08 dhjetor 2009

Gatuzo “urdhëron”: Dua të luaj për Botërorin

Mesfushori italian është rikthyer të flasë për situatën e tij tek klubi kuqezi dhe kërcënon me largim
Po kthehet në një telenovelë të vërtetë çështja Milan-Gatuzo. Pas deklaratave të mesfushorit kuqezi, i cili i ka bërë të ditur klubit se dëshiron të largohet, për shkak se nuk ndihet pjesë aktive e projektit të Leonardos dhe pas takimit me Galianin, gjatë të cilit është vendosur që diskutimi në lidhje me të ardhmen e tij do të bëhet për Krishtlindje, situata është “nxehur” pak nga fjalët e vetë Galianit (”Milani nuk është një hotel”), që më pas janë përgënjeshtruar pjesërisht pas fitores kundër Sampdorias.
Mesfushori nga Skiavonea, ka komentuar në këtë mënyrë situatën: “Do të takohem me drejtuesit e Milanit para Krishtlindjeve. Me klubin nuk ka ndodhur asnjë çarje. Fjalët e Galianit? Ka qenë vetëm një batutë, e di mirë se Milani nuk është një hotel, unë shkoj në Milanelo në 9.00 të mëngjesit dhe largohem në pesë të mbasdites”. Një batutë që, duke iu bashkuar një tjetre që Rino ka bërë ditën e diel në momentin kur i ka dorëzuar Galianit fanellën e skuadrës së qytetit të tij (”Të paktën në këtë mënyrë Galiani e di që kam një vend ku mund të luaj”) tregon se situata nuk është shumë e qetë.
Lojtari, ndërkohë, nuk do të jetë pjesë e skuadrës në transfertën e Championsit në Zyrih dhe ka shumë mundësi që të mungojë edhe në ndeshjen e ardhshme në kampionat kundër Palermos në “San Siro”. Dhe në janar, me kalimin e Bekhamit tek kuqezinjtë, konkurrenca për një vend në formacion do të jetë më e fortë. Ndërkohë, vazhdon të interesohet për të Mançester Siti.
Një konkurencë që, sipas Gatuzos (por fjalët e tij nuk i kanë pëlqyer Lipit, që shumë lojtarëve u ka thënë se për të patur një mundësi për të marrë pjesë në botëror duhet të luajnë), nuk do të ndikojë në përfshirjen e tij tek përfaqësuesja e Italisë për botërorrin afrikanojugor: “Me Lipin flas shpesh dhe iu garantoj se pakënaqësitë e mia tek Milani nuk kanë lidhje me Botërorin: kombëtarja nuk hyn në këtë mes, edhe nëse nuk do të luaja me vazhdimësi, trajneri më ka thënë se nuk do të ketë asnjë problem. Gjithsesi unë dua të shkoj në Botëror dhe për ta bërë këtë duhet të luaj”, ka thënë Gatuzo.