02 dhjetor 2009

Huntelar: Mos më krahasoni me Van Bastenin

Sulmuesi hollandez ka shprehur entuziazmin e tij pas dygolëshit të rëndësishëm kundër Katanias
T’i afrohesh është si të bësh shaka me zjarrin, sepse është bukur, por edhe mund të digjesh. Dhe Klas-Jan Huntelar nuk është nga ata që digjen. “Goli i dytë që ka shënuar kundër Katanias ka qenë shumë i bukur. Kam parë që portieri kishte dalë nga porta dhe kam provuar të gjuaj.
Ka dalë me të vërtet një gol i bukur, por nuk duhet ta krahasoni këtë me golat e shënuar nga Van Basten. Ai është një gjë tjetër dhe tek Milani ka shkruar historinë. Nuk mund të krahasohem me të”. Eshtë shpejt për krahasime të tille, madje e rrezikshme. Dhe Klas-Jan është një djalë i kujdesshëm.
KARAKTER - “Më në fund”. Kjo ka qenë fjala e parë që Huntelar ka thënë në çdo telefonatë që ka marrë. Dhe ato kanë qenë të shumta nga miqtë hollandezë. “Unë nuk kam patur asnjëherë dyshime tek ai”, ka thënë David Ent, drejtori i përgjithshëm i Ajaksit. “Klas-Jan duket i turpshëm, por ka karakterin e një luani”. Një karakter që e ka ruajtur gjatë këtyre javëve të mbushura me skepticizëm.
ZERA - “Huntelar nuk ka menduar asnjëherë të largohet nga Milano”, ka thënë menaxheri i tij. “Nuk ka patur asnjë dyshim tek cilësitë e tij dhe tek mundësia për të gjetur një vend tek Milani”. Ndoshta, por rruga është akoma e gjatë dhe Huntelar modesti këtë e di shumë mirë. “Kjo është një pikënisje për mua. Jam i kënaqur për mënyrën sesi është sjellë skuadra me mua dhe për mbështetjen e tifozëve. Përqafimi i shokëve të ekipit ka qenë emocionues”. Edhe për një lojtar, që duket i ftohtë dhe i tërhequr, por që është i ndjeshëm dhe që në këto muaj ka jetuar nën një presion të madh.
SHENJA TE VEÇANTA - Klas-Jan ka lindur në Drempt, një fshat me 1 mijë banorë në zemër të Hollandës; Amsterdami është vetëm 124 kilometra larg, por është një botë tjetër. Tek Ajaksi të gjithë e vlerësonin shumë, sepse fliste edhe për të tjerët. Midis shokëve të tij më të mirë është edhe portieri Stekelenburg, midis idhujve Filipo Inzagi. Van Basten bën pjesë vetëm si ikonë, një lloj Mik Xheger i futbollit, sepse është shumë lart për të gjithë. “Çfarë kanë të përbashkët Klas-Jan Huntelar dhe Van Basten?
Golin”, ka thënë shkurt menaxheri i tij Osterver. Dhe Ent ka shpjeguar: “Klas ka një teknikë të veçantë për të shënuar. Nuk duhet të mendojë për të ndihmuar skuadrën larg zonës së rreptësisë. Si altruist që është do të bënte gjithçka që do ta ndihmonte ekipin. Por kjo nuk është ajo që duhet”. Ai duhet lënë në zonën kundërshtare, dhe më pas do të shikohen rezultatet, në Hollandë bëjnë të ditur se, në zonën e rreptësisë, Klas-Jan është një nga pesë më të mirët në botë.
PERSHTATJA - Atëherë ajo që i duhet është të shënojë siç ka bërë kundër Katanias dhe Leonardo e di mirë sesa shumë mund të japë ai për Milanin. “Eshtë një lojtar, që ka shënuar gjithmonë, e dija se do të vinte edhe momenti i tij, por ajo që ka ndodhur në Katania ka qenë shumë e bukur”. Dhe Sedorf: “Një sulmuesi i duhen golat për moralin. Jam shumë i lumtur për Klas-Janin”.
Huntelar ka një marrëdhënie të mirë me Sedorfin dhe me Flamininë për shkak të gjuhës. Flasin anglisht, dhe me ish-lojtarin e Arsenalit, francezin Flamini Huntelar ka kaluar shumë kohë para se familja e tij të bashkohej me të. “Ka qenë e vështirë të gjeja shtëpinë e duhur, por tani gjithçka është në rregull”, ka thënë sulmuesi hollandez.