22 dhjetor 2009

Kriza e Juves, ja çfarë pritet të ndryshojë

Rikthehet Betega si drejtues, Hidink është në pritje dhe trajneri Ferrara i ka orët të numëruara

Sërish një humbje, tifozët akuzojnë Melon e Diegon: 50 milionë euro të hedhura për të dy në verë dhe në javët e fundit të dy e shohin veten në “bankën e të akuzuarve”. Tifozët sulmojnë rëndë drejtuesit e klubit, sidomos Blankun e Sekon, fajtorë që kanë ndërtuar këtë Juventus, duke kërkuar rikthimin e familjes Anjeli, në veçanti të Andreas, djalit të Umbertos.

Ferrara për momentin gëzon një besim të përkohshëm, pasi nuk mendon të japë dorëheqjen, zyrtarisht i konfirmuar, por në diskutim, në mënyrë të pashmangshme. Por “hija” e Hidinkut dhe jo vetëm ka rënë në Torino. Në gjithçka, ka vetëm një siguri, rikthimi i Roberto Betegës si këshilltar merkatoje. Zgjidhja e parë e momentit.

Këshilli Administrativ i klubit pritet vetëm të ratifikojë marrëveshjen. Betega për të ndihmuar Ferrarën, Betega për të gjetur zgjidhjen e duhur edhe për korrigjimin e mundshëm që mund t’i bëhet skuadrës që në janar. Ndërkohë ka pasur kontakte mes Xhon Elkanit dhe presidentit Blank. Një sinjal që po bëhen përpjekje për një zgjidhje për të dalë nga tuneli. Juventusi gjëndet thuajse në “buzë të greminës”.

Sepse nuk është ndonjë lajm i ri që Lipi ka shumë mundësi për t’u bërë drejtor i sektorit teknik pas Botërorit, ndaj hipoteza e një trajneri të përkohshëm në vend të Ferrarës, mund të jetë edhe pista e duhur. Si emri i Gus Hidinkut, i cili vitin e shkuar provoi një përvojë të ngjashme duke drejtuar Çelsin dhe kombëtaren ruse. Gusi gjithsesi është në pritje, por deri tani s’ka pasur asnjë kontakt siç shpjegon edhe menaxheri i tij: “Hidink në këto momente ndodhet me pushime, - por është shumë i informuar mbi situatën bardhezi. E mori vesh edhe për humbjen me Katanian. Ju theksoj që nuk ka qenë në Itali, në aeroportin e Malpensës nuk ka takuar asnjë drejtues të Juves, por është me pushime në pritje të një thirrjeje.

Madje po ju them që nëse keni nevojë për të, duhet ta njoftoni sa më shpejt…”, - tha menaxheri i holandezit. Emri i këtij të fundit është “i rëndë”, por Juvja mund të përshkojë edhe rrugë të tjera, ndoshta “të aplikojë” në figura jo pak të njohura si Skolari, ose “të peshkojë” mes atyre që gjatë viteve e kanë nderuar fanellën bardhezi, si Viali e Xhentile.

Hipoteza që do të shfrytëzohen. Përveç kësaj është dhe merkatoja. Juvja duhet të ndërhyjë në mesfushë, ku mund të marrë edhe “pedina” të rëndësishme nga Real Madridi ndoshta në formë huaje. Gago e Diarra janë ata më të lakuarit. Dhe pastaj është për t’u kuptuar mirë ajo që po ndodh me Melon, braziliani ka adhurues në Angli edhe te Mançester Siti. Ndërkohë duhet shpëtuar aq sa ka mundësi, teksa pas shtatë ditësh skuadra rikthehet në Vinovo. Mbetet të kuptohet nëse me apo pa Ferrarën, duhet gjetur ilaçi i duhur.