08 dhjetor 2009

Italia prej vitesh një “fabrikë” fantazistësh

Nëse vitet e fundit, të ashtuquajturit “trekuartistë” janë rralluar, nga e kaluara kujtohen shumë të tillë

Mourinjo prej kohësh ankohej dhe i kërkonte presidentit Morati një “trekuartist” ose lojtar fantazist për të plotësuar më së miri mozaikun e një Interi të pathyeshëm, fitimtar në Itali dhe Europë. Me sa duket ardhja e Shnejderit, mund t’ia ketë shuar këtë “etje”. Vetë Lipi, trajneri i “axurrëve” si për të ironizuar, pas fitores me dy autogola të Kalaxes në Gjeorgji, u shpreh se na mungon një “trekuartist”. Italisë në kohëra nuk i ka munguar një profil i tillë, paçka se në të vërtetë është një “racë në zhdukje”. Lipi ka “fatin” të përzgjedhë të paktën dy nga kjo listë e shkurtër, pasi Toti dhe Del Piero ende janë në aktivitet.

Nga dhjetë të mëposhtmit, nëse fantazia do të bëhej realitet, cilin do të përzgjidhnin dy trajnerët e mësipërm.


10. Roberto Mançini

Debutoi në Serinë A, në moshën 16‑vjeçare, me Bolonjën, duke shënuar 9 gola në sezonin e parë. Klasi dhe talenti i tij e zhvendosën tek Sampdoria, përkrah, “vëllait të tij binjak”, Xhianluka Vialit. Ai atje fitoi titullin, por humbi në finalen e Kupës së Kampionëve ndaj Barcelonës. Pika kulmore e tij me gjasë është një gol i habitshëm, me thembër, i shënuar për Lacion ndaj Parmës. Përuroi një prirje të tillë.

9. Xhiankarlo Antonjoni

I njohur si “djaloshi që luan futboll duke vështruar yjet”, Antonjoni shihej si “flamuri i mirëfilltë” i Fiorentinës. Ish-ylli Vjollcë, kishte një stil të ndryshëm, krahasuar me imazhin tradicional të “trekuartistit”, meqë ishte një futbollist shumë më i fuqishëm, por sidoqoftë kishte mjaft dhunti me të dyja këmbët.

8. Xhianfranko Zola

“Askush nuk është profet në dheun e tij”. Nuk ka proverb më të mirë për të përshkruar karrierën e Zolës dhe arritjet e tij. I lënë pas vëmendjes në Itali, sardi i vogël bëri emër të madh në Angli, ku golat e tij të mrekullueshëm kujtohen sot dhe kësaj dite. “Sër Zola” e mësoi artin e punës nga “Madhëria e tij”, Diego Maradona te Napoli, para se të pushtonte kryetitujt e medias dhe mendjet e tifozëve të Çelsit.

7. Françesko Toti

“Er Pupone” me meritë arriti ta quajnë “Mbreti i tetë i Romës”. Pasimet pa parë dhe prekje topi të papritura, të pakuptueshme edhe për kolegët, jo më për kundërshtarët, janë pjesë e “arsenalit” të tij. Nuk do të harrohet një 11‑metërsh, kundër Holandës, në “Euro 2000″, kur e kaloi topin butë mbi kokën e një gjigandi, Edvin Var der Sarit. Gjithnjë besnik i ngjyrave verdhekuqe, ku u lind dhe u rrit, roman dhe romanist i kulluar, ai duke milituar atje me gjasa humbi shumë trofe madhorë me klube, por ama i ka lumturuar përherë tifozët e Romës.

6. Sandro Macola

Një karrierë fantastike, që kulmon me fitoren e fundit të deritanishme të Interit në Kupën apo Ligën e Kampionëve. Atë e thërrisnin, “mustaqelliu”, për shkak të mustaqeve të tij, që e tregonin shumë më të moshuar nga ç’ishte në të vërtet. Sandro me gjasë ishte një prej nr.10 më të plotësuar në futboll, por fatkeqësisht e humbi “Topin e Artë” në ditët e tij më të mira, në të mirë të legjendarit të futbollit, Johan Krojf.

5. Alesandro Del Piero

“Pinturikio” renditet aty përkrah Totit, mes futbollistëve më të mirë të 10-vjeçarit, por krahasuar me romanistin, ai ka fituar më shumë trofe, duke pasur njohje më të gjërë ndërkombëtare. Përherë do të kujtohet besnikëria e tij juventine, kur vendosi të qëndrojë bardhezi me Juven edhe në Serinë B. Veç mbajtësit të rekordeve të shumta me Juven, padyshim është futbollisti më i dashur i tyre.

4. Xhiuzepe Meaca

Mjafton të mendosh se një prej stadiumeve më të lavdishëm të botës, ai i Milanos ose “Skala e futbollit”, mban emrin e tij dhe menjëherë kupton se arritjet ishin mirëfilli të mëdha. Meaca shënoi aq shumë gola për Interin, por i rikthye në një stad të vonshëm në klubin e tij të zemrës, Milanin. Meaca është dy herë kampion bote me Italinë, duke lënë një shenjë të pashlyeshme në historinë e Italisë.

3. Xhiani Rivera

Elegant si askush tjetër “Djaloshi i artë” i futbollit italian, i thirrur kështu, si fituesi i parë italian i “Topit të Artë”, Xhiani Rivera bën pjesë në listën e 20 futbollistëve më të mirë të të gjitha kohërave të botuar nga “IFFHS”. Dueli i tij me Sandro Macolën provoi se Xhiani ishte më i talentuari mes të dyve, por edhe më revolucionari në fushë dhe jashtë saj.

2. Valentino Macola

Prototip i “futbollistit total”, ai ishte shteghapësi i një gjenerate kampionësh, por humbi jetën tragjikisht në katastrofën ajrore të Supergës. Macola ishte aq i zgjuar, inteligjent dhe me aq shumë përvojë, sa mund të luante në çdo pozicion të fushës. Sidoqoftë, ajo që bënte më mirë se gjithçka tjetër ishin dhuntitë e golashënuesit dhe krijimit të golave për të tjerët. Legjenda e “Toros” ishte një fantazist, përkushtuar në rolin e tij.

1. Roberto Baxhio

“Bishtaleci” është një prej atyre futbollistëve, që nuk ke se si të mos e duash. Mirëfilli hyjnor, Robi i Italisë bënte gjithçka, përsosmërisht nga shënimi i golit deri tek asistet e mrekullueshme. Ai i kthente në të mrekullueshme skuadrat, ku luante, duke qenë vetë magjik. Aq sa ngjallte zilinë e trajnerëve dhe shokëve të skuadrës, që përsëri i përkuleshin pamatshmërisë së tij. Një prej yjeve më ndriçimplotë në hyllësinë e futbollit italian.