13 dhjetor 2009

Lajme nga Kategorie Superiore

Kastrioti, me mungesa sot në Shkodër

Skuadra krutane ka udhëtuar mbrëmë drejt qytetit të Shkodrës pa katër futbollistë të formacionit kryesor. Sipas drejtuesve të skuadrës krutane, konfirmohet mosprania e Kalarit, Shenajt, Turdiut dhe Brahos. Ky i fundit është i ngarkuar me tre kartonë të verdhë, ndërsa tre futbollistët e tjerë vuajnë ende dëmtimet. Një numër i tillë mungesash duket jo pak shqetësues për një skuadër që është ende në rolin e debutueses në kampionatin e më të mirëve. Ndërkohë, dje në mesditë, skuadra në kompleksin të ekipeve kombëtare në Kamzë ka zhvilluar seancën e fundit përgatitore. Kjo seancë nuk ka zgjatur më shumë se 60 minuta, ku futbollistët duket se kanë marrë udhëzimet e fundit para ndeshjes ndaj Vllaznisë. Të gjithë janë të ndërgjegjshëm se ndeshja ndaj formacionit shkodran do të jetë shumë e vështirë, për vetë faktin se skuadra shkodrane, nga pozitat që ka aktualisht, kërkon medoemos ngjitjen në renditje.

Flamurtarit nuk i lejohet as barazimi

Vlonjatët janë në një pozicion të vështirë, ku në rast se nuk fitojnë, komplikohet çdo gjë
Flamurtari u rikthehet të dielën ndeshjeve të kampionatit, por tashmë me një tjetër synim, ku duket se objektivi i vetëm është për të dalë nga situata e krjijuar dhe fundi i renditjes. Pikërisht ndaj Skënderbeut është një takim që ka shumë rëndësi për vlonjatët, të cilët natyrisht me një fitore do t’i largoheshin vendit të fundit në renditje, por do të fitonin ndoshta më shumë besim për dy ndeshjet e tjera të vitit 2009. Edhe pse deklaratat nga kampi vlonjat në prag të takimit me Skëndebeun kanë qenë të pakta, ajo që thuhet të paktën në ambientet e klubit kuqezi lidhet gjithçka me ndeshjen me Skënderbeun, ku një tjetër dështim tashmë nuk mund të mendohet. Trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani, pas ndeshjes të së mërkurës në kupë me Gramozin, është ndjerë keq. Sipas tij, është ndoshta e pakuptimtë ajo që po ndodh te Flamurtari, duke parë që në stërvitje lojtarët tregojnë më të mirën e tyre, por në fushën e lojës duket sikur bllokohen dhe e kanë shumë të vështirë të dalin në lojën e tyre më të mirë. Ndoshta kjo situatë duket e përkohshme për Flamurtarin dhe ekipi duhet të fillojë të tregojë vlera dhe natyrisht të fitojë pikë, të cilat janë më shumë se një domosdoshmëri në këto momente jo të mira. Për trajnerin e ekipit vlonjat, futbollistët duket sikur bllokohen në ndeshjet në shtëpi dhe natyrisht kjo reflektohet edhe te rezultati, pasi në takimet e luajtura në Vlorë deri tani, Flamurtari ka arritur vetëm një fitore ndaj Vllaznisë dhe më pas vetëm barazime dhe një humbje. Ndoshta jo vetëm për Maganin, por edhe për vetë futbollistët, ndeshja e radhës me ekipin korçar është pa dyshim momenti kur Flamurtari duhet të rikthehet te fitorja. Pikërisht në seancat e fundit stërvitore trajneri i Flamurtarit ka kërkuar mbi të gjitha që lojtarët të luajnë të lirshëm në ndeshjen e radhës dhe natyrisht të kërkojnë rezultatin e dëshiruar, që mbetet vetëm fitorja. Një tjetër fakt që ndoshta lidhet me futbollistët është edhe reagimi i sportdashësve, parë kryesisht në ndeshjen ndaj Gramozit. Për këtë vetë futbollistët kërkojnë që këta të fundit të jenë një ndihmë për ekipin, pasi në këtë situatë një ndihmë e tillë do të bënte që edhe lojtarët të luajnë më lirshëm dhe të qetë për të arritur fitoren në ndeshjen e radhës.

Korçarët, gati surprizën ndaj vlonjatëve

Trajneri vlonjat i Skënderbeut, Gerti Haxhiu, ka një sfidë dyfish të vështirë sot
Skënderbeu ka mbyllur dje përgatitjet për ndeshjen e sotme në Vlora ndaj Flamurtarit vendës dhe pritet që ky 90-minutësh i javës së 14 të në qytetin bregdetar të konfirmojë edhe një herë gjendjen e mirë që janë duke kaluar djemtë e trajnerit Gerti Haxhiu. Labi i pankinës korçare sot do të do të vihet përballë ekipit të qytetit të tij dhe kjo duket se do të jetë një sfidë më shumë se e vështirë edhe për atë se të dy skuadrave u duhen pikët më shumë se kurrë. Tashmë formacioni i Skënderbeut nuk ka më dilema, pasi qysh nga minuta e parë në portë do të jetë kroati Tomashiç. Para tij, në repartin e mbrojtjes, do të jenë katër lojtarë, Lako, Lika, Djarmati dhe Çajku. Mesfusha e Skënderbeut edhe në Vlorë do të jetë e ngjeshur me pesë futbollistë dhe duket se kjo do të jetë edhe “arma” më e fortë e Skënderbeut në këtë 90-minutësh. Shkëmbi, Rukavina, Çipi, Gjondeda dhe Doku, të gjithë këta do të jenë emrat e këtij reparti, ndërkohë që i vetëm në sulm do të jetë i talentuari Frashëri, që edhe në kupë e tregoi veten se është në një gjendje vërtet të mirë, ku golin e kualifikimit e shënoi pikërisht ky lojtar të mërkurën që kaloi në Fier. Këta do të jenë emrat e anti Flamurtarit në ndeshjen e sotme, ndërkohë që të gjithë janë të bindur se kanë për të bërë më të mirën në këtë ndeshje tjetër transferte për kuqebardhët. Në fazën e parë, korçarët kanë arritur t’i mundin vlonjatët më rezultatin e ngushtë 1 0 dhe do të kërkojnë që të përsërisin, pse jo, të njëjtin rezultat edhe sot, pavarësisht se këtë herë luajnë në transfertë. Më shumë se optimist gjatë ditës së djeshme është shprehur edhe trajneri i Skënderbeut, Gerti Haxhiu, që në lidhje me këtë ndeshje të sotme do të pohonte: “Eshtë një përballje e vështirë, por ne kemi një objektiv, që të mos dalim pa gjë nga ky takim. Madje mund të deklaroj qysh tani se do të luajmë për fitore dhe i kemi të gjitha mundësitë që ta bëjmë realitet diçka të tillë. Gjendja e lojtarëve është shumë e mirë dhe tashmë nuk ka ndeshje të lehta, apo të vështira për Skënderbeun tim. Nuk kemi më kohë që të lëmë pikë rrugës dhe pikët e Vlorës do të na bëjnë shumë punë nëse arrijmë t’i marrim. Nga ana tjetër, duhet të kemi shumë kujdes, pasi Flamurtari, pavarësisht vendit që ka në superligë, është një ekip shumë i fortë, sidomos në fushën e vet. Për të tjerat, le t’ia lëmë fushës së lojës, atje ku shpresoj që të vazhdojmë të luajmë si në javët e fundit. Nëse kjo do të ndodhë vërtet, atëherë pa diskutim që pikët nuk do të na mungojnë,” përfundon prononcimin e tij trajneri i Skënderbeut, Gerti Haxhiu.
Vlonjatët, katër mungesa në formacion
Begaj dhe Kuqi janë dy mungesat e Flamurtarit në ndeshjen e radhës me Skënderbeun. Begaj është ndëshkuar me të kuqe në ndeshjen me Dinamon dhe është dënuar nga FSHF-ja, ndërsa Kuqi ka plotësuar numrin tre të kartonëve të verdhë, ndaj edhe do të mungojë në ndeshjen e radhës. Beqiri e Shehaj duket se nuk janë riaftësuar plotësisht nga dëmtimi dhe do të mungojnë.