubit të futbollit Trepça nga Mitrovica. Në përgjithësi janë të mobilizuar në Trepçë që nga kryesia e deri të më i vogli në këtë mjedis me traditë futbolli. Vitaku ka thënë se nuk do të kursejnë asgjë nga mjetet financiare vetëm për ta bërë një skuadër ashtu si kanë qejf ta shohin adhuruesit më të zjarrtë të futbollit që ka Mitrovica siç janë “Torcida”. “Boll ma kemi ndenjur pa trofe. Trepça që moti e ka merituar titullin e kampionit. Puna e të gjithëve që po bëhet në këtë klub ka dhënë edhe rezultate në stinorin vjeshtor. Në vjeshtë është bërë punë mjaft, por edhe njëherë aq do të bëjmë për stinorin në pranveror. Do të investojmë me gjithë kapacitetin që kemi që të ndërtojmë një Trepçë të fortë, më lojë cilësore dhe të dëshmojmë se futbolli i bukur ka herë është luajtur në Mitrovicë”, tha Vitaku. Trepça ka zënë vendin e parë me 32 pikë dhe është shpallur kampione e vjeshtës, duke lënë pas vetes, Hysin nga Podujeva me 30 pikë të grumbulluara. Vitaku ka dhënë një mesazh për të gjitha klubet e elitës së futbollit. Një mesazh shumë interesant dhe sipas Vitaku do të realizohet qind për qind. Klubet të tjera nuk kanë pse të mundohen dhe të harxhojnë mjete. Titulli do të vjen në Mitrovicë sepse e meritojmë dhe e kemi kuadrin më të mirë të futbollistëve. Të gjitha klubet që mëtojnë titullin e kampionit, do të binden në fund të vitit se kot kanë investuar në këtë drejtim. Jo që Trepça nuk e lëshon titullin e kampionit, por do ta fiton me lojëra cilësorë që do aplikojë në fushë”, theksoi ai. Eroll Vitaku paralajmëroi se në Trepçë do të bëjnë dy përforcime spektakulare. “Bisedime janë në pjesën përfundimtare me dy futbollistë cilësorë dhe janë nga shtetet e jashtme. Dy futbollistë të dëshmuar, që njëri luan sulmues dhe tjetri mesfushorë ofensivë. Këta dy futbollistë janë shumë të shtrenjtë dhe që kanë cilësi të larta njëherësh janë reprezentues, që nuk dua t’i bëjë të ditur as emrat e tyre dhe as kombëtaret ku luajnë ata. Se shpejti do t’i bëjmë të ditur emrat e tyre dhe të gjithë do të binden se për çfarë kalibri të futbollistëve bëhet fjalë. Përforcimet i bëjmë vetëm për adhuruesit tanë që t’i kënaqim me lojëra dhe në çdo ndeshje t’u bëjmë spektakël futbolli”, tha Vitaku. Skuadra e Trepçës ka qenë më e shikuara qoftë në Mitrovicë, por edhe jashtë fushës së vet. “Nga nëntë ndeshje në Mitrovicë kemi pasur mbi 40 mijë adhurues që na kanë shikuar, ndërsa edhe si mysafirë kemi dalë skuadra më e shikuara me gjithsej 16 mijë shikues. Kjo dëshmon më së miri se çfarë respekti dhe simpatie kanë adhuruesit jo vetëm në Mitrovicë për Trepçën”, tha Vitaku. Trepça para pak ditësh ishte përforcuar me futbollistët Patrik Doçin e Lirisë nga Prizreni, Fitim Krasniqin, mesfushor nga 2 Korriku i Prishtinës dhe Arben Malajn, mbrojtës nga Flamurtari i Vlorës. Dy futbollistë i ka liruar, si Arben Zhjeçin e Enis Fetahun, të cilët nuk janë pajtuar me kushtet çfarë i ka ofruar kjo skuadër.

Shqipëria më 3 mars luan miqësore me Luksemburgun

Kombëtarja e Shqipërisë me 3 mars do të zhvillojë ndeshje miqësore me kombëtaren e Luksemburgut. Kjo ndeshje do të zhvillohet në kuadër të përgatitjeve për Euro 2012. Federata Shqiptare e Futbollit dhe trajneri i kuqezinjve, Josip Kuzhe, kanë nisur zbatimin e projektit të kombëtares në kuadër të përgatitjeve për kampionatit evropian, që do të zhvillohet në Poloni dhe Ukrainë. Përveç grumbullimit 10 ditor në Turqi, është planifikuar edhe zhvillimi i disa takimeve miqësore, por i pari më 3 mars të vitit të ardhshëm. Ndeshja me Luksemburgun do të zhvillohet në shtetin e vogël të Beneluksit, që ndodhet në kufi me Holandën, Belgjikën dhe Gjermaninë.