23 dhjetor 2009

Juve, para me Ferrarën, por ai është "i ngrirë"

Kandidatët: Hidink, Skolari, Trapatoni, Zof, Xhentile e Benitez

"Ngrihet" Ferrara. Do të mbetet sërish trajner i Juventusit deri sa presidenti Blank të lajmërojë për zëvendësin e tij (për të cilin po punon), gjë që mund të ndodhë në orët e ardhshme apo në ditët e ardhshme, ndoshta pas ndeshjes me Parmën e Milanin, që do të jenë fundi i fazës së parë të Serisë A. Një verdikt dhënë në orët e vona të së hënës nga dhoma sekrete. Tashmë vetëm një fije shumë e hollë e mban të lidhur Ferrarën me Juve, edhe pse presidenti i bardhezinjve po has disa vështirësi në kërkimin e zëvendësuesve. Hidink, Skolari, Trapatoni, Zof, Xhentile dhe Benitez janë kandidatët. Vështirësi hasen nga drejtuesit edhe për rikthimin e Betegas, që në fillim u hodh si hipotezë, por tashmë u vërtetua. Ajo e së hënës ka qenë një natë e vështirë për Blank. Pas humbjes ndaj Katanias dhe deklaratave në televizion mbi konfirmimin e Ferrarës dhe domosdoshmërisë për të punuar më shumë(?), që mjaft e kanë vënë në diskutim, presidenti në fillim ka darkuar me Betegan, një prej të hetuarve të "Calciopoli"-it, dhe më pas ka filluar të punojë për ndryshimin e trajnerit. Këshilli administrativ, i programuar dhe i fiksuar për më 21 dhjetor, u mblodh të hënën në mëngjes në orën 09.30, por gjithçka është shtyrë për pasdite, sepse Blank kishte në axhendë një sërë kandidatësh për të zëvendësuar Çiron. Bëhet fjalë për një takim të dytë me Hidink dhe të parin me Skolarin. Rreth kësaj teme klubi ka mbajtur një heshtje të plotë, ndërkohë që një pjesë e anëtarëve të këshillit drejtues kanë nxjerrë emrin e Zof, ikonës Juventine, personit të vlerësuar për moralin dhe cilësitë e larta humane e teknike, të cilat i ka treguar në të kaluarën. Te Lacio ka pasur një eksperiencë të mirë si trajner dhe si drejtues. Një emër i rëndësishëm është edhe ai i Superdinos, i cili do të pritej mirë nga populli bardhezi, që ka zbritur në rrugë duke kontestuar ashpër skuadrën aktuale. Rruga është e hapur përkrah kandidaturave të huaja të Hidink, Skolarit e Benitezit, një tjetër hipotezë është ajo e Zof: një rikthim i Trapatonit nën kostumin e drejtorit teknik "alla Ferguson". Dikush ka kontaktuar tashmë Xhovanin, i cili do të duhet "të lirohet" nga Irlanda. Ndërkohë që Klaudio Xhentile është një nga më të besuarit e Trapatonit. Mes emrave që qarkullojnë është edhe ai i ish-trajnerit të Milanit e Interit, Alberto Zakeroni: "Nëse Blank më thërret, unë do t‘i përgjigjem. Kjo organikë është kompetitive. Juventus më kërkoi 3 vite më parë. Më bëri shumë përshtypje, pasi ishin njerëz me ide të qarta". Kriza e Juves kalon nga shumë emra, por një në veçanti është gjithnjë në qendër të kritikave të tifozëve dhe disa zyrtarëve: Felipe Melo. Braziliani, pas gabimit të pafalshëm ndaj Katanias, ka jetuar momentin më të ulët të sezonit të tij te bardhezinjtë. I zëvendësuar në minutën e 32, duket se ka prishur përfundimisht marrëdhënien me Ferrarën, me të cilin nuk mundi kurrë të ndërtonte një lidhje në nivelin tekniko-taktik. Ndaj ai mendohet se do të jetë një ndër të sakrifikuarit kryesorë të merkatos së janarit.