07 dhjetor 2009

Hjuxhs: Shei Givën, heroi i Sitit

Trajneri i Mançester Sitit pranon: Penalltia, që iu prit Lampardit na dha fitoren
Mark Hjuxhs, trajneri i Mançester Sitit, ka thënë se pritja e penalltisë nga portieri Shei Given, që i dha fitoren Mançester Sitit me rezultatin 2-1 kundër Çelsit, mund të jetë pika e kthesës e sezonit. Portieri irlandez priti penalltinë e Frenk Lampardit duke bërë që golat e shënuar nga Emanuel Adebajor dhe Karlos Tevez të shfuqizonin golin e parë të Çelsit, të shënuar po në portën e tij nga Adebajor. Kjo ishte fitorja e parë e Sitit pas shtatë barazimesh radhazi, ndërkohë që diferencea mes Çelsit kryesues dhe ndjekësve u shkurtua në vetëm dy pikë. Tani është hapur mundësia, sado e vogël, që edhe Siti të ketë më shumë shpresa për ndonjë vend në krye të renditjes. Java që shkoi ishte mjaft e mirë për Hjuxhsin, skuadra e të cilit u kualifikua për në gjysmëfinale të Kupës së Ligës pasi mundi Arsenalin. Në lidhje me penalltinë e pritur nga Given, Hjuxhs ka thënë: “Penalltia e pritur ka domethënie të madhe. Ishte një pritje fantastike. Ka shumë gjëra që nuk pret t’i shohësh dhe dihet që nuk e prisnim që Frenk Lampardi ta humbte atë penallti.” Ish-sulmuesi i Junajtid, Çelsit dhe Uellsit, tani trajner i Sitit, ka shtuar: “Ne u përpoqëm shumë gjatë gjithë javës për t’u përgatitur për këtë ndeshje. Nuk mund të jesh skuadër pretendente nëse nuk ke mundur rivalët e mëdhenj në Premier Ligë. Nëse ia marrim dorën si t’i mundim edhe skuadrat më të vogla, do të jemi më mirë.” Tashmë Siti është në vend të gjashtë, me 11 pikë më pak se Çelsi. Hjuxhs ka thënë: “Arsenali dhe Çelsi janë rivalët tanë dhe duhet t’i mundim. Ne synojmë t’i arrijmë dhe më pas t’i kalojmë, por për momentin jemi vetëm sfidues, duke ua vështirësuar punën atyre.” Hjuxhs ka refuzuar ta fusë Sitin në mesin e skuadrave pretendente për titull. “Ne nuk jemi duke thënë se do të fitojmë titullin. Ne po përpiqemi të ecim më tej. Nuk duhet të harrojmë se kjo skuadër para një viti luftonte për mbijetesë. Kemi shpenzuar shumë parà, është e vërtetë, por ne po përpiqemi të përmirësohemi në krahasim me sezonet e shkuara.” Hjuxhs ka lavdëruar edhe Tevezin, një ish-sulmues i Junajtid, që luajti mirë në këtë ndeshje pasi ka lënë pas problemet me dëmtimet. “Ai ishte fantastik”, tha Hjuxhs për Tevezin, i cili mposhti portierin Çeh me një gjuajtje të lirë në minutën e 56-të. “Ai po kthehet tani fizikisht në nivelin e duhur”, ka shtuar trajneri i Sitit.