07 dhjetor 2009

Lajme nga Kategoria Superiore e Shqiperise

Besa, e vetmja që ndjek Dinamon kryesuese

Besa mposht Shkumbinin në lojë dhe raste, ndoshta rezultati duhet të ishte më i thellë për kavajasit
Më shumë se fitorja e pritshme e Besës, kjo sfidë riktheu mesazhin e miqësisë mes dy klubeve të tronditura këto vitet e fundit. Një ndeshje e tëra "fair-play" dhe ky ishte fituesi i vërtetë i takimit, mesazh kulture, për të cilin futbolli ka më së shumti nevojë sot. Tashmë u lanë pas në arkiv mosmarrëveshjet mes dy klubeve e këtë e parapriu edhe takimi midis ekipeve U-19 dhe U-17, që sipas kalendarit, duhej të luhej në Peqin e u luajt në Kavajë.
Besa ka fituar ndoshta më lehtë nga ç’e ka pritur këtë sfidë. Ka qenë një Besë që ka dominuar totalisht në raste e lojë gjatë gjithë 90 minutave. Rastet e saj për shënim kanë qenë të shumta, ku Mancaku e Xhafaj duhej ta kishin mbyllur pjesën e parë të paktën 2-0. Ka qenë, pse jo, loja më e mirë e Besës deri tani. Trajneri Shpëtim Duro kishte bërë një zgjidhje perfekte taktike, duke vendosur një Besë në fushë, e cila ishte totalisht me modul sulmues. Loja e verdhezinjve nuk ka qenë e përqendruar vetëm në qendër te Xhafaj, por këtë herë kanë funksionuar më së miri krahët e mesfushës me Fagun e Dhëmbin. Mihani dhe Hasalla kanë qenë zotër të mesfushës. Ato që i kanë munguar Besës deri tani, krosimet nga vija fundore, këtë herë i pamë disa herë. Mungesat e Besës vërtet ishin të rëndësishme, si Vrapi, Poçi, Babamusta e Arapi, por ashtu siç pati deklaruar presidenti Bizhdili, zëvendësuesit e tyre e kryen më së miri rolin e dhënë dhe justifikuan besimin e trajnerit Duro. Mendojmë se kjo sfidë pati meritën e veçantë të trajnerit Shpëtim Duro jo vetëm në zgjidhjen perfekte taktike, por në motivimin e futbollistëve të stolit. Hasalla, Hoxha dhe Tragaj treguan shpirt gare dhe e justifikuan fanellën. Fjalët më të mira edhe për të rnjtë Okshtuni, Dedej e Vrapi. Madje këtë kampionat Bazian Tragaj luajti ndeshjen e parë si titullar dhe meriton komplimente. Fjalët më të mira edhe për një ndër talentet kavajas, Egland Dedej, një mesfushor punëtor, që sezonin e kaluar udhëhoqi si kapiten ekipin U-19 drejt titullit kampion. U ndalëm këtu, pasi dihen diferencat në investime dhe kualitete midis Besës e Shkumbinit. Siç deklaroi vetë trajneri Duro në konferencën për shtyp, tani Cikalleshi është fituar e do të punojë që edhe talente të tjerë kavajas të ngjiten në nivelin e duhur. Ndërsa miqtë habitën me lojën e tyre apatike, pa atë grintën dhe egon që i ka karakterizuar gjithnjë. Asnjë rast për gol, duke përjashtuar goditjet më kokë të Mujdragiçit e Xhafës. Asnjë aksion sulmues i mirëfilltë dhe sulmuesit Dervishi e Mustafaj ishin thjesht në fushë. Madje i riu Mustafaj në disa raste humbi qetësinë, duke replikuar e shkaktuar faulle të panevojshme. Ky Shkumbin që luajti ndaj Besës u pa se ka shumë nevojë për korrigjime urgjente. Javën e ardhshme Shkumbini do të presë Apoloninë, ndërsa Besa udhëton në fushën e vështirë të Laçit.

Deklarojnë…
Shpëtim Duro, trajner i Besës: "Ka qenë një fitore plotësisht e merituar, sepse dominuam nga minuta e parë deri në fund. Mund dhe duhet ta kishim mbyllur që në pjesën e parë ndeshjen me rastet ideale, por mendoj se faktori psikologjik i të bërit gol sa më shpejt ndikoi. Pavarësisht kësaj, pjesën e dytë shënuam e mund të shënonim përsëri. Aktivizova disa futbollistë të rinj dhe jam i kënaqur nga ata, por kërkohet shumë punë prej tyre. Ndërsa aktivizimi që i bëra Cikalleshit dha efektin e vet. Besoj se edhe të tjerët me punë mund të arrijnë që nesër ta veshin rregullisht këtë fanellë."
Kristaq Mile, trajner i Shkumbinit: Nuk u prononcua pas ndeshjes.

Të veçanta
‑ Për herë të parë në tribunën "VIP" nuk ishte asnjë nga donatorët peqinas.
‑ Takimin e ndoqi edhe një numër i vogël tifozësh miq.
‑ Forcat e rendit e kryen më së miri detyrën.

Tirana, një barazim "lamtumire" në Korçë

Ndeshje me emocione dje në Korçë, ku kampionët dhe korçarët vendës në fund ndajnë nga një pikë
Skënderbeu dhe Tirana, dje në ndeshjen e javës së 13‑të, kanë ndarë nga një pikë, në një ndeshje me emocione që nga fillimi dhe deri në vërshëllimën e fundit. Ky barazim i kësaj jave mund të thuhet me plot gojë se për Tiranën ka qenë një "lamtumirë" para kohe synimit për titullin kampion. Themi këtë, pasi tashmë Tirana është ngjitur në kuotën e 21 pikëve, por ka plot 14 pikë diferencë nga kryesuesit e kësaj superlige, Dinamo. Titulli tashmë është edhe më larg dhe kampionët e vendit tashmë duhet të mendojnë vetëm për një vend në Kupat e Europës, ndërkohë që synimet për një trofe tashmë mbeten për Tiranën vetëm te Kupa e Shqipërisë. Këtë "lamtumirë" për titullin e ka pranuar dje edhe vetë trajneri Alban Tafaj, që pas ndeshjes ka qenë tepër i mërzitur për lojën e të tijve dhe ka lëshuar vërejtje në adresë të lojës që kanë zhvilluar bardheblutë në këtë takim. Pas këtij barazimi, si Tirana, por edhe Skënderbeu, kanë qëndruar në atë vend që kanë pasur në tabelën e klasifikimit, ku Tirana ndodhet në të katërtin, ndërkohë që Skënderbeu ka mbetur në vendin e nëntë. 90 minutat e djeshme në Korçë duhet thënë se kanë qenë të bukura dhe ka qenë krejtësisht një lojë e hapur nga të dyja skuadrat, të cilët kërkonin vetëm fitoren në këtë përballje. Për sa u përket 14 minutave të para ndeshjes, duhet thënë se kanë shënuar tri raste të mirë për korçarët, me anë të Shkëmbit, Djarmatit dhe Çipit, ndërkohë që Tirana rezikon me anë të Memellit, por rrjetat mbeten të paprekura. Në minutën e 21‑të është Sefa që gjuan fuqishëm nga larg zonës, por portieri Tomashiç duket se është në një ditë vërtet të mirë. Sulmi i Tiranës në këto moment duket se është në hije, ndërkohë që mesfusha bardheblu po ashtu nuk funksionon ashtu si duhet. Nga minutat e 33‑të deri te e 39‑ta, janë minuta që flasin vetëm korçarët dhe më konkretisht në minutën e 34‑të do të vinte edhe goli i parë, ku Guerrib gjuan fuqishëm në zonën mike dhe, pasi përplaset topi tek Osmani, përfundon në rrjetë. Janë 4 mijë sportdashës që e kthejnë në festë momentin e golit, ndërkohë që Tafaj lëviz, duke mos u pajtuar me këtë rezultat. Pas këtij momenti dhe deri në fund janë dy raste të pastra për miqtë, ku Muzaka dhe Muka nuk kanë shfrytëzuar për të shënuar golin e barazimit, por fraksioni i parë mbyllet me avantazhin e korçarëve 1‑0. Në pjesën e dytë, Abraham largohet nga fusha e lojës i dëmtuar, ndërkohë që Tirana e kërkon më shumë golin e barazimit në minutat e para. Osmani i ardhur nga mbrojtja nuk arrin të shënojë në minutën e 54‑t, ndërkohë që Shkëmbi një minutë më vonë nga 30 metra për pak sa nuk dyfishon shifrat, por topi përfundon mbi traun e portës. Për të ardhur te minuta e 74‑t ku miqtë do ta barazonin shifrat në 1‑1. Ka qenë një këmbëngulje e gjatë e miqve për të shënuar këtë gol dhe është Memelli që gjuan me kokë në zonën korçare, por kur topi po shkonte drejt rrjetës, u desh edhe ndërhyrja e Lilës që të barazonte gjithçka në 1‑1. Pas barazimit loja hapet nga të dyja skuadrat dhe mund të kishte shënuar Skënderbeu golin e fitores, por mund të kishte shënuar edhe Tirana. Korçarët, me Frashërin dhe Shkëmbin, patën dy mundësi të arta për të shënuar golin e fitores, ndërkohë që nuk mund ta falet rasti i Memellit katër minuta para përfundimit, ku i vetëm përballë portierit Tomashiç, nuk arrin të shënojë. Në këtë mënyrë, gjithçka mbyllet me këtë barazim, ku më të kënaqur kanë mbëtur korçarët, ndërkohë që Tirana tashmë duhet të heqë dorë një herë e mirë nga synimi për titullin kampion.

Deklarojnë…
Gerti Haxhiu, trajner i Skënderbeu: "Jam i kënaqur nga loja e futbollistëve të mi dhe më vjen keq që nuk arritëm të merrnim fitoren me Tiranën, pavarësisht se duhet ta pranoj se edhe me një pikë jam i kënaqur. Dy herë kemi toleruar në portën tonë dhe kemi pësuar vetëm një gol, gol ndaj të cilit kam dyshimet e mia. Duhet ta shikoj në moviolë nëse Lila ka qenë apo jo në pozicion jashtë loje."
Alban Tafaj, trajner i Tirnaës: "Erdhëm për të fituar në Korçë dhe morëm vetëm një pikë, me të cilën nuk jam i kënaqur. Nuk mund të fitohet me këtë mënyrë. Kam vërejtje për lojtarët e mi, sidomos në pjesën e parë, ku mezi dolëm në sulm. I palajmërova futbollistët e mi që do të gjenim një Skënderbe të fortë, por reaguam shumë vonë dhe nëse goli i barazimit do të kishte ardhur me shpejt, edhe mund të kishim fituar. Jemi larg titullit kampion."

Të veçanta
‑ Rreth 4 mijë sportdashës e kanë ndjekur ndeshjen e djeshme.
‑ Vetëm 20 minuta para se të përfundonte takimi, ka mbërritur ish‑trajneri i korçarëve, Indrit Fortuzi.

Protagonistë ishin gjyqtarët, jo Gramozi

Zv/presidenti dhe trajneri i Gramozit kanë deklaruar se tifozët u provokuan nga arbitrat
Edhe pse është folur e deklaruar shumë herë në lidhje me gjykimet, përsëri problemet nga java në javë shtohen edhe më shumë. Të njëjtin mendim kanë dhe drejtuesit e klubit kolonjar, veçanërisht zv/presidenti Gazmend Taçi, i cili tepër i irrituar nuk ka ngurruar të flasë për takimin e luajtur në Ersekë ndaj Laçit, teksa ka deklaruar: “Protagonistë kryesorë kanë qenë gjyqtarët e takimit, të cilët këtë rezultat e kishin përcaktuar para fillimit të takimit dhe kjo u pa qartë gjatë gjithë lojës, por sidomos gjatë pjesës së dytë, ku gjyqtari me veprimet e tij u mundua që ta ndëshkonte Gramozin. Rastet e tre 11-metërshave, por edhe një gol i anuluar pa të drejtë, u duk qartë në këtë takim. Pavarësisht se ky takim u paraqit tepër dramatik nga drejtuesit e klubit laçian, nuk ka qenë i tillë. Jo se nuk i dënojmë këto veprime të sportdashësve tanë jashtë stadiumit, por nisemi nga ajo se ndaj nesh, një javë më parë në Peqin, janë sjellë më keq nga ky ekip, ku disa lojtarë të ekipit tonë janë goditur e kërcënuar, por edhe laçianët ndaj nesh në fazën e parë. Nuk pajtohemi kurrë me veprime të tilla, që nuk i shërbejnë futbollit, por edhe gjyqtarët e ndeshjeve nuk lejojmë që ta shohin Gramozin si një ekip të vogël e të luajnë me të si të duan. Për këtë do të binden të gjithë kur të shohin moviolën e këtij takimi se si është sjellë më ne gjyqtari i takimit, K.Meta, ku edhe në javën e parë të kampionatit na ka ndëshkuar ndaj Shkumbinit, duke mos na dhënë një penallti të rregullt. Megjithatë, ne si presidencë po e analizojmë këtë rast, që nuk i shërben futbollit, dhe së fundi do të dalim me masa konkrete, por nuk do të lejojmë më që të luhet me djersën dhe lekun tonë që po shpezojmë për këtë ekip. Ne jemi nga ata ekipe që dimë të pranojmë çdo rezultat. Ju kujtojmë humbjen me Tiranën dhe barazimet me Kastriotin dhe Besën, ku i kemi pranuar rezultatet e dala me këto ekipe.” Edhe sportdashësit kolonjarë, që kanë ndjekur disa herë takimin midis Gramozit dhe Laçit në TV, kanë dalë me konkluzionin që ky takim të ndiqet në prani të gjyqtarëve të takimit, për ta bindur atë se ndaj Gramozit ka qenë i njëanshëm dhe rastet e shumta të dhëna në dëm të këtij ekipi kanë qenë me vetëdije të plotë. Ndërsa trajneri Canaj ka pohuar: “U luajt një futboll burrëror, unë nuk merrem me arbitrat në kuptimin teknik, pasi jam një trajner që kam lëvizur në disa ekipe dhe gjithmonë nga futbollistët e mi kam kërkuar korrektësi. Por po të shohim sekuencat, vëmë re që tifozët patën një tension të pavullnetshëm, pasi rasti flagrant i penalltisë ishte shumë i pastër dhe i pakontestueshëm. Për këtë do të binden të gjithë.”

Kastrioti nis përgatitjet ndaj Vllaznisë

Dje skuadra krutane ka nisur nga përgatitjet e saj për ndeshjen e radhës, e cila do të zhvillohet këtë fundjavë në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Seanca e djeshme nuk ka zgjatur më shumë se 65 minuta, ku më tepër rëndësi u është kushtuar veprimeve të karakterit të shpejtësisë dhe të aerobisë. Ndërkohë, siç mësojmë nga burimet pranë skuadrës, bëhet e ditur se sot pasdite ka të ngjarë që futbollistët t’i nënshtrohen një analize të hollësishme për ndeshjen e fundit të humbur me Teutën. Paraqitja e dobët e skuadrës krutane në ndeshjen ndaj Teutës do të jetë objekti kryesor në analizën e planifikuar. Seanca e ditës së djeshme është zhvilluar pa praninë e tre futbollistëve, dy prej të të cilët janë të formacionit bazë (Shala, Grizha). Dy futbollistët e dëmtuar, Turdiu dhe Shenaj, vazhdojnë të jenë të kontraktuar, por drejtuesit e skuadrës krutane janë optimistë se deri në ditën e ndeshjes të kësaj fundjave ndaj Vllaznisë do të jenë të gatshëm. Ende nuk dihet gjendja e mesfushorit Olsi Gocaj, i cili në ndeshjen me Teutën është aktivizuar në kushtet e një temperature të lartë. Dhe ditën e djeshme, në ambientet e ndryshme të qytetit kanë vazhduar komentet për ndeshjen që, sipas sportdashësve krutanë, ajo e së premtes ka qenë një nga ndeshjet me dobëta të këtij sezoni. Mbase mungesa e sportdashësve ka qenë faktor përcaktues në fitoret e skuadrës, ndërsa tani ka shkaktuar humbjen e paparashikuar. Dje paradite janë zbuluar edhe të dhënat e para e futbollistëve që mendohet të vijnë te skuadra krutane në janar. Mësojmë se sot do të vijnë dy futbollistët e parë. Bëhet fjalë për një sulmues dhe një organizator, një maqedonas dhe një kroat.

Brahja: Ju tregoj ferrin e Ersekës

Kapiteni i Laçit, Julian Brahja, tregon dhunën që pësoi ekipi në ndeshjen ndaj Gramozit
Sfida e dy skuadrave debutuese në superligë këtë edicion, Gramozi Laçi, nuk ka shkuar sipas normave të “fair play” it. Madje i ka kaluar ndjeshëm caqet e lojës së futbollit. Sepse, sipas reklamimit që kanë bërë drejtuesit e Laçit, janë bërë pjesëmarrës edhe tifozët vendës, që 10 minuta para mbarimit të lojës e deri në fund kanë filluar të gjuajnë me gurë lojtarët miq, duke e bërë gati të pamundur vazhdimin e ndeshjes. Duke folur për çka ka ndodhur në stadiumin e Ersekës, Julian Brahja, kapiteni i Laçit, deklaron: “Jemi shumë të shokuar nga ajo që ngjau në fundin e ndeshjes. Vërtet dolëm me 3 pikë nga Erseka, por hidhërimi për mënyrën se si u sollën lojtarët vendës dhe tifozët kolonjarë ndaj nesh kalon çdo gëzim për rezultatin. Mund të them se ndeshja ishte e fortë dhe i kaloi caqet gjatë tërë lojës, por 10 minuta para mbarimit të kohës së rregullt çdo gjë nuk u mor më vesh. Tifozët vendës filluan të godisnin me gurë, nga të gjitha anët, kështu që ne ishim të detyruar të përqendroheshim në mesin e fushës, për të mos pësuar ndonjë traumë të rëndë. Nuk bëhej fjalë më për të ekzekutuar një goditje këndi apo rivënie në lojë nga ana e stadiumit, ku ndodhej tifozëria, sepse haje gurët kokës, kështu që fundi i lojës ka qenë një rrëmujë e madhe. Si të mos mjaftonin tifozët, që filluan të na godisnin me gurë, edhe lojtarët vendës u treguan tepër armiqësorë me ne. Mund t’ju konfirmoj se një lojtar i Gramozit, në mos gabohem Hyseni, ka goditur me grushte dhe shkelma lojtarin tonë mbrojtës, Nino, duke e lënë pa ndjenja, në një moment kur nuk bëhej fjalë fare për futboll, kur po hynim ne dhomat e zhveshjes. Ky ishte momenti më kulmor dhe i dhunshëm i lojtarëve vendës ndaj nesh, sepse loja e tyre ka qenë tepër e rëndë gjatë tërë kohës. Sinqerisht nuk arrij ta shpjegoj atë situatë që u krijua, pa për futboll as që bëhej fjalë. Nuk ia kemi ne fajin Gramozit që është në fundin e klasifikimit, përkundrazi, ka ardhur në Laç fazën e parë dhe ka marrë barazimin, pa i hyrë asnjë gjemb në këmbë. Madje, ne nuk u acaruam aspak, edhe pse gjyqtari anësor na anuloi pa asnjë të drejtë një gol, kështu që meritonim tjetër mikpritje në Ersekë. Nuk është problemi se u dhunua Laçi kësaj here, por kështu po degjeneron futbolli, ndaj FSHF ja duhet të marrë masa të ashpra, nëse do që klubet dhe lojtarët të kalojnë në vetëgjyqësi, kur nuk zbatohen me ashpërsinë më të madhe rregulloret kundër dhunës. Kemi dalë nga stadiumi sapo u larguan tifozët, me autobusin e Gramozit, me qëllimin që të mos binim në sy, por tifozët na kishin bërë pritë rrugës. Sapo na panë, kanë lëshuar dhjetëra gurë e sende te tjera të forta, duke i thyer xhamat e autobusit. Shyqyr Zotit, nuk pësuam gjë. Kemi udhëtuar gjysmë ore me autobusin e Gramozit, pastaj kemi pritur derisa policia na solli autobusin tonë dhe vijuam rrugën në kthim.” Në fund, Brahja ka thënë dy fjalë edhe për ecurinë pozitive të skuadrës së tij: “Laçi mori 3 pikë me shumë vlera në Ersekë, pavarësisht se ishin në njëfarë mënyrë pikë gjaku. Duhet të shikojmë përpara, të ruajmë ritmin dhe të mos përfshihemi nga euforia. Barazimi në shtëpi me Skënderbeun na ka djegur shumë, ndaj duhet t’i bëjmë mirë llogaritë, që së paku në fushën tonë të mos lëmë më asnjë pikë. Vetëm kështu do të jemi në gjendje të arrijmë synimin tonë, qëndrimin në superligë.”

Mile: Fitorja në Krujë na dha siguri

Kapiteni i Teutës, Vangjel Mile, pohon se ky tripikësh do t’i nxisë për vendet lart në renditje
"E meritonim plotësisht fitoren në Krujë, që na ka dhënë sigurinë e duhur për të ecur përpara." Kështu shprehet kapiteni dhe sulmuesi i Teutës, Vangjel Mile, që ka qenë edhe autor i golit të dytë në fitoren e fundit në transfertë për Teutën. Sipas Miles, Teuta po luan mirë në çdo ndeshje dhe vetëm episode të veçanta kanë vendosur rezultatet jo të mira të ndeshjeve të mëparshme, por tashmë rezultatet po i përgjigjen lojës që bën Teuta në fushë.
‑ Si e komentoni fitoren në transfertë?
‑ Një fitore në transfertë do të thotë tri pikë dhe ne për çdo tripikësh që marrim ndiejmë kënaqësi, pasi e meritonim dhe jo vetëm në këtë ndeshje, por edhe në ndeshje të mëparshme, ku kanë vendosur episode të veçanta. Mungesa e rezultateve më shumë ka ardhur dhe për pasojë të episodeve të veçanta gjatë ndeshjeve, sepse në aspektin e përgjithshëm paraqitjet e ekipit në fushë kanë qenë të mira.
‑ Tashmë Teuta duket disi e stabilizuar në renditje, apo jo?
‑ Nuk është aspak kështu, sepse vërtet arritëm një fitore, por na duhen shumë të tilla për të arritur synimet tona. Duhet të luajmë në çdo ndeshje si të ishte një finale, pasi rivaliteti në këtë kampionat është shumë i fortë dhe ndonjë gabim i vetëm mund të të ndëshkojë.
‑ Cili ishte çelësi i suksesit në Krujë?
‑ Mendoj se ishte fakti që i zbatuam detyrat dhe nuk gabuam si dhe krijuan më shumë volum loje e raste se kundërshtari. Por gjithashtu, ne shfrytëzuam edhe faktin që skuadra kundërshtare ishte nën një presion shumë të madh për të arritur fitore dhe shpesh presione të tilla e dëmtojnë një skuadër, ndaj përfituam ne.
‑ Keni shënuar një tjetër gol. Mendoni se do të jeni golashënues këtë sezon?
‑ Nuk mendoj fare për sasinë e golave që mund të shënoj, pasi më shkon mendja vetëm tek ekipi. Këtë herë ne arritëm një fitore të rëndësishme, që na jep qetësi dhe na ndihmon për vazhdimësinë. I rëndësishëm në këtë ndeshje është gjithashtu fakti që, edhe pse kishim mungesa, ekipi ishte sërish kompakt dhe arritën të shënojnë sulmuesit.
‑ Ju ndihmon rezultati i fundit për të qenë optimist?
‑ Sigurisht që këto tri pikë na kanë dhënë moralin e nevojshëm për të punuar qetësisht dhe për të shtuar etjen për tri pikë në të gjitha ndeshjet. Pas fitores së fundit, synojmë vazhdimësinë dhe mendoj se e tillë do të jetë ecuria e Teutës, një ekip në ngritje që do të luftojë në çdo ndeshje për fitore.