06 dhjetor 2009

Interi gjunjëzohet, Juvja rihap kampionatin

“Betejën” e Torinos e fiton skuadra e Ferrarës, që i afrohet zikaltërve, të cilët kërcënohen edhe nga Milani

Një “big match” i tensionit të lartë ai i mbrëmshmi në Torino mes Juventusit dhe Interit, por në fund janë bardhezinjtë që fitojnë 2 1 dhe tashmë ndodhen 5 pikë larg kryesuesve. Një fitore “dhuratë” edhe për Milanin, sepse rihap kampionatin, pasi kuqezinjtë mundën dje Sampdorian 3 0 dhe janë 4 pikë larg “kushërinjve” dhe 1 pikë më shumë se “Zonja”. Dhe ishin pikërisht vendësit që zhbllokuan rezultatin me një gol rokambolesk të Melos falë edhe pasigurisë së portierit Hulio Sezar, por pas gjashtë minutash Eto, i lënë i vetëm në zonë barazon me kokë. Pjesa e dytë, përveç golit të bukur të Markizios (driblon bukur dhe shënon), ka qenë me episode të shumta: kartonë të verdhë e të kuq, grindje mes lojtarëve ku u përfshi edhe Bufoni. Melo ndëshkohet me karton të kuq. Por Juvja reziston deri në fund.
Kampionati italian rihapet në fazën më interesante të tij, madje brenda pak orësh, gjithçka është përmbysur në dëm të kampionëve të Italisë. Po, sepse nuk mjaftoi vetëm fitorja e Milanit ndaj Sampdorias në “San Siro” (3-0), që ndodhet vetëm katër “hapa” larg kreut, por tashmë Interi duhet t’i bëjë llogaritë edhe me Juven, e cila fitoi në takimin direkt dhe është 5 pikë larg. Një goditje e rëndë brenda një mbrëmjeje, e cila i ka pasur të gjitha në “Olimpiko” të Torinos. Që nga golat, te kartonët e verdhë, ai i kuq, koret anti-Baloteli, ndërhyrjet e ashpra e deri te grindjet masive mes lojtarëve, ku protagonist u bë edhe Bufoni, ndoshta për herë të parë në karrierë. Por në fund, është Juventusi ai që feston dhe që vazhdon të jetë ende në garë për luftën për titull dhe nga ana tjetër është Interi, që ndihet i kërcënuar nga aksi Milano-Torino. Një “binom” i frikshëm që do ta shoqërojë Mourinjon deri në fund të sezonit. Një Mourinjo në versionin “rebel” mbrëmë, kur nxirret jashtë nga gjyqtari pas protestave të kota për golin e Melos (mëse i rregullt). Por jo vetëm kaq. Baloteli është vërshëllyer sërish nga tifozët bardhezinj dhe tensioni, që kishte u manifestua në gabimet që bënte kur prekte topin me këmbë. Por sfida ka pasur edhe heroin e saj, Klaudio Markizio, ndoshta më i miri në fushë, që i dha “Zonjës” fitoren dhe rihapi një kampionat, që një javë më parë u duk se po “vritej” nga Interi.

Trajneri - Ferrara në delir: Juvja ishte e madhe
Çiro Ferrara është i lumtur pas fitores ndaj Interit. Trajneri i Juves thotë: “Isha shumë i qetë: gjatë javës as që pata nevojë ta përgatisja ndeshjen. Djemtë ishin shumë të motivuar dhe të përqendruar, me dëshirë për të mundur kampionët e Italisë. E merituam të fitonim, tani duhet të mendojmë për Bajernin”. Trajneri juventin më tej lavdëron njerin e ndeshjes, Klaudio Markizio: “Është një djalë modest, është serioz: luajti një ndeshje të shkëlqyer dhe shënoi një gol të jashtëzakonshëm. I zoti ishte edhe Kaseres, që po përfshihet mirë në mekanizmat e skuadrës”.

Interi - Hoze Mourinjo largohet me kokën ulur
Interi nuk e ka marrë mirë humbjen ndaj Juventusit. Hoze Mourinjo është ngjitur menjëherë në autobus, me fytyrën e nxirë dhe nuk ka dhënë asnjë deklaratë pas ndeshjes. Të njëjtën gjë ka bërë edhe zëvendëstrajneri zikaltër, Bepe Barezi. Trajneri i Interit ishte shumë i mërzitur për nxjerrjen e tij jashtë loje dhe për 11 metërshin e kërkuar nga zikaltrit për një faull ndaj Militos në pjesën e dytë. Portugezi e ka ndjekur ndeshjen nga një kënd që ndodhej shumë afër fushës së bashku me një bashkëpunëtor, i cili komunikonte direkt me Bepe Barezin për këshillat dhe zëvendësimet.