09 dhjetor 2009

Gaz për Botëror

Albert Bunjaku thotë se do të bëjë ç’është e mundur, për ta siguruar një vend në kontingjentin zviceran, i cili do të udhëtojë drejt Afrikës së Jugut, në Kampionatin Botëror 2010.
Sulmuesi kosovar, me pasaportë zvicerane po shkëlqen këtë sezon me skuadrën e tij, Nurnberg, por e pranon se do të jetë e vështirë, për të arritur deri tek ëndrra e tij – Afrika e Jugut
“Afrika e Jugut është e rëndësishme për mua. Duhet ta tregoj veten çdo ditë me klubin tim. Nuk duhet harruar se jo shumë kohë më parë, unë po vija nga liga e tretë gjermane. Është mjaft e vështirë dhe ende nuk e di sigurt nëse do të jem në Kupën e Botës. Do të mundohem ta arrij këtë objektiv, do të ishte një ëndërr për mua”, u shpreh sulmuesi kosovar për uebfaqen gjermane, br-online.de.
25 vjeçari ka treguar se ndiqet me kujdes nga Ottmar Hitzfeld, i cili i kishte dërguar mesazh telefonik, pas dy golave të shënuar kundër Wolfsburg.“Ottmar Hitzfeld më ka përgëzuar pas fitores me Wolfsburg, për lojën e mirë të ekipit dhe për paraqitjen time të mirë. Unë do të mbetem me këmbë në tokë, ky është të paktën tipi im”, vazhdoi përfaqësuesi zviceran.
Bunjaku u ndie i zhgënjyer pas humbjes së thellë nga Borussia Dortmund. “Kemi luajtur mjaft dobët. Por, nëse e lëmë anash këtë humbje dhe shikojmë përpara, kemi mundësi që të rrëmbejmë pikë të reja”, deklaroi në fund sulmuesi kosovar.