08 dhjetor 2009

Juve, Bufon në dyshim ndaj Bajernit

Portieri bardhezi ndien dhimbje në meniskun e majtë, por nuk dëshiron ta humbasë sfidën vendimtare me Bajernin e Mynihut në Ligën e Kampionëve.
Prej kohësh numri një i “Zonjës” ka pasur probleme me dëmtimet, të cilat shpesh herë e kanë lënë jashtë fushave të lojës. Megjithatë, Bufon nuk dëshiron kurrsesi ta humbasë këtë përballje. Për disa arsye.

Së pari, është rëndësia që ka kjo sfidë. E gjithë ecuria e bardhezinjve varet nga ky takim, që është vendimtar për të përcaktuar ekipin që do të kalojë në fazën tjetër. Tashmë më tepër se kurrë Juventusi ka nevojë për të dhe Xhixhi Bufon nuk do që ta ndjekë ndeshjen nga tribuna.

Arsyeja e dytë ka të bëjë me gjendjen e portierit. Dhimbja në gju u shfaq që gjatë ndeshjes me Interin dhe menisku është më pak problematik për portierët, në krahasim me pozicionet e tjera në fushë. Prandaj, “gardiani” i portës juventine dje ka shtrënguar dhëmbët dhe është stërvitur së bashku me pjesën tjetër të ekipit.
Mjekët e klubit i kanë hapur dritën jeshile për të luajtur që nga minuta e parë dhe Ferrara e ka grumbulluar.

Megjithatë, vendimi përfundimtar do të merret para ndeshjes. Ndërkohë, është vendosur që Bufon të kryejë operacionin menjëherë pas përballjes me bavarezët. E sigurt është mungesa e Xhorxho Kielinit, që nuk është grumbulluar për shkak të një problemi muskulor.