25 dhjetor 2009

Juve: Idea Skolari, shpëtimi i brazilianëve

Ish-trajneri i Çelsit mund “të ringjallë” Diegon, Melon e Amaurin nëse zëvendëson trajnerin Ferrara

Presidenti i Juventusit, Zhan Klod Blank, ka shumë dëshirë të flasë për projekte, por deri tani ka qenë evaziv mbi të vetin që ka rëndësi, atë që është i vlefshëm për të dalë nga kriza, e cila ka rënë mbi “Zonjën e vjetër”. Planet 5-vjeçare mund të presin, është e nevojshme për momentit të shpëtohet sezoni dhe me këtë rast, formula magjike (”Duhet punuar më shumë”), bind pak. Sepse lë të kuptosh që deri tani në shtëpinë bardhezi, paskan punuar pak dhe keq (kjo është e verifikuar), gjë që do të shtonte listën e fajtorëve. Në të vërtet, problemi i Juventusit është mjaft i thjeshtë për t’u individualizuar: lojtarët nuk japin për aq sa vlejnë, kampionët e shkëlqyer (në letër të paktën), nuk kanë qenë asnjëherë një skuadër e mirë. I ka takuar trajnerit të favorizojë përshtatjen e të ardhurve të rinj dhe të shfrytëzojë materialin që ka të gatshëm.

Çiro Ferrara nuk ia doli, gjë që ka sjellë skualifikimin që në raundin e parë nga Liga e Kampioneve dhe mega-largësinë nga Interi: 9 pikë, kur mendohet që nuk ka mbaruar akoma faza e parë e kampionatit. Zgjidhja duhet e menjëhershme dhe nëse do të shtyhet për në verë, rrezikon të ndikojë në atë që ka mbetur: Liga e Europës, Kupa e Italisë, deri te kualifikimi direkt në Champions për vitin që vjen. Këto ditë, në selinë e Juventusit ka qarkulluar emri i Felipe Skolarit. Braziliani gëzonte një konsideratë të madhe deri një vit e gjysmë më parë, para se të pranonte të drejtonte Çelsin e Roman Abramoviçit, por përvoja e shkurtër në Londër, nuk dha atë që pritej. Në të vërtet Skolari me skuadrën e bluve ka gabuar gjithçka, duke nisur që nga vendosja në fushë e Didië Drogbasë, i lënë në stol gjatë sezonit, por i rikthyer në fushë falë ardhjes në stol të holandezit Gus Hidink.

Por ia vlen të kujtohet që deri në ato momente, “curriculum”-i i kampionit të Botës me Brazilin në 2002-in, ishte thuajse “bombastik”: 2 Kupa Libertadores të fituara me Gremion e Palmeirasin, 1 titull brazilian gjithnjë me Gremion, para së gjithash “Botërori 2002″ i arritur në drejtimin e kombëtares “Selesao” në Japoni e Kore të Jugut. Ata që i qëndrojnë pranë sigurojnë që për të pasur një tjetër mundësi në Europë, Felipao, qenka i gatshëm të çlirohet menjëherë nga kontrata “bërthamore” që e lidh me uzbekët e Boniodkorit dhe të pranojë një kontratë më të ulët. Fakti që flet si italisht ashtu edhe portugalisht, mund t’ia lehtësojë gjërat. Skolari, ndër të tjera, jo vetëm do të “krijonte” një Juventus spektakolar, por do të ngrinte nga “pluhuri” bashkëkombasit e tij, Melo, Diego e Amauri, që të tre mes përgjegjësve të kësaj Juveje në krizë. Të tre bashkë vlejnë 72 milionë euro, futbollistë që bardhezinjtë duhet patjetër t’i ngrenë nga “gjumi”.