14 dhjetor 2009

Lajme nga Futbolli Shqiptar

Dinamo nuk njeh kundërshtar, “prek” titullin

Blutë fitojnë në fushën e vështirë të “Niko Dovanës”, duke mos njohur humbje deri tani
Teuta ka pësuar një humbje tjetër në “Niko Dovana” përballë Dinamos, që ka luajtur mjaft e organizuar prapa dhe në sajë të aftësive të Bakajt, që ishte protagonist në të tre golat, ka arritur një tripikësh të radhës në Durrës. Durrsakët kanë gabuar shumë në të tre golat dhe nuk kanë pasur shumë hapësira për të arritur të bëjnë kthesën, ndërkohë që pas golit të tretë ata janë dorëzuar moralisht. Pjesa e parë ka nisur e qetë, por goli i Dinamos ka ardhur shumë shpejt, duke i shokuar durrsakët, kur në minutën e 10-të Bakaj ekzekuton mjaft bukur një goditje këndi, ku topi shkon drejt e në portë dhe devijohet paksa nga Kuli, që nuk është arritur të largohet nga asnjëri prej mbrojtësve durrsakë dhe ka kapur të papërgatitur edhe vetë Vashakun. Pas golit durrsakët nuk e kanë fuqinë e duhur për të reaguar, duke qenë se Dinamo nuk lejon asnjë hapësirë prapa, ndërkohë që dinamovitët, duke lënë të avancuar Bakajn, mendojnë edhe për një gol tjetër, që vjen 15 minuta më vonë, kur Bakaj ka dhënë një krosim në zonë për Sozën, që është harruar nga mbrojtja durrsake dhe ka shënuar golin e dytë. Edhe pse në disavantazh të dy golave, Teuta arrin të hedhë vështrimin përpara, megjithëse sulmuesit e saj nuk arrijnë të depërtojnë në zonën dinamovite. Sulmet e durrsakëve shtohen, por dinamovitët janë të sigurt prapa, megjithatë një top në zonë nga Stafa ka sjellë zhvillime të reja në lojë. Xhemalaj godet me kokë dhe Kuli prek topin me dorë, gjë që ka sjellë edhe akordimin e një 11-metërshi nga Çekaj në favor të Teutës. Nga pika e bardhë Mile nuk gabon dhe ngushton diferencën. Pas golit, Dinamo është në vështirësi dhe mendon vetëm të mbrohet, duke u ndodhur nën një presion të madh të Teutës, që sulmon vazhdimisht dhe krijon panik në mbrojtjen dinamovite. Pikërisht në fund të pjesës së parë Çekaj heziton të vërshëllejë për një tjetër 11-metërsh në favor të durrsakëve, ku Hyseni pengohet dy herë në zonë e në fund pengohet edhe Hysa, por pavarësisht protestave të durrsakëve, Çekaj vazhdon lojën. Pjesa e parë mbyllet 1‑2 për Dinamon, ndërkohë që pjesa e dytë fillon e qetë, por janë durrsakët që e kërkojnë me ngulm golin, megjithëse tentojnë ta gjejnë me goditje nga distanca, që nuk kanë rezultat, ndërkohë që mungojnë depërtimet në zonën e ngjeshur të mbrojtjes dinamovite. Nga ana tjetër, duke sulmuar vazhdimisht, dursakët krijojnë përherë e më tepër hapësira në mbrojtje dhe është Bakaj që përfiton nga këto hapësira, teksa në një kundërsulm ka arritur të shënojë golin e tretë, që e ka bërë Teutën të dorëzohet. Ka qenë Bakaj që ka përfituar edhe nga një gabim i Ndrekës, që nuk e ka pasur të vështirë të vërë “firmën” e tij sërish në këtë fitore. Pas golit të tretë Dinamo ka menaxhuar qetësisht lojën, ndërkohë që durrsakët duken tashmë të thyer dhe të pafuqishëm për të reaguar si duhet, përballë një Dinamoje të fortë në prapavijë. Rezultati nuk ndryshon deri në fund të takimit e kështu Dinamo merr tri pikë të radhës, duke vijuar rrugën e saj drejt titullit, ndërkohë që durrsakët kanë humbur përsëri në fushën e tyre, në një ndeshje ku kanë gabuar shumë ndaj ekipit më të mirë të kampionatit.

Deklarojnë…
Mirel Josa, trajner i Teutës: “Kemi bërë gabime individuale në të tre golat që shënoi Dinamo. Ishte e pafalshme që të gabonim në atë mënyrë, duke pasur përballë një ekip si Dinamo. Në të tre golat janë gabimet tona e po kështu kemi goditur shpesh nga larg, gjë që ishte një tjetër gabim yni. Kam dyshime për një 11-metërsh në fund të pjesës së parë, por ajo që na ndëshkoi ishin gabimet individuale të futbollistëve.”
Shkëlqim Muça, trajner i Dinamos: “Kemi zhvilluar një lojë inteligjente dhe e merituam fitoren në këtë ndeshje. Ekipi punoi mirë, por edhe toleroi pas golit të dytë, gjë që na krijoi probleme, sepse Teuta shënoi dhe mund edhe të kishte barazuar, por në pjesën e dytë me inteligjencë luajtëm mirë prapa dhe shfrytëzuam hapësirat e kundërshtarit, ku pa dyshim një nga lojtarët tanë më të rëndësishëm, Bakaj, ka qenë i saktë.”

Të veçanta
‑ Ndeshja është ndjekur nga rreth 1000 tifozë, që nuk janë larguar, edhe pse koha ka qenë e ftohtë me shi.
‑ Në tribunën “VIP” mungonte presidenti i Dinamos, Besnik Sula, ndërkohë që ndodhej aty presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, ai i Besës, Nexhat Bizhdili, si dhe trajneri i kombëtares Josip Kuzhe.

Shkumbini kthehet te fitorja, madje me goleadë

Peqinasit mundin thellë Apoloninë, duke treguar edhe një herë se në fushën e tyre nuk munden kollaj
Eshtë një fitore përballë Apolonisë, e bukur dhe e thellë, si për të konfirmuar gjendjen e mirë të ekipit në dy ndeshjet e fundit dhe vlerësimet që u bën ky ekip kundërshtarëve në fushën e vet. Janë 3 gola të shënuar dhe me pak kujdes rezultati mund të kishte qenë më i thellë. Shkumbini synimet e veta i ka treguar që në fillim, duke u hedhur në sulm dhe duke detyruar Apoloninë të tërhiqet në zonën e vet. Si rezultat i këtij presioni, shumë shpejt vjen dhe goli i parë për Shkumbinin, që do ta nxisë edhe më shumë për të zotëruar situatën në të gjitha drejtimet deri në fund të lojës. Reagimi i zakonshëm pas golit nga ana e Apolonisë nuk vjen. Kjo i nxit vendësit të shtrojnë presionin, duke krijuar raste të rrezikshme në portën e Hoxhës. Ra në sy aktivizimi i Endri Bakiut në mesfushë, duke i dhënë më shumë frymëmarrje ekipit, për ta zotëruar plotësisht këtë faktor, ku fitohen të gjitha dyluftimet nga ana e vendësve. Aksionet e shumta që u nisën e ndihmuan sulmin për të rrezikuar, por i dhanë siguri edhe mbrojtjes për të thyer sulmet e kundërshtarit. Duhet pranuar se Shkumbini ka zhvilluar një nga lojërat më të mira në fushën e vet, duke shënuar 3 gola në portën e Apolonisë. Për kushtet e terrenit të rënduar me mot të ftohtë dhe me shi, dje nga futbollistët kërkohej lojë burrërore dhe shpirt gare. Shkumbini diti ta vërë zemrën në fushë, duke qenë në superioritet me miqtë fierakë. Peqinasit kanë zhvilluar një volum të madh lojë për 90 minuta me një ritëm të kënaqshëm, duke plotësuar kualifikimin në mesjavë me Kastriotin. Vetëm në momente të veçanta, sidomos në fillim të pjesës së dytë, ekipi i Apolonisë u përpoq të tregonte diçka nga vlerat e veta, por ato ishin shumë pak për këtë ekipin, që deri dje renditej në vendin e tretë. Shkumbini ishte më superior, sepse diti t’i përshtatej terrenit, luftoi më fort në zotërimin e topit të parë, duke ia hequr mundësinë kundërshtarit për çdo rast të organizohej. Eshtë e pafalshme për një ekip si Apolonia që për 90 minuta nuk krijoi asnjë rrezikshmëri apo rast goli në portën e Shkumbinit. Në 10 minutat e fundit kemi përpjekje të dëshpëruara të miqve për golin e nderit, por që ishin të pamjaftueshme, pasi Bejte ka qenë në rolin e spektatorit. Ka qenë një fitore e merituar nga Shkumbini përballë një Apolonie, që ndryshe nga takimet e tjera në Peqin, la shumë për të dëshiruar, si për lojën, edhe dëshirën që pati në fushë. U ndje jo pak mungesa e sulmuesit serb Brkiç.

Deklaruan…
Kristaq Mile, trajner i Shkumbinit: "Shkumbini e meritoi fitoren dhe tregoi vlerat e veta reale, ashtu si në mesjavë me Kastriotin për kupë. Ajo që më kënaqi më shumë ishte eliminimi i gabimeve përpara portës, ku shfrytëzuam 3 raste, por edhe shpërdoruam. Ishte një fitore për sportdashësit peqinas, që i uroj nga zemra se nga ndeshja në ndeshje po i qëndrojnë më pranë ekipit."
Hasan Lika, trajner i Apolonisë: "Sot zhvilluam një ndeshje të dobët. Pavarësisht terrenit të rënduar, mendoj se ekipi nuk është shfaqur si në ndeshjet e kaluara. Shkumbini diti të përshtatej më mirë dhe e meritoi fitoren në harkun e 90 minutave. Jam i pakënaqur me lojën e disa futbollistëve, të cilët përveç dëshirës së mirë për të luajtur, nuk arritën të interpretojnë si duhet. Ekipi nuk luftoi si duhet e për pasojë u bënë gabime të shumta në aspektin mbrojtës. Ndikoi edhe loja e ndeshjes për kupë, por ekipi të paktën të kishte luajtur si në mesjavë, se mund të kishte marrë ndonjë rezultat tjetër."

Tirana, e pafuqishme të kalojë edhe Gramozin

Kampionët në fuqi barazojnë në "Selman Stërmasi" me kolonjarët dhe tashmë duket se janë në krizë
Takimi midis Tiranës dhe Gramozit ka nisur i shpejtë nga të dyja skuadrat, por me kalimin e minutave në pjesën e parë ritmi i lojës bie. U janë dashur vetëm 11 minuta lojë kampionëve që të kalojnë në avantazh me anë të një 11-m të ekzekutuar saktë nga lideri i tyre, kapiteni Devi Muka. Ky gol i ardhur në minutat e para të takimit duket se i ka zbehur vlerat e lojës. U duk se Tirana do ta kishte shumë të lehtë fitoren me kolonjarët, që këtë sezon luajnë për herë të parë në superiore, por fundi i lojës tregoi krejt të kundërtën. Një pjesë e parë e vakët për sa u përket rasteve të krijuara nga të dyja ekipet, përjashto goditjen nga distanca të Shaqirit në fillim të ndeshjes dhe golin e bardhebluve. Më shumë loja përqendrohet në gjysmë fushë aty ku të dyja ekipet mundohen të përfitojnë nga gabimet e njëra-tjetrës. Kur duheshin edhe dhjetë minuta që të përfundonte pjesa e parë e lojës, trajneri Alban Tafaj heq Pashajn, me sa duket të dëmtuar, dhe në vend të tij aktivizon të riun Lilaj, që kishte edhe mbështetjen e gjirokastritit Devolli. Edhe pse kërkojnë të shënojnë golin e dytë dhe të sigurisë, pjesa e parë ka përfunduar me rezultatin 1-0 në favor të kryeqytetasve. Ndryshe nga pjesa e parë, ku rastet munguan nga të dyja kampet, në fragmentin e dytë të takimit ka një tjetër tablo, edhe pse terreni mjaft i rënduar hera-herës bëhet pengesë për një lojë të bukur. Pesë minuta pasi fillon pjesa e dytë, Dos Santos pengohet në zonë nga Bici dhe Jareci jep penalltinë e dytë, sfidë të cilën vetë braziliani i kolonjarëve e kthen në gol. Kampionët janë të shokuar dhe nuk u besojnë syve, ndaj hidhen në kundërsulm, ndërkohë që Canaj forcon mesfushën, duke i besuar skemës taktike 4-5-1, kurse Tafaj mendon më shumë për sulmin dhe krahas Abilaliajt dhe Mukës aktivizon edhe Memellin në sulm në vend të Osmanit. Bardheblutë fillojnë dhe bëhen më kërkues, fillimisht është Sefa që gjuan me kokë, por largon mbrojtja mike e pas tij dy herë sulmuesi shtatlartë Memelli, i cili në një moment i ka pasur të gjitha mundësitë të kalojë skuadrën e vet në avantazh, por gol nuk ka. Duhet theksuar se me kalimin e minutave, lojtarët e bardhebluve bëheshin nervozë, duke parë edhe rezultatin që më shumë favorizonte miqtë, ndërsa mbrojtja e Gramozit, me në krye kapitenin Peçi, mundohet që të zbrapsë sulmet e bardhebluve. Minutat ikin si pa kuptuar, ndërkohë që dhjetë minuta para se të përfundonte takimi janë Sina dhe Lilaj që vënë në shenjestër portën e Ametlliut, por gol nuk ka. Edhe tri minutat shtesë nuk sjellin asgjë, përveç ndonjë dëmtimi të pashkak të lojtarëve miq, që kërkojnë të fitojnë kohë dhe të ruajnë pikën. Përfundimisht, 1-1 dhe kampionët në fuqi e tregojnë qartë se nuk janë më ekipi i sezonit të shkuar, por në merkaton e janarit duhet të afrojnë lojtarë të tjerë për të qenë më dinjitozë dhe një ekip solid, ndryshe do ta kenë shumë të vështirë deri në fund të këtij edicioni.

Deklarojnë….
Alban Tafaj, trajner i Tiranës: Nuk u prononcua për mediat pas ndeshjes.
Agim Canaj, trajner i Gramozit: "Kjo ka qenë ndeshja më e mirë që ka zhvilluar ekipi im që nga periudha që kam marr drejtimin. Them kështu, pasi edhe në aspektin psikologjik pashë një skuadër jo si herët e tjera. Isha mësuar që pas shënimit të një goli do të pësonim edhe të tjerë. Megjithatë, kemi 5-6 ndeshje që ekipi ka rritje si në lojë dhe në anën psikologjike. Pavarësisht se pësuam një gol, patëm mundësi dhe patëm kurajë të shënonim. Sot zhvilluam një ndeshje që tregoi se nuk jemi rastësisht në superiore, por edhe në vazhdimësi do të kërkojmë të arrijmë rezultate pozitive."

Të veçanta
- Ndeshja, edhe pse ishte planifikuar të zhvillohej në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa", është zhvilluar në stadiumin "Selman Stërmasi".
- Një numër i madh tifozësh kishin ardhur nga qyteti i Ersekës dhe e kanë mbështetur ekipin e tyre të zemrës gjatë gjithë lojës.
- Pas përfundimit të takimit, për më shumë se 15 minuta stafi bardheblu dhe lojtarët kanë qëndruar në dhomat e zhveshjes të mërzitur për rezultatin.