10 dhjetor 2009

Juventus, 15 milionë euro humbje

Eliminimi nga Champions shoqërohet me një faturë të "kripur", por Ferrara nuk largohet

Eliminimi nga Liga e Kampioneve ka sjellë probleme në radhët e Juventusit: fizike dhe ekonomike. Xhixhi Bufon vazhdon të shtrëngojë dhëmbët, pasi dëshiron të luajë edhe të shtunën kundër Barit. Së bashku me klubin, portieri zgjodhi të dielën (maksimumi të hënën) që të operohet në meniskun e gjurit të majtë. Vendimi u mor menjëherë pas ndeshjes Juve-Bajern. "Gardiani" nuk dëshiron të braktisë skuadrën në momentin më delikat të sezonit, edhe pse zvarritja e ndërhyrjes kirurgjikale bën që ai të jetë në dyshim për sfidën me Milanin, e cila do të luhet më 10 janar. Në fakt, për t‘u rikuperuar plotësisht, Bufon do të duhet të qëndrojë afro 40 ditë larg fushave. Në sfidën me Barin do të mungojnë edhe Kielini (20 ditë pushim), Iakuinta (është i gatshëm në janar), Melo i skualifikuar dhe Sisoko, i cili do të ketë nevojë për 20-30 ditë kohë që të kalojë dëmtimin muskulor. Problemet fizike të Sisokosë kanë regjistruar dëmtimin e 36 në radhët e Juventusit vetëm gjatë këtyre katër muajve. Mungesa e mesfushorit nga Mali do të zgjatet edhe më shumë, duke llogaritur këtu pjesëmarrjen e tij në Kupën e Afrikës.
Eliminimi nga Champions ka pasoja mbi të gjitha në aspektin ekonomik të klubit bardhezi. Largimi nga aktiviteti më prestigjioz për klube në kontinent është shoqëruar me një faturë të "kripur": afro 15 milionë euro humbje, të cilat janë shoqëruar edhe nga rënia në bursë, ku "zonja e vjetër" humbi 7 për qind. Pas turpërimit nga Bajerni, Juventusi duhet të punojë ende që të organizojë të ardhmen. Pak rëndësi ka fakti që, sipas "bookmakers"-ave, italianët kanë shanse të mira që të jenë të suksesshëm në Europa League. Triumfi i tyre në trofeun që zëvendësoi Kupën UEFA jepet me koeficientin 10, ndërsa koeficient më të mirë se bardhezinjtë ka vetëm Liverpuli (7,50). Dëmi i madh financiar pritet të sjellë ndryshime të paevitueshme, edhe pse presidenti Blank këmbëngul se "planet tona nuk do të rishikohen". Drejtuesi konfirmoi edhe trajnerin Ferrara: "Eliminimi na ka shkaktuar edhe një dëm të konsiderueshëm ekonomik, por aktualisht nuk duhet të mendoj për këtë. Projekti ynë nuk ndryshon, edhe sepse është e pamundur që fitoret në futboll të programohen. Megjithatë, e ardhmja e Ferrarës nuk është absolutisht në dyshim. Skuadra duhet të kthehet në fushat stërvitore dhe të gjejë vazhdimësinë në rezultate, sepse vetëm tri ditë më parë (në ndeshjen e fituar me Interin), kjo skuadër tregoi sesa vlente".
Me gjithë besimin për trajnerin, faktet janë të pakundërshtueshme: më shumë se 50 milionë euro të investuara në merkato dhe një trajner i ri shërbyen vetëm për të "gatuar" dështimin e parë të madh në sezonin juventin. Pas nëntë vitesh, bardhezinjtë nuk kanë arritur të kalojnë fazën e grupeve në Champions League. Një disfatë nëse bëhen krahasime me një edicion më parë, kur skuadra e Ranierit teorikisht ishte më e dobët, por në fushë regjistroi rezultate më të kënaqshme. Shpenzimet, që realisht ishin më të mëdha nga sa ishte parashikuar, mund të ndikojnë në buxhetin e merkatos së ardhshme. Tifozët, që kanë braktisur skuadrën, tashmë kanë frikë se klubi do të vendosë të shesë ndonjë prej yjeve të kontingjentit, në mënyrë që të sigurojnë fonde për të realizuar blerje të reja.