02 dhjetor 2009

Kapelo: Interi i fortë, Juves i duhet kohë

Të shtunën do të luhet derbi i Italisë mes Juventusit e Interit, një ndeshje që trajneri i kombëtares angleze, Fabio Kapelo “mezi e pret”, duke parë që stolin bardhezi e njeh mirë dhe përpiqet të bëjë një krahasim me një tjetër derbi, atë mes Barcelonës e Real Madridit, që u luajt të dielën: “Sfidat mes Juves, Milanit e Interit, janë të gjitha speciale për numrin e tifozëve që përfshijnë, ato janë sfida “kombëtare”, ndërsa Barça-Real është një sfidë politike. Inter-Juve nuk është vetëm një sfidë mes tifozësh, sepse këto janë gjithnjë sfida që luhen për titull. Atmosfera është e fortë, sikur të jetë një finale… Kjo ndeshje ka një vlerë të madhe psikologjike. Janë sfidat që tregojnë vlerat e vërteta”.
Më pas Kapelo analizon situatën e të dyja skuadrave: “Interi është një skuadër e fortë, e bashkuar, që në Itali po mbizotëron dhe rezultatet e viteve të fundit e tregojnë, ndërsa Juventusi kërkon të kthehet protagonist absolut në kampionat. Do të jetë një sfidë që do të konsolidojë ambiciet e secilës për kreun, ndonëse rruga është shumë e gjatë akoma. Për Juven duhet edhe pak kohë. Por nëse Interi do të shkojë +11 do të bëhet i vështirë për t’u kapur”.
Kapelo pastaj përpiqet të shpjegojë ndryshimin mes dy formacioneve: “Interi ka pasur kohë të përforcohet, të bëjë ndryshime dhe të marrë vendime. Juvja është përforcuar, por ka nevojë për kohë për t’u pjekur. Le t’i japim akoma pak kohë kësaj Juveje. Interi nuk ka Ibrën, por Milito dhe Eto po shënojnë sërish, ndonëse ka ndryshuar mënyra e lojës. Ndërsa Juvja lojtarët i kishte, vetëm se duhet të përmirësohen. Pra diskutimi është ai i pari: Interi është që tani i fortë, ka mundur të ndërhyjë në mënyrë “kirurgjikale” në merkato, ndërsa Juventusi e ka pak më të vështirë për të gjetur rrugën e duhur”, - përfundon ish-trajneri i Milanit, Romës, Juventusit e Real Madridit.