26 dhjetor 2009

Kapelo përzgjedh 5 gjuajtësit e penalltive në Botëror

Trajneri i Anglisë, Fabio Kapelo, ka deklaruar se i ka në kokë pesë lojtarët që do të marrin përsipër të gjuajnë 11-metërshat gjatë Kampionatit Botëror 2010.Ish-tekniku i Juventusit dhe Realit të Madridit pranoi se ndoshta kjo mund të mos garantojë plotësisht suksesin, por gjithsesi, ai do të përzgjedhë ata futbollistë që mendon se janë më të përshtatshëm teknikisht dhe psikologjikisht të aftë të marrin përsipër këtë përgjegjësi. Në një interivstë për “ESPN”, Kapelo u shpreh: “Penalltitë janë llotari. Mbaj mend se lojtarë të mëdhenj nuk kanë marrë përsipër të gjuajnë penallti, sepse nuk ndiheshin plotësisht të sigurt se mund të shënonin. Prandaj, kur vjen momenti i penalltive dhe ti duhet të vendosësh, u thua atyre dhe të thonë ‘jo, të lutem’. Ndoshta këta mund të jenë më të përshtatshmit”.
Më tej ai shtoi: “Parapëlqej të përzgjedh ata lojtarë që duan të gjuajnë penallti. Tashmë i di se cilët mund të jenë ata. Por presioni i momentit kur duhet të vendosësh ndryshon gjithçka. Në stërvitje goli duket i madh, kurse portieri i vogël, ndërkohë kur duhet të gjuash një penallti për të fituar Kupën e Botës, goli të duket i vogël, kurse portieri i madh. Është e vështirë të shënosh kur je në presion”.