22 dhjetor 2009

Kampion apo dështak? Melo, i akuzuari i parë

Braziliani është në qendër të kritikave pas krizës bardhezi. Por kur s’luan, Juvja vuan më shumë

U tha shpejt se ishte një kampion, por ditët e fundit ka rezultuar një dështak, madje mori dhe çmimin ironizues “Dështaku i artë 2009″. Historia e Felipe Melos, i blerë nga Juvja për 25 milionë euro, duket se do ta ketë fundin te zëvendësimi i tij nga Ferrara në minutën e 32-të kundër Katanias të dielën. “Fiorentina nuk donte ta shiste, por e vetmja mundësi për ta sjellë në Torino ishte të kalohej përmes zgjidhjes së kontratës, e përfshirë në klauzolë”, - rrëfen Alesio Seko. Drejtori sportiv mbron zgjedhjen e bërë në merkaton e fundit verore.

Ka vështirësi, por edhe ndonjë motiv (të mirë) për ta argumentuar çështjen. Sepse Melo është titullar te Brazili, me Dungën fitoi Kupën e Konfederatave. Në Afrikën e Jugut ishte protagonist absolut, siç ishte një sezon më parë me Fiorentinën. Mjaftoi kaq për ta shndërruar në një kampion. Por kjo nuk mjafton për të mos e kthyer në një dështak. Atëherë në kërkim të ekuilibrit, ndonjë element më shumë mund të ndryshojë diçka përmes numrave dhe të shpëtojë “ushtarin” Melo.

Për shembull mjafton të marrësh katër ndeshjet e fundit të Juves. Kundër Kaljarit, Interit, Bajernit e Barit (ndaj Katanias luajti 32 minuta), skuadra e Ferrarës ka pësuar 10 gola. 7 nga 10 golat kundërshtarët i kanë shënuar kur Melo nuk ishte në fushë: dy në Kaljari, dy në Champions, tre në Bari. Mospësimi i golave nga skuadra e tij ka qenë gjithnjë një pikë krenarie për brazilianin.

Edhe me kosto për të marrë ndonjë karton më shumë: “Unë ndëshkohem me të verdhë që skuadra ime të mos pësojë gola”, - ishte nga një slloganët e parë të tij bardhezi. Kështu lindi polemika e parë. Pra, merr shumë kartonë. Mesfushori ka këto të dhëna: në sezonin vjollcë mori 13 të verdhë dhe 2 kartonë të kuq. Në 18 ndeshje me Juven, 5 të verdhë dhe 1 të kuq kundër Interit. Pra, tendenca është në zbritje dhe “dështaku” ka numra të tjerë. Për shembull: në vitin 2009-të ka luajtur 50 ndeshje. Shumë. Dhe ka shënuar 5 gola. Shumë për një mesfushor.