26 dhjetor 2009

Hyseni, drejt Iranit

Sulmuesi prishtinas, Berat Hyseni ka gjasa të mëdha që karrierën ta vazhdojë në elitën e futbollit iranian. Për anëtarin e ekipit durrsak Teuta, interesim ka shprehur skuadra nga Irani Steel Azin.
Këtë lajmë e ka konfirmuar vetë Hyseni. Ai tregoi se menaxheri i tij është duke e shqyrtuar me kujdes ofertën e klubit iranian. Ish sulmuesi i FC Prishtinës dhe Flamurtarit në fillim të muajit janar pritet të vendosë për të ardhmen.
Menaxheri i Hysenit, në kontakt me drejtuesit e klubit iranian, ka rënë nëpërmjet
mbrojtësit kosovar me pasaportë kroate Lekë Kçira, i cili tash e disa muaj është pjesë e klubit Steel Azin.
“Në Steel Azin tash e tre muaj luan ish bashkëlojtari im që kisha te Tirana, Lekë Kçira. Kur shkova për të luajtur në Teutë të Durrësit, unë e njoftova Lekën nëpërmjet telefonit se kam nënshkruar kontratë me Teutën. Më pas Leka ka kontaktuar me menaxherin tim, të cilit ia ka kërkuar një video-incizim timin për t’ua treguar drejtuesve të klubit të tij. Tani menaxheri im është duke biseduar me drejtuesit e atij klubi”, deklaroi Hyseni për g.j.
“Menaxheri më ka njoftuar se bëhet fjalë për një ofertë serioze, të cilën është duke e shqyrtuar me kujdes. Kam disa ditë në dispozicion deri marrjen e një vendimi dhe mund të them se ka gjasa të mëdha që të kaloj në këtë klub gjatë afatit kalimtar dimëror”, theksoi ish futbollisti i Flamurtarit dhe i Prishtinës.
Përveç klubit iranian, Hyseni pohoi se edhe disa skuadra tjera të elitës së futbollit të Shqipërisë kanë zgjuar interesim për të. Hyseni është transferuar nga FC Prishtina në Teutën e Durrësit gjatë afatit kalimtar të verës, në të cilin klub ai po ka minutazh të madhe.
“Në shumicën e ndeshjeve me Teutën po luaj plotë 90 minuta. Prej se kam shkuar atje e kam shënuar vetëm një gol. Nuk kam mundur të shënoj më shumë, sepse trajneri nuk po më vendos të luaj në vijën e parë të sulmit, por prapa sulmuesve në krahun e djathtë. Pra, si mesfushor ofanziv. Ai është i kënaqur me atë punë që po e kryej në atë pozitë, sepse po asistoj për sulmuesit”, pohoi Hyseni i cili ka ardhur në Prishtinë për t’i festuar festat e fundvitit.