18 dhjetor 2009

Galiani: Ja si e binda Gatuzon të qëndrojë

Drejtuesi tregon bisedimet e fundit: Një foto, kujtim i shumë sukseseve. Të pakënaqur ka kudo
I frymëzuar ndoshta nga ndonjë pikturë surealiste, Adriano Galiani ka vendosur të zëvendësojë një foto me fytyrën e tij. Kur Rino Gatuzo u paraqit në studion e tij i bindur për t’u larguar, administratori i deleguar i Milanit i tregoi, ose më saktë i zbuloi pamjen e një fotoje të bërë pas ndeshjes Milan-Lion 3-1 në Champions vite më parë. “Ai fliste dhe unë iu përgjigja me foton përpara fytyrës. Në fund filloi të qeshë dhe nënshkroi menjëherë kontratën e re”.
TË PAKËNAQUR - Ajo fotografi, me të dy që festojnë thuajse të përqafuar në fushën e “San Siros”, është tani e vendosur mes kujtimeve të “Milan 110 me yll” në pallatin “Valseki” dhe Galiani thotë të mos shqetësohet nga radha e të pakënaqurve të “revolucionit” Leonardo. “Ëndrra e çdo administratori është të paguajë 11 rroga dhe të luajë me 11-të të zakonshmit, kështu do të kursente shumë, - bën shaka Galiani. - Por nuk mund të bëhet. Duhet dy lojtarë për rol, me gjithë këta të dëmtuar në këtë futboll të shpejtë dhe fizik, ndoshta duhen tre për rol. Dhe do të ketë gjithnjë të pakënqur nga që nuk luajnë”.
KONTROLL I MBYLLUR - Është e natyrshme ama që të mendojë t’i ketë gjithnjë në krah djemtë e tij “të vjetër”. “Me gjithë respektin për Parmën, nuk mund ta lëmë të largohet Inzagin në Emilia”. Është një tjetër nga “të pavdekshmit” siç i quan ai, që e ka të ardhmen të sigurt, duke ndaluar merkaton në hyrje dhe në dalje. Galiani përsërit se ka ide për sezonin e ardhshëm, por në janar do të vijnë Adiah (”që është një sulmues anësor”) dhe Bekham. Për sa i takon linjës së “re”, Galiani përgjigjet mbi rikthimin e vonuar nga huazimet të Antoninit e Abates: “Në ato role kishim Stamin, Serzhinjon e Kafunë. Tre të mëdhenj”, - nënvizon.
RIVAL I SHTRENJTË - Drejtuesi kuqezi më tej kthehet te çështja e shortit të sotëm të Championsit: “Mjaft folëm për Çelsin. E ndjeja që do të luanim kundër Kakàsë dhe nuk dua të vazhdoj të flas për Ançelotin, sepse përndryshe do të përballemi edhe ndaj tij. Nuk kam frikë nga Çelsi, kam frikë nga Ançeloti në kuptimin që e dua shumë dhe nuk dua ta shoh në stolin kundërshtar.
Është një fakt ndjesie, jo teknik. Nëse do të drejtonte Seviljen, do të thoja që nuk e dua Seviljen”. Në fund, Galiani kthehet pak në retrospektivë: “Blerjet tona më të mira? Van Basten e Kakà. Po bëj një krahasim çmim-cilësi: Marko u ble 1 miliard e 800 milionë lireta dhe fitoi tre “Topa të artë”. Dhe Kakà u ble 7 milionë euro”. Kohë të shkuara. Blerje të tilla s’bëhen më.