22 dhjetor 2009

Francë, të gjithë kundër Bordosë…

Sot dhe nesër luhet java e 18-të në Ligën 1. Marseja, Lila dhe Lioni ndjekin kampionët në “arrati”
Bordoja, kampione e Francës në fuqi, kryeson kampionatin me tetë pikë avantazh, por sipas trajnerit, Loren Blank, “zhirondinët” kanë ende për të dhënë. Nesër, Bordoja do të udhëtojë për në fushën e Tuluzës, pasi ka fituar në pesë ndeshjet e fundit të Ligës 1. “Skuadra ka ende vend për t’u përmirësuar, - tha trajneri i Bordosë, Loren Blank. - Akoma nuk e kemi arritur kulmin tonë.” Bordoja, që nuk do të ketë në dispozicion të skualifikuarin Alu Diarra, kryeson kampionatin me 40 pikë, pas 18 ndeshjesh.
Marseja e vendit të dytë ka luajtur një ndeshje më pak dhe është tetë pikë prapa. Këtë javë, mesdhetarët do të ndeshen me Okserin. “Bordo po mban një ritëm të jashtëzakonshëm, - tha trajneri i Marsejës, Didië Deshamp. - Nëse vazhdojnë kështu, do ta kemi të vështirë t’i arrijmë.” Që kur është futur në funksion sistemi i tri pikëve për fitore, në sezonin 1994-95, asnjë ekip nuk ka kryesuar me tetë pikë avantazh në fund të fazës së parë. Deri tani më mirë ka bërë vetëm Parisi në vitin 1996 kur kryesonte me shtatë pikë ndaj Okserit në fund të dhjetorit, por atëherë Okseri fitoi titullin në maj.
Sivjet, Bordoja është pretendente edhe në Ligën e Kampioneve, ku mund të arrijë në çerekfinale, nëse fiton ndaj Olimpiakosit. Sekreti i “zhirondinëve” qëndron në faktin se në 11-të ndeshjet e kampionatit dhe në katër të Championsit, nuk kanë pësuar gol.
“Po mbrohemi mirë, - tha ish-qendërmbrojtësi i Francës, Loren Blank. - Në fillim të sezonit shënonim shumë, por edhe pësonim shumë. Tani që jemi përmirësuar në mbrojtje po vijnë edhe rezultatet.” Marseja ka nevojë për një fitore ndaj Okserit për të mbajtur gjallë shpresat e fundit. “Ndeshja me Okserin ka prioritet absolut, - tha presidenti Zhan-Klod Dazier.
- Duhet të fitojmë me çdo kusht. Në këtë mënyrë do t’i afroheshim Bordosë, me tri pikët e ndeshjes së prapambetur ndaj Soshosë. Pastaj, më 17 janar do të luajmë kundër Bordosë.” Okseri fitoi shtatë ndeshje radhazi dhe u ngjit në krye të renditjes në muajin nëntor, por në pesë ndeshjet e fundit ata kanë shënuar vetëm dy gola. Lila, që është ngjitur në vendin e tretë, ka hedhur kandidaturën për një vend në Ligën e Kampioneve, sezonin e ardhshëm.
“Kemi pasur një ecuri të shkëlqyer dhe shpresoj ta vazhdojmë në Nensi,” - tha trajneri i Lilës, Rudi Garisa. Pas një fillimi me probleme, skuadra nga Veriu i Francës mund të krenohet me sulmin më të fortë në Ligën 1. Ata kanë shënuar gjithsej 33 gola, 19 prej të cilëve në pesë ndeshjet e fundit. Dyshja sulmuese Zhervinjo-Frau ka shënuar sëbashku 17 gola.
“Kundërshtarët tanë e dinë se ne mund të shënojmë në çdo moment dhe kjo është arma psikollogjike, që ne kemi,” - tha Garisa. Lioni, që u kontestua nga tifozët e tij, pavarësisht nga fitorja 2-0 ndaj Bulonjes do të presë Montpelien, me të cilën ka kuotë të barabartë pikësh. “Të mërkurën duhet të fitojmë me çdo kusht në ndeshjen e fundit të vitit, - tha trajneri i Lionit, Klod Pyel. - Duhet të luajmë futbollin më të mirë të mundshëm, si dhuratë për tifozët tanë.” Lioni ka fituar vetëm një nga shtatë ndeshjet e fundit të kampionatit.