19 dhjetor 2009

FLESH LAJME - te cilat kane te bejne Futbollin, Futbollistet Shqipetare

Pse Cana s’duhet të jetë kapiten i Sunderlandit

Trajneri i Sunderland, Stiv Brus, u nis për jashtë Anglie, pa dyshim për një nga pjesët më të mprehta të transferimit të verës, kur ai kishte në fokus shqiptarin Lorik Cana, për disa vite lojtar dhe kapiten i Olimpikut të Marsejës. Të njëjtin status i rezervoi Brus edhe tek Sunderlandi shqiptarit, duke i dhënë shiritin e kapitenit. Por tashmë ky vendim i Brus, për ta bërë shqiptarin kapiten të skuadrës së tij, po vihet në pikëpyetje, ngaqë historia e tij disiplinore kërcënon të minojë punën mbresëlënëse të Sunderlandit në këtë kampionat. Në total, tetë kartonë të verdhë deri më tani, kanë sjellë tashmë dy ndeshje pezullim për këtë sezon të Canës, ndërsa Stiv Brus këmbëngul se nuk do të përpiqet për ta frenuar qëndrimin dhe lojën e ashpër të kapitenit te vet. Por, në njçfarë mënyre është e qartë se menaxherit të Sunderlandit i duhet të gjejë një kompromis të pranueshëm me lojtarin, që ta mbajë kapitenin e tij të pandëshkuar nga arbitrat.
Cana ishte një lojtar i egër edhe 16 vjec, qysh kur menaxheri i Arsenalit, Arsen Venger, dëshiroi ta merrte shqiptarin në Londër, por kjo gjë nuk u bë realitet për shkak të problemeve me lejen e punës. Por, ajo cka është e lehtë për t’u pare, Arsen Venger vazhdon t’i admirojë cilësitë e Canës, pasi, sipas teknikut francez të Arsenalit, ai ka ngjashmëri të veçanta të stilit agresiv të Patrik Vierasë, i sigurt të luajë edhe në qoftë se ka probleme fizike apo dëmtimi. Dhe nuk ka asnjë dyshim që Cana është i sinqertë, luan me vendosmëri, si një luan. Kjo mënyrë loje e shqiptarit mbart të gjitha shenjat dalluese të Vierasë, bashkë me tendencën për të luajtur vazhdimisht gjer në skajet e rregullave të futbollit. Tani, si i vetmi lojtar që mund të krahasohet me Vieranë në “Premier League”, sfida e Canës është reduktimi i kartonëve, që i merr “pa doganë”. Pra, duhet të përkushtohet tërësisht në revizionimin e stilit të lojës, që të mos vijojë të jetë një “dele e zezë” për gjyqtarët. Reputacioni tani i paraprin atij, por zyrtarët e futbollit anglez janë duke i kushtuar vëmendje të veçantë lojës së tij. Për të qenë i sinqertë, Sunderlandi mund ta humbasë kur nuk e pret këtë lojtar, për një ndeshje. Unë nuk besoj se shqiptari është një lojtar i ndyrë, ose me qëllime të këqija në futboll, por nuk ka dyshim se ka shumë pak gjëra, që nuk i demonstron, për ta kundruar si një lojtar mizor, në prag të vijës ndarëse midis lojës legjitime dhe asaj që urrehet sot në futboll.
Kohët e fundit kam parë kundërshtarë që e sulmojnë Sunderlandin pikërisht në një pikë: ta ndëshkojnë kapitenin Cana me një karton të verdhë, sepse vetëm kështu ai mund të sfidohet. Ata e dinë se është fare kollaj që shqiptarin ta fusin në telashe me arbitrin. Por Cana duhet të mos jetë “viktimë” e tillë, për vete dhe për Sunderlandin. Pasi, në një kuptim më të mire, pasojat dhe sfidat e tij janë shumë të diskutueshme, nëse ai do që të jetë një kapiten efektiv. Shumë shpesh ai e ka thuajse të prenotuar katonin, cka e lë thuajse pushim nga puna pjesën tjetër të ndeshjes. Sepse një i dytë brenda 90 minutave do të thotë karton i kuq. Lënia e ekipit për të luajtur me dhjetë lojtarë nga kapiteni nuk është aspak e mirë, përkundrazi, është dicka që duhet zhdukur, pasi përballimi i “Premier League” s’mund të kalojë përmes pezullimit të shpeshtë të lojtarëve. Cana ka qenë një zbulim për këtë sezon dhe kjo nuk vihet në diskutim. Me siguri që është lojtari i Sunderlandit në këtë sezon, por ama Cana duhet të mësojë se, ngaqë është edhe kapiten, duhet të tregojë më shumë disiplinë dhe përgjegjësi.

Java e 16-të: Dinamo në Peqin, Tirana pret Apoloninë

Kalendar i ngjeshur i superligës, me ndeshje në fundjavë dhe mesjavë. Dhe po t’i shtosh këtij fakti terrenet e rënduara, të baltosura, kupton se skuadrave u duhet të përballojnë një ngarkesë të madhe fiziko-psikologjike. Në këtë drejtim, kush është më i përgatituri, do të triumfojë. Të enjten u luajt ndeshja e fundit e javës së 15-të, në Kavajë, mes Besës dhe Tiranës, ndërkohë që në derë po troket java e 16-të. Pikërisht me tri ndeshjet e para, që do të luhen të shtunën, ndërsa tri të tjerat do të zhvillohen të dielën. Skuadra kryesuese, Dinamo, do të luajë të shtunën në Peqin, në një transfertë të vështirë, ku Shkumbini do të kërkojë medoemos fitoren. Duke qenë se vjen pas një humbjeje të thellë në Krujë, 4-1, javën paraardhëse, cka i kushtoi shkarkimin tërë stafit drejtues, Shkumbini do të tentojë me të gjitha forcat rehabilitimin para tifozëve të vet. Duke qenë se ka përballë Dinamon, natyrisht që oreksi vjen e shtohet në radhët e peqinasve. Sepse, ky kampionat ka krijuar një tjetër garë brenda vetes: kush mund Dinamon. Nëse deri në javën e 16-të, asnjë prej skuadrave nuk e ka mundur dot kryesuesen, do të jetë Shkumbini, ai që do të synojë të bëhet “lumë“ i pakalueshëm për blutë kryeqytetas. Sidoqoftë, Dinamo nuk shkon për shëtitje në Peqin, edhe pse ka komoditetin e 14 pikëve diferencë nga ndjekësja më e afërt, Besa. Detyrë primare për skuadrën e Mucës është të mos humbë, pasi në vetvete blutë synojnë ta fitojnë këtë titull pa asnjë humbje.
Po të shtunën, një ndeshje derbi do të luhet në Lac. Skuadra vendase do të presë Kastriotin e Krujës. Kurbinasit vijnë pas humbjes 2-0 në Fier, javën e kaluar, ndaj do të synojnë patjetër 3 pikët, por jo pa ambicie do të jenë edhe krutanët. Cka do të thotë se parashikohet një ndeshje e luftuar fort dhe e hapur.
Në Vlorë, Flamurtari i vendit të fundit do të presë Gramozin e Ersekës, i cili e eliminoi nga Kupa e Shqipërisë skuadrën kuqezi. Në drejtimin e kolonjarëve është nja vlonjat, Agim Canaj, i cili e njeh mjaft mirë Flamurtarin, për pasojë do të jetë në gjendje të ndërtojë edhe strategjinë fituese. Nga ana e vet, Flamurtari po kalon momente tepër të vështira, pasi prej javësh mbyll tabelën e klasifikimit. Presidenti Gjika ka votëbesuar trajnerin Magani, ecuria e të cilit në krye të skuadrës vlonjate ka qenë mjaft negative.
Të dielën do të luhen edhe tri ndeshje të tjera të kësaj jave, ku spikat ajo mes skuadrave “fqinje“ në renditje, Apolonisë së vendit të tretë dhe Tiranës së vendit të katërt. Të dyja këto skuadra i ndan një pikë, ndaj ballafaqimi i tyre në “Qemal Stafa“ ka shumë për të sqaruar.
Në Shkodër, Vllaznia do të presë Teutën e Durrësit, në përpjekjet e saj të dëshpëruara për të dalë nga tuneli ku e ka parë veten gjatë tërë këtij kampionati. Ballafaqimet mes këtyre dy skuadrave kanë qenë gjithnjë të paparashikueshme, për vetë faktin se “djemtë e detit“ kanë ditur të fitojnë edhe në “Loro Borici“, jo vetëm në Durrës, ku janë triumfatorë të rregullt.
Në skajin tjetër, atë juglindor, të dielën do të luhet sfida Skënderbeu-Besa. Në stadiumin e Korcës, kuqebardhët kanë një rrugë, të marrin 3 pikët, pasi javët e fundit kanë qenë jo pak debitorë. Situatë të cilën nuk duhet ta lënë të agravohet, pasi fundi i renditjes është fare afër. Në anën tjetër, Besa e pretendimeve të mëdha, do të jetë e detyruar të përballojë vendasit, me një alternativë, fitoren, ndoshta përmes një taktike të zgjedhur nga trajneri Duro, kundërsulmi, për ta goditur skuadrën vendase në momentet e hedhjes së saj në sulm.
Të shtunën, gjithashtu, do të zhvillohet edhe java e 15-të e kategorisë së parë, ku bie në sy kryesfida e dy kryesuesve në Ballsh, mes Bylisit dhe Elbasanit. Në mënyrë telegrafike, më poshtë po paraqesim edhe pasqyrën e plotë të ndeshjeve të kësaj jave për të dyja kategoritë, superliga dhe kategoria e parë:

KATEGORIA SUPERIORE Java 16-të (19.12.2009)

FLAMURTARI-GRAMOZI (13.30)
LACI-KASTRIOTI (13.30)
SHKUMBINI-DINAMO (13.30)

(20.12.2009)

TIRANA-APOLONIA
SKËNDERBEU-BESA
VLLAZNIA-TEUTA

KATEGORIA E PARE JAVA e 15-të (19.12.2009)

SKRAPARI-PARTIZANI
B.SPORT-BURRELI
SOPOTI-MEMALIAJ
BYLIS-ELBASANI
LUFTETARI-GRAMSHI
BESELIDHJA-LUSHNJA
ADA-POGRADECI
TURBINA-KAMZA

Meto & Brkiç: Me Tiranën, ashtu si në Fier

Autorët e golave në fazën e parë ndaj kampionëve kërkojnë të shënojnë edhe në transfertë
“Tirana nuk duhet ekzagjeruar, por duhet trajtuar si kampione në fuqi. Apolonia është një skuadër që këtë kampionat i ka vlerësuar seriozisht të gjitha ndeshjet, por pa hiperbolizuar njërën apo neglizhuar tjetrën,” ‑ shprehet mesfushori i Apolonisë, Agim Meto, në lidhje me transfertën që skuadra e tij do të zhvillojë këtë javë kundër Tiranës. Dy skuadra që janë vënë në ndjekje të njëra‑tjetrës, ku Apolonia ka një pikë më shumë se kampionët, përbëjnë një nga çiftet më interesante të javës XVI të superligës shqiptare. Pasi kanë fituar me Laçin në mesjavë, fierakët duan të vazhdojnë ta ruajnë vendin e tretë në renditje, duke mos u lejuar bardhebluve fitoren.
Ekipi fierak ka arritur fazën e parë një fitore të merituar ndaj Tiranës, duke e dominuar lojën në të gjitha drejtimet. Kanë qenë Meto dhe Brkiç ata që kanë nënshkruar fitoren e bardhejeshilëve dhe janë sërish këta futbollistë që duan ta përsërisin fazën e parë edhe në Tiranë, megjithëse vështirësitë janë më të mëdha. “Shkojmë të luajmë pa frikë në Tiranë. Do të jetë një ndeshje e fortë midis dy skuadrave që luftojnë në këtë kampionat me qëllime të njëjta. Me diferencën që ka krijuar Dinamo, ekipet e tjera, që janë në ndjekje të largët me blutë, luftojnë për renditjen më të lartë të mundshme.
Në këtë grup bëjnë pjesë Besa, Apolonia, Tirana dhe Teuta. Skuadra jonë ka më shumë se gjysmën e kampionatit që qëndron në vendin e tretë, çka është një dukuri që tregon se Apolonia është një ekip që tashmë është futur në grupin e skuadrave më të mira të superligës. Si të tillë, ne nuk kemi pse të luajmë si inferiorë ndaj bardhebluve, përkundrazi, të motivohemi dhe të luajmë në lartësinë e ndeshjes së parë që kemi zhvilluar në Fier.
A do të më pëlqente të shënoja gol? Pse jo? Unë e kam bërë tri herë në këtë kampionat dhe një nga realizimet e mia ka qenë pikërisht në fazën e parë me Tiranën. Do të ishte një kënaqësi e veçantë goli dhe fitorja në këtë takim,” ‑ ka thënë mes të tjerave mesfushori i Apolonisë, Agim Meto. Me të njëjtin optimizëm flet edhe goleadori i fierakëve, sulmuesi Mladen Brkiç, autori i dopietës fituese të fierakëve në ndeshjen e mesjavës me Laçin. Serbi i sulmit fierak shprehet se fitorja ndaj kurbinasve dhe golat e shënuar ndaj tyre, u kanë hapur “oreksin” për të tjerë gola. Ndeshja më e afërt ku Brkiç do të përpiqet ta bëjë një gjë të tillë, është pikërisht takimi me Tiranën. “Fitorja në fazën e parë ndaj këtij kundërshtari na ka shtuar besimin dhe ka thyer mbi të gjitha mentalitetin e stepjes ndaj ekipeve me emër.
Kjo nuk është thjesht deklaratë, sepse ne kemi një skuadër të mirë, që mund të matet në mënyrë të barabartë me cilindo ekip. Ne kemi dhënë prova të tilla në transfertë, si ndaj Dinamos, Besës apo dhe Teutës, të cilat janë ekipet me renditjen më të lartë momentalisht. Apolonia është një ekip që motivohet dhe zhvillon një futboll të bukur dhe mbresëlënës ndaj ekipeve të forta, gjë që nuk ka nevojë për shumë komente. Do të luajmë me guxim dhe me kërkesa të qarta ndaj Tiranës,” - ka përfunduar Mladen Brkiç.

Flamurtari-Gramozi, sot tjetër histori…

Kolonjarët eliminuan para 10 ditësh ekipin vlonjat nga kupa, por sot do të kenë tjetër motiv
Pas humbjes në ndeshjen e luajtur në mesjavë përballë ekipit të Teutës, Flamurtari i rikthehet tashmë kampionatit, ku pikërisht sot pret në Vlorë ekipin e Gramozit, i cili rreth 10 ditë më parë e eliminoi nga Kupa e Shqipërisë. Megjithatë, ndeshja e sotme pritet të jetë krejt ndryshe, kjo edhe për faktin se në lojë janë tri pikë, të cilat vlonjatët i kërkojnë me çdo kusht për t’ju afruar sadopak ekipeve që ndodhen pranë në renditje.
Pas ndeshjes me Teutën, trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani, pranoi se ekipi vlonjat zhvilloi një ndeshje të mirë, pavarësisht rezultatit të arritur, megjithatë tashmë për vlonjatët ndeshja me Gramozin është mjaft e rëndësishme, pasi duhet kërkuar fitorja, e cila do të jetë e treta në këtë kampionat. Situata paraqitet e vështirë, pasi kundërshtari vjen nga një seri rezultatesh pozitive në kampionat dhe kupë, ku edhe në mesjavë arriti një fitore përballë Skënderbeut.
Për trajnerin e Flamurtarit, ndeshja në Durrës nuk ishte me shumë fat për ekipin vlonjat pas atij 11-metërshi të humbur, një moment që mund të kishte ndryshuar fatet e takimit. Tashmë te Flamurtari duket se nuk mendojnë më për atë ndeshje, pasi sot është pikërisht ndeshja me Gramozin dhe duhet që ekipi të arrijë fitoren me çdo kusht, pasi situata është e rëndë, në fund të renditjes.
Në këtë ndeshje kthehen lojtarët e pezulluar, që munguan në ndeshjen e Durrësit, si Belisha dhe kapiteni Sakaj, fakt ky që do të thotë se trajneri i Flamurtarit ka më shumë alternativa për të zgjedhur në ndeshjen me Gramozin. Pavarësisht këtij fakti, është duke u diskutuar edhe merkatoja e Flamurtarit. I pari ka ardhur që para dy ditësh dhe priten të tjerë në ditët në vijim. Por sot pakkush e ka mendjen te blerjet, pasi një fitore me Gramozin patjetër do të ndryshonte sadopak situatën.

Kolonjarët, plot optimizëm sot në Vlorë

Fitorja e arritur ndaj Skënderbeut është kthyer në një ditë feste për të gjithë sportdashësit kolonjarë, teksa duket se të gjithë jetojnë me futbollin dhe kjo u pa më mirë gjatë takimit, ku sportdashës të shumtë kanë përkrahur ekipin e tyre gjatë gjithë ndeshjes, edhe pse jashtë kangjellave. Ka qenë fitorja e tretë për këtë sezon në shtëpi, e para e arritur ndaj Flamurtarit, kundërshtarit të sotëm, por me një ndryshim, sot ndeshja luhet në Vlorë. Por me këtë kundërshtar Gramozi është ndeshur edhe dy herë në Kupën e Shqipërisë, duke e eliminuar.
Pra, kolonjarët nuk është se nuk e njohin fushën e Flamurtarit, ku jo më shumë se para 10 ditëve ata morën një barazim në kupë. Të njëjtën gjë do të donin sërish djemtë e Canajt, pse jo edhe fitoren, që do të ishte “qershia mbi tortë” para Krishtlindjeve. Por takimi i sotëm paraqet akoma më shumë vështirësi, pasi dihen pozitat e Flamurtarit, që tashmë është kthyer në një rival direkt. Megjithatë, Gramozi udhëton me moral të lartë dhe me një ritëm ndeshjesh të kënaqshme të javëve të fundit, pavarësisht mungesave. Ekipi u ka dhënë fund përgatitjeve të premten paradite, duke udhëtuar rreth orës 12 në drejtim të qytetit të Vlorës.

Veliaj: Laçi do të rikthehet te fitorja

Pas disfatës së Laçit përballë fierakëve, ku kurbinasit, edhe pse ishin për 80 minuta me një lojtar më shumë, nuk i shpëtuan dot humbjes, stafi drejtues i ekipit laçian u ka kërkuar futbollistëve të tij që ta harrojnë sa më shpejt këtë ndeshje. Për beratasin e Laçit, Emiljano Veliaj, Laçi sot do të rikthehet te fitorja, për të vazhduar ngjitjen në klasifikim dhe njëkohësisht për t’u shkëputur tashmë nga gjashtë ekipet të fundit në klasifikim. Humbja në Fier e Laçit, sipas Veliajt, ka ardhur edhe si shkak i dy golave aksidentalë të vendësve.
“Ndaj Kastriotit, Laçi do të jetë një ekip komplet ndryshe, luftarak, duke kërkuar të mos bëjë gabime dhe duke kërkuar që në fillim të lojës që të shënojë, për të zhbllokuar rezultatin. Luajmë në fushën tonë e për pasojë edhe përgjegjësia jonë është më e madhe, sepse kemi edhe sportdashësit, të cilët do të na mbështesin. Fitorja do të jetë e padiskutueshme, për të harruar shijen e hidhur të takimit me Apoloninë,” - është shprehur mes të tjerash mesfushori i Laçit, Emiljano Veliaj.

“Luhet në Peqin, edhe barazimi pranohet”

Trajneri Shkëlqim Muça nuk pranon vetëm humbjen në Peqin përballë Shkumbinit vendës
Ndeshja e sotme në Peqin midis Dinamos dhe Shkumbinit pritet të jetë tepër e rivalizuar në fushën e blertë. Dinamo vjen pas fitores së shtatë radhazi në kampionat, ndërkohë që bardhekaltrit pas humbjes 4-1 në Krujë, përballë Kastriotit. Normalisht, distanca në +14 pikë ndaj Besës bën që blutë të jenë më të qetë në performancat e tyre. Këtë qetësi dhe pjekuri e shfaq edhe trajneri i bluve, Shkëlqim Muça, i cili në prononcimin e tij kërkon një sfidë sa më të qetë dhe mikëpritje nga ana e peqinasve.
Sigurisht, barazimi është rezultati i fundit që dinamovitët do të pranonin në Peqin, sepse vetë ecuria pozitive dhe mentaliteti i fituesit nuk i lejon blutë të pranojnë një humbje, që do të ishte e para për kryesuesit. “Unë mendoj që ndeshjet me Shkumbinin janë gjithnjë të vështira. Nuk i ndaj nga sfidat e tjera që kemi luajtur në transfertë, por një ndeshje në Peqin gjithnjë ka specifikë të veçantë. Përballë do të kemi edhe një fushë të vështirë, e cila, këto kushte që jemi sot, nuk pretendohet të luhet një futboll cilësor. Si ne, ashtu dhe Shkumbini duhet t’i përshtatemi fushës për të bërë një ndeshje normale.
Do të jetë një ndeshje që do të ketë shumë gabime e për rrjedhojë do të mund të fitojë ai që do të gabojë më pak. Nuk jam unë ai që përcaktoj kategorinë e trajnerin. Ne respektojmë Shkumbinin me atë që është dhe me atë që s’është. Normalisht, unë nuk shikoj trajnerin, por di që ai do të bëjë më të mirën për skuadrën e vet.
Nuk e di, nuk mund ta them nëse më tremb apo jo ky kundërshtar. Këtu nuk bëhet fjalë për frikë, bëhet fjalë për gjëra jonormale. Sot futbolli duhet të konceptohet nga të gjithë si një ditë e veçantë, një ditë ku të gjithë duhet të kënaqen nga ajo ndeshje, pavarësisht se kush fiton. Drejtuesit e klubit duhet të dinë t’i pranojnë rezultatet negative në fushën e tyre.
Duhet ta mirëpresin kundërshtarin, duhet ta respektojnë atë. Pra, duhet t’ia lënë gjithçka fushës së lojës, sepse ky duhet të jetë mentaliteti i të gjithë drejtuesve të klubit. Nëse do të ndihmojmë të gjithë dhe do të pranojmë me sportivitet të gjitha rezultatet, atëherë gjithçka është në rregull. Pas fitores vjen barazimi dhe unë nuk do të dëshiroja rezultat tjetër në Peqin. Terrenet e rënduara s’mund të evitohen tani. Duhet të ishte menduar më parë kjo gjë. Nëse do të ishte menduar më përpara, më saktë që kur është hartuar kalendari i kategorisë superiore, atëherë gjërat do të ishin normale. Dihet që në dhjetor dhe janar koha është e tillë në Shqipëri dhe këta muaj duhet të kishin më pak ndeshje.
Pra, të ishin çdo të shtunë, jo të shtunë e të mërkurë dhe më pas ngjeshja të ishte në një periudhë tjetër. Sepse tani është e vështirë të gjesh dhe konsensusin e skuadrave të tjera. Ne kemi vështirësi në këtë periudhë, sepse u bë gati një muaj që nuk kemi hyrë në fushën e stërvitjes. Sigurisht që skuadrës i mungon terreni stërvitor. Me bërjen e fushës me bar artificial do të shpëtojmë nga kjo gjë, sepse terreni aktual, me rënien e shiut, bëhet i papërshtatshëm,”- deklaron trajneri i suksesshëm i Dinamos, Shkëlqim Muça.

Daiu e nis te Shkumbini ndaj “kampionëve”

Ekipi i Shkumbinnit, nën drejtimin e tarjnerit të ri, Përparim Daiu, dje pasdite nën shoqërinë e motit të keq dhe shiut të vazhdueshëm ka zhvilluar seancën e fundit para takimit me Dinamon, që do të zhvillohet sot në Peqin. Kavajasi Daiu, që zëvendësoi trajnerin Mile pas ndeshjes më Kastriotin, nuk ka pasur shumë kohë ta njohë siç duhet ekipin. Janë lënë pas problemet që janë shfaqur në mesjavë para ndeshjes me Kastriotin, që sollën humbjen e thellë dhe më pas shkarkimin e stafit drejtues të ekipit.
Emri i kundërshtarit të sotëm ka ndikuar pozitivisht. Për trajnerin Daiu është ndeshja premierë me Shkumbinin, por kalendari e vë përballë kampiones së parakohshme, Dinamos. Daiu e ka të qartë se në ndeshjen me Dinamon muk pritet mrekulli nga ana e tij, se koha është e pamjaftueshme, por e ka besimin te grupi i futbollistëve dhe puna e bërë më parë nga trajneri Mile dhe Magani.
“Dy ditë janë shumë pak për të dhënë një mendim të plotë, por janë edhe të mjaftueshme për të bërë optimistin para ndeshjes, sepse gjendja e ekipit është e mirë. Problemet që pati me Kastriotin janë tejkaluar plotësisht dhe ekipi është i gatshëm për përballjen me Dinamon kryesuese,” ‑ pohon Përparim Daiu, duke deklaruar më tej që kundërshtari nga Tirana të bëjë hapin e gabuar pikërisht në Peqin.

Prishet me Lazion

FIFA i ka mundësuar Pajtim Kasamit ta shkëpusë kontratën me Lazion, pas moskryerjes së obligimeve financiare ndaj tij. Menaxheri i sulmuesit kosovar, Raffaele Zarra, thotë se shumë skuadra janë të interesuar për shërbimet e 17 vjeçarit.
Aventura e Pajtim Kasamit te Lazio do të marrë fund ende pa filluar mirë. Menaxheri i futbollistit me prejardhje nga Kosova, Raffaele Zarra, ka bërë të ditur që klienti i tij nuk do ta veshë më fanellën e klubit romak.
E përditshmja zvicerane Blick të enjten shkruante se bosi i ekipit nga kryeqyteti italian, Claudio Lotito, i ka borxh klubit zviceran Grasshoppers (ish skuadrës së Kasamit) 150 mijë franga si dëmshpërblim për rritjen e kosovarit.
Menaxheri i kosovarit, Raffaele Zarra, i ngopur me presidentin e Lazios, angazhoi FIFA-n që ta shkëputë kontratën e Kasamit me klubin nga stadiumi “Olimpico”.
“Kjo funksionoj FIFA ka shfuqizuar kontratën me romakët. Pajtimi tani duhet të luajë dhe ne jemi duke kërkuar një zgjidhje”, ka thënë Zarra për blick.ch.
Ai ka bërë të ditur se për mesfushorin kosovar tashmë kanë shprehur interesim ekipe të ndryshme. “Ne duhet te avancojmë karrierën e tij ngadalë dhe në mënyre të pastër. Kemi oferta nga jashtë dhe nga Zvicra. Disa klube te Superligës janë te interesuara për të” vazhdoi ai.
Në anën tjetër, vetë Pajtimi aktualisht nuk po flet për këtë çështje, ngase këtë e ka kërkuar menaxheri i tij.
“Unë me qellim nuk po dua ta lejoj atë që të jetë në qendër të vëmendjes. Ai është luftarak dhe ka një karakter të fuqishëm për moshën e tij, por nuk dëshiroj të rrezikoj që ai një dit të vijë dhe të më thotë nuk mundem më”, thotë Zarra.
Anëtari i përfaqësueses së U17 të Zvicrës ishte larguar nga Grasshoppers në janar 2008 ne drejtim te Liverpoolit, derisa një vit më vonë ai u transferua te Lazio. Që nga shkuarja e Kasamit në ekipin romak ai ka zhvilluar vetëm një lojë testuese me ekipin e parë dhe ka gati një vit që nuk ka zhvilluar asnjë lojë serioze për ekipin e parë.
Duke i pasur parasysh këto probleme, ishte në pikëpyetje thirrja e Kasamit në përfaqësuesen U17 zvicerane për kampionatin botëror që u mbajt në Nigeri, e ku kosovari u ndihmoi helvetikëve që ta fitojnë këtë garë.
Në fund Zarra ka falënderuar përzgjedhësin e Kombëtares U 17 të Zvicrës, Dany Ryser, që ka llogaritur në Kasamin përkundër problemeve te tij.

Gjasula trim i fitores së FSV Frankfurtit

Jurgen Gjasula pos golit të shënuar është ndëshkuar me karton të verdhë në minutën e 29-të sikurse edhe Ervin Skela (45') te Koblenzi.
Futbollisti shqiptar, Jurgen Gjasula, është kreatorë i fitores së FSV Frankfurtit si udhëtues me rezultat 1:0 kundër Koblenzit, në javën e 17-të të Ligës së Dytë të Gjermanisë në futboll. Gjasula luajti 90 minuta dhe shënoi golin e fitores në minutën e 22-të nga penalltia, kësisoj u bë edhe protagonisti i këtij trepikëshit domethënës. Te Koblenzi tre shqiptarë e nisën ndeshjen titullarë: Shefki Kuçi në rolin e kapitenit, pastaj Shqipëron Skeraj e Ervin Skela. Në pjesën e dytë është aktivizuar në fanellën e Koblenzit edhe vëllai i Shefkiut, Njazi Kuçi pikërisht në minutën e 60-të në vend të futbollistit Muller. Skeraj luajti plotë 71-të minuta dhe është ndërruar nga Rahn. Gjasula dëshmoi lojë të mrekullueshme dhe goli i tij e ka ngritur FSV Frankfurtin një pozitë më lartë në tabelë përkatësisht në atë të 16-tën me 13 pikë, duke e futur për fundi Koblenzin (17-tin) me 12 pikë. Jurgen Gjasula pos golit të shënuar është ndëshkuar me karton të verdhë në minutën e 29-të sikurse edhe Ervin Skela (45') te Koblenzi.

Sfida e Canës është reduktimi i kartonëve

Tetë kartonë të verdhë deri më tani, kanë sjellë tashmë dy ndeshje pezullim për këtë stinor për futbollistin Lorik Canën, ndërsa trajneri i Sunderlandit Stiv Brus këmbëngul se nuk do të përpiqet për ta frenuar qëndrimin dhe lojën e ashpër të kapitenit te vet. Por, në njëfarë mënyre është e qartë se menaxherit të Sunderlandit i duhet të gjejë një kompromis të pranueshëm me lojtarin, që ta mbajë kapitenin e tij të pandëshkuar nga gjyqtarët. Tani, si i vetmi lojtar që mund të krahasohet me Vieranë në “Premier League”, sfida e Canës është reduktimi i kartonëve, që i merr “pa doganë”!

Do të vendosë komisioni përkatës i FIFA-s

Federata e Futbollit e Kosovës prej kohësh pret përgjigjen përfundimtare nga institucioni më i lartë i futbollit botëror, FIFA, që t’i mundësohet përfaqësueses së Kosovës të ketë të drejtë zhvillimin e ndeshjeve miqësore ndërkombëtare, lejimi i transfereve të futbollistëve etj. Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, tha se nga FIFA vijnë lajme të mira për futbollin e Kosovës. Vokrri bënë me dije se Komisioni i zyrës ligjore të FIFA-s do të vendosë rreth transfereve ndërkombëtare të futbollistëve “Kemi lajme të mira nga institucioni më i lartë, FIFA. Rasti i FFK-së është në duart e Komisionit të zyrës ligjore të FIFA-s dhe se shpejti pritet të marrë vendim lidhur me transferin e futbollistëve”, ka thënë Vokrri. Numri një i FFK-së ka thënë se shpejti pritet të kenë një takim me kreun e FIFA-s. Shkresa e ardhur nga FIFA është e nënshkruar nga drejtori i këtij asociacionit, Marco Villger. Vokrri e ka cilësuar stinorin vjeshtor të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll, si njërin prej kampionateve më të suksesshëm. “Garat kombëtare kishin një rrjedhë normale si kurrë ndonjëherë më parë, e që një gjë të tillë e kanë vlerësuar, mediat dhe opinioni gjerë futbolldashës, por kjo nuk do të thotë që jemi të vetëkënaqur përkundrazi ne bashkërisht do të vazhdojmë të punojmë edhe më shumë sepse gjithmonë ka vend për përmirësime”, tha Vokrri. Ai e falënderoj edhe sponsorin e Superligës, Raiffeisen Bankën, e cila e ka ndihmuar futbollin e Kosovës. Përfaqësuesi i Raiffeisen Bank, Asdren Rrahmani, ka konfirmuar se kjo Bank tashmë ka arritur një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë dyvjeçar dhe kjo do të vazhdojë edhe me tutje, sepse me punën e vet FFK ka treguar një partneritet shumë të mirë. “Jemi të kënaqur me bashkëpunimin që kemi me FFK-në dhe do të mbështesim edhe në vazhdim FFK-në”, tha Rrahmani. Përfaqësuesi i Raiffeisen Bankës është i kënaqur erdhe me hapat pozitiv që ka bërë FFK-ja, si dhe rritjen e cilësisë dhe promovimin që ka bërë edhe në arenën ndërkombëtare të këtij sporti. Vokrri ka falënderuar mediat që kanë bërë për futbollin e Kosovës, duke shtuar se në vitin 2010 presin suksese edhe më të mëdha.

Kërkon përforcime

Flamurtari i Prishtinës ka qenë njëra nga befasitë më të mëdha të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll, duke u renditur në vendin e tretë me 27 pikë të tubuara. Kryetrajneri Jusuf Tortoshi kërkon përforcime për stinorin pranveror me qëllim që të ruajnë pozitën e tanishme. Ai tha se Flamurtarit i duhet një sulmues dhe mesfushorë me përvojë që të kompletohet për garat e pranverës. Tortoshi theksoi se angazhimi i Alban Gucit, futbollist i Lirisë nga Prizreni, ka mbetur ndër çështje që ende nuk e kanë zgjidhur. “Shumë futbollistë kanë kontrata me klubet e tyre dhe vërtetë vështirë është që të arrijmë edhe t’i sjellim si përforcime”, tha Tortoshi.

Osmani: Na mundonte ndërrimi i shpeshtë i trajnerëve

Elvis Osmani, futbollist më përvojë i kampionit vjeshtor, Trepça nga Mitrovica, tha se më së shumti e kanë munduar ndërrimi i shpeshtë i trajnerëve në skuadër. “Prej dorëheqjes së kryetrajnerit Gani Sejdiut, në skuadrën tonë u ndërruan shpesh trajnerët. Kjo na ka munduar më së shumti sepse çdo trajner i ri që ka ardhur është dashtë me iu përshtatur regjimit të ri të stërvitjeve. Pavarësisht kësaj, Trepça me disa përforcime në vazhdim të kampionatit u ngjitë në kreun e tabelës. Prandaj, me plotë meritë e zumë vendin e parë dhe do të luftojmë të ruajmë këtë pozitë deri në fund të kampionatit”, tha Osmani.

Krusha: Katër herë barazuam në Prizren

Mesfushori i Lirisë së Prizrenit, Fitim Krusha, është i kënaqur me rezultatet që ka arritur skuadra e tij në stinorin vjeshtor në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll. “Rezultatet janë të kënaqshme megjithëse kemi mundur të jemi edhe më mirë në renditjen e tabelës. Në Prizren katër herë kemi luajtur baras, me Gjilanin, Drenicën, KEK-un, Trepçën. Barazimet me KEK-un e Trepçën arsyetohen se janë skuadra cilësore, por befasuese ishte barazimi me Drenicën e Gjilanit, që ne ishim favorit të plotë. Edhe pozita e pestë me 25 pikë për ne është e kënaqshme dhe në stinorin pranveror mund të bëjmë edhe më shumë sesa në vjeshtë”, tha Krusha.

Të befasuar me vetveten

Futbollistët e Ferizajt i kanë ndërprerë përgatitjet për shkak të rënies së borës. Kryetrajneri Arsim Abazi paralajmëron përforcime për në pranverë dhe mëton mesin e tabelës.
KF Ferizaj nga shumë njohës të futbollit para fillimit të kampionatit ishte llogaritur si njëra nga skuadrat që vështirë se do të mund të kalojë edhe pozitën numër 10-të. Një skuadër me fond të varfër të futbollistëve dhe jo me cilësi të larta ka befasuar për të mirë të gjithë njohësit e këtij sporti. Futbollistët e Ferizajt me lojërat që demonstruan në fushë gjatë stinorit vjeshtor befasuan edhe kryesinë dhe kryetrajnerin e tyre. edhe vet kryetrajneri Arsim Abazi nuk e kishte pritur se do të jenë në vendin e shtatë në tabelë me 25 pikë dhe shtatë pika pas liderit të tabelës, Trepça nga Mitrovica. “Nuk kemi pritur rezultatet çfarë i kemi arritur në 17 javët e stinorit vjeshtor. Edhe vet jam i befasuar me rezultatet e mira që kemi dëshmuar gjatë vjeshtës. Kampionatin e kemi nisur me një fond shumë të varfër të futbollistëve që numri i tyre ka qenë deri 20 futbollistë. Në shumë ndeshje nuk kemi pasur edhe zëvendësime, por puna e madhe që e kemi bërë dhe angazhimi i të gjithëve na sollën deri te rezultatet e mira. Edhe kryesia e ka një meritë për këto rezultatet, e cila ka krijuar jo ku me ditë çfarë kushte për punë, por kanë qenë motivuese për futbollistë. Prandaj, në një konkurrencë shumë të fortë radhitem në vendin e shtatë me 25 pikë”, tha Abazi. Ferizaj pas ndeshjes së javës së gjashtë me Gjilanin që pati përfunduar me rezultat baras 1:1 ka pasur edhe krizë brenda për brenda klubit. Disa futbollistë për sjellje të pahijshme dhe jo të disiplinuar pësuan ndëshkime. “Nuk mund të them se edhe ndëshkimet që kemi pasur ndaj tre-katër futbollistëve më përvojë ka pasur edhe këndellje të skuadrës. Në njëfarë mënyre ka pasur kjo efekt, por i tërë çelësi i këtyre rezultateve ka qenë angazhimi i pashoq i të gjithëve. Menjëherë pas këtyre dënimeve që i shqiptuam me të holla e disa futbollistë edhe u dënuan me ndeshje, u kthyem në binarë dhe mundëm Trepçën në Mitrovicë me rezultat 1:0. Vazhduam një seri të suksesshme të rezultateve dhe u ngjitën sa më lartë në tabelë”, tha Abazi. Drejtuesit ferizajas kërkojnë të përforcohen për stinorin pranveror. “Gjithsesi duhet që të përforcohemi për stinorin pranveror. Kemi mungesë në repartin e sulmit dhe na duhen dy sulmues të spikatur dhe një mesfushorë i mirë. Më këto përforcime mendoj se Ferizaj do të jetë më stabil dhe do të ngjitet sa më lartë në kreun e tabelës. Synimet i kemi të jemi në mesin e gjashtë skuadrave më të mira të elitë së futbollit, të cilën gjë shpresojmë se do të realizojmë me punë dhe lojëra cilësore”, tha Abazi. Futbollistët e Ferizajt i kanë ndërprerë përgatitjet shkaku i borës që ka rënë këtyre ditëve. “Ka qenë e pamundur të vazhdohen stërvitjet për shkak të rënies së borës. Fusha është rënduar së tepërmi dhe ka qenë e pamundur në ato kushte të zhvillohen stërvitje. Kështu që jemi në pushimin dimëror, duke i analizuar të gjitha gjërat e stinorit vjeshtor dhe po mendojmë edhe për garat e pranverës” nënvizoi Abazi.

Folën për Kosovën

Pas dy javësh, Federata e Futbollit e Kosovës është njoftuar zyrtarisht nga FIFA se anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të saj kanë diskutuar për futbollin kosovar në mbledhjen e tyre që u mbajt në fillim të dhjetorit në Afrikën e Jugut. Nëpërmjet një shkrese, FIFA ka njoftuar se ka shqyrtuar kërkesën për legalizimin e transferimeve nga Kosova, derisa vendimi për këtë pritet të merret së shpejti.
Prishtinë, 18 dhjetor — Më në fund, FIFA e ka njoftuar zyrtarisht Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) se anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të këtij asociacioni kanë diskutuar rreth futbollit kosovar, gjatë mbledhjes së tyre të mbajtur në fillim të këtij muaji në Afrikën e Jugut.
Zyrtarët e FFK-së treguan të premten se kanë marrë një shkresë nga FIFA, nëpërmjet së cilës janë njoftuar se Komiteti Ekzekutiv i saj e ka shqyrtuar në veçanti kërkesën që ekipet e huaja t’u paguajnë dëmshpërblim klubeve të Kosovës, në rast se transferojnë ndonjë lojtar nga Kosova.
“Kemi kënaqësinë të ju informojmë se Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s në mbledhjen e mbajtur më 3 dhjetor 2009 shqyrtoi situatën e FFK-së në lidhje me transferimet ndërkombëtare të lojtarëve të Kosovës. Ju njoftojmë se tani jemi duke e analizuar situatën dhe më pas do t’ju kthejmë një përgjigje”, thuhet ndër të tjera në shkresën e FIFA-s dërguar FFK-së, e cila ishte e nënshkruar nga drejtori për çështje ligjore, Marco Viliger.
Në anën tjetër, sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, sqaroi se vendimin përfundimtar rreth kësaj kërkese pritet ta marrë një komision i FIFA-s në një të ardhme të afërt.
“Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s ka diskutuar rreth futbollit kosovar e në veçanti e ka shqyrtuar kërkesën tonë rreth njohjes së certifikatave ndërkombëtare për futbollistë. Komiteti Ekzekutiv e ka autorizuar një trup punues të FIFA-s që të analizojë këtë dhe ta merr një vendim. Ai trup punues tani është duke punuar rreth kësaj çështjeje dhe në një të ardhme të afërt pritet ta merr një vendim në favor tonë”, deklaroi Salihu për g.j.
“Është shumë e rëndësishme që çështja e futbollit kosovar është futur në rend dite të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s pa e kundërshtuar askush”, theksoi Salihu.
Kërkesën rreth legalizimit të transferimeve të futbollistëve nga Kosova, drejtuesit e FFK-së e patën bërë gjatë takimit të tyre në Zvicër në muajin nëntor me presidentin e FIFA-s, Sepp Blatter.
Në atë takim pala kosovare i pat parashtruar edhe tri kërkesa tjera: Pranimin e plotë të Kosovës në FIFA, të lejohet përfaqësuesja e Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore me reprezentacione të huaja deri në pranimin e plot të saj në familjen botërore të futbollit, dhe që klubet kosovare të lejohen të marrin pjesë në garat evropiane.
Salihu tha se Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s i ka shqyrtuar edhe këto tri kërkesa, të cilat as nuk janë aprovuar, por që as nuk janë refuzuar.
“Po, Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s i ka shqyrtuar të gjitha kërkesat tona. Asnjëra nga to nuk është refuzuar. Por, fillimisht do të shqyrtohet ajo për transferime të lojtarëve dhe më pas do të shkohet hap pas hapi”, theksoi Salihu.

Vokrri, i kënaqur me stinorin vjeshtor

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, e ka vlerësuar mjaft të suksesshme mbarëvajtjen e garave në edicionin vjeshtor të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll. “Mendimin pozitiv për futbollin e Kosovës e ka dhënë edhe opinioni futbolldashës. Ka qenë njëri ndër stinorët më të suksesshëm”, ka thënë Vokrri të premten në një konferencë për media të mbajtur në Prishtinë.