24 dhjetor 2009

FLESH LAJME - per futbollistet dhe futbollin Shqiptar

Lëvizjet në janar, kuqezinjtë në qendër të tregut

Disa futbollistë të kombëtares shqiptare mund të ndërrojnë skuadër, Erjon Bogdani në “pole”
Hapja e merkatos së dimrit, që korrespondon me përfundimin e fazës së parë në kampionatet më të forta europiane, u jep mundësi disa futbollistëve shqiptarë të bëjnë një hap tjetër në karrierë, përgjithësisht pozitiv, sigurisht duke vlerësuar mundësitë që kanë pasur me skuadrat respektive. Shumë nga kuqezinjtë, sidomos ata që nuk kanë mundur të aktivizohen këtë fazë të parë, nuk janë të kënaqur dhe po kërkojnë vetë të gjejnë një skuadër më të përshtatshme për ta, ku do të mund të luajnë rregullisht. Sigurisht, ka edhe raste të tjera, që ndryshimi mund të vijë për interes të klubit, siç është rast i Erjon Bogdanit, të cilit i skadon kontrata me Kievon në fund të sezonit. Jahmir Hyka dhe Edmond Kapllani, të dy lojtarë të kampionatit gjerman (në Bundesligën e parë dhe të dytë) mezi presin t’u hapet një dritë jeshile për të lëvizur nga Mainci dhe Augsburgu, ku janë aktivizuar me pikatore. Gjithashtu, edhe ecuria e Emiliano Vilës me Lokomotivën e Zagrebit nuk ka qenë për t’u lavdëruar.
Erjon Bogdani: Sulmuesi i Kievos e ka nisur titullar këtë sezon, por nuk ka mundur të shënojë më shumë se dy gola në Serinë A. Ndeshjet e fundit, pas dëmtimit në mollëz, Bogdani nuk ka gjetur hapësirat e mjaftueshme në formacion. Sipas zërave në kampionatin italian, Bari dhe Katania janë gati të ofrojnë para për blerjen e Bogdanit në muajin janar. Barezët kanë shfaqur interesim për sulmuesin e kombëtares shqiptare edhe gjatë verës, por trajneri Di Karlo këmbënguli për ta mbajtur te Kievo. Me aktivizimin e sulmuesve të rinj, në veçanti Granoçe, si dhe duke shtuar faktin që në fund te sezonit Bogdani mbetet lojtar i lirë, Kievo mund ta lëshojë për të përfituar ca para.
Jahmir Hyka: Nuk e nisi keq sezonin, duke u aktivizuar qoftë për disa minuta në pjesën e fundit të 90-minutëshit, por ndeshjet e fundit Jahmir Hyka thuajse nuk e ka prekur tapetin e gjelbër. Të njëjtin problem Hyka ka pasur edhe sezonin e kaluar në Bundesligën 2. Shtatshkurtri shqiptar kërkon të luajë sa më shumë, por mundësitë për ta aktivizuar te Mainci janë shumë të vogla. Drejtuesit e klubit, sikurse ndodhi gjatë verës, po shikojnë mundësinë e huazimit. Destinacioni më i mundshëm për Hykën është Bundesliga 2.
Edmond Kapllani: Nga elita e futbollit gjerman, në Bundesligën 2. Karlsruhe ia shiti Augsburgut gjatë verës, por për fat të keq Edmond Kapllani nuk po gjen hapësira në formacion. Në një pjesë të konsiderueshme të ndeshjeve, sulmuesi shqipar nuk ka qenë i grumbulluar as në 18-she. Të thuash që dëshiron të largohet, është pak. Nëse dëshiron të mbetet i rëndësishëm për formacionin e Kuzhes, Edmond Kapllani duhet të ndërrojë skuadër. Minutazhi në fushën e blertë gjatë fazës së parë është shumë modest. Kapllani, sikurse Hyka, dëshiron të luajë më shumë minuta dhe kjo mund të ndodhë nëse ndërron skuadër.
Emiliano Vila: Kalimi i tij nga Teuta e Durrësit te Dinamo e Zagrebit e më pas në formën e huazimit të Lokomotiva e Zagrebit, bëri bujë në Shqipëri, por faktet tregojnë që nuk duhet të jemi entuziastë. Vila ka luajtur shumë pak në Kroaci, aq sa drejtuesit e Dinamos do ta shisnin nëse u vjen një ofertë e mirë. 22-vjeçari nga Durrësi ka pasur probleme përshtatjeje edhe për shkak të gjuhës dhe sigurisht nuk e ka ndier veten mirë mes shumë talenteve që ka Dimamo në formën e huazimit te Lokomtiva e Zagrebit.

Kastrioti bën lojën, Tirana golin

Kampionët kanë arritur që të fitojnë me vështirësi në Krujë duke i bërë një mbyllje dinjitoze 2009.
Dje, në takimin Kastrioti-Tirana, është zbatuar me përpikmëri ligji i pashkruar i futbollit se po nuk shënove do të pësosh. Me plot gojën ndeshja e djeshme mund të konsiderohet si përballja e rasteve të humbuara. Po t’i hedhësh një sy radiografisë së sfidës bindesh plotësisht për këtë fakt. Takimi është karakterizuar nga një "Fair- Play" nga të dyja skuadrat duke i dhënë ngjyra interesante lojës. Bukurisë së këtij takimi ja shtoi dhe gjykimi korrekt i treshes së gjyqtarëve me kryesor Albano Jankun, i cili nuk u kontestua për asnjë moment nga të pranishmit. Nisur nga rezultati i arritur në përfundim të ndeshjes të jepet përshtypja se skuadra krutane nuk ka zhvilluar një lojë me nivel por me atë që tregoi në fushën e lojës bindesh plotësisht se djemtë krutan kanë zhvilluar një ndeshje të kënaqshme, ku fati ishte ai që vendosi rezultatin përfundimtar. Rreth 2500 sportëdashës të pranishëm në stadium më tepër u zhgënjyen nga rezultati se sa nga loja e skuadrës së tyre. Miqtë nga kryeqyteti morën një tripikësh të artë dhe e shohin më me optimizim ndeshjet në vazhdim të kampionatit. Bardheblutë fituan falë kualiteteve dhe eksperiencës së tyre. Pjesa e parë u zhvillua e barabartë me nje epërsi të skuadrës vendase. Fragmenti i dytë është zhvilluar me një epërsi të skuadrës vendase që nuk reshti së e kërkuari golin duke e vënë disa herë në shënjestër portën e Tiranës. Duke parë intesitetin e lojës së krutanëve u duk se goli nuk do të vononte, por në realitet ndodhi e kundërta. I riu Hajdari me zgjuarsinë e tij diti të jetë efikas dhe i shpëton mbulimit të mbrojtjes në momentin e finalizimit, duke i dhuruar skuadrës së tij një fitore të merituar. Skuadra krutane ishte superiore në aspektin fizik duke qenë vazhdimisht kërcënuese ndaj kundërshtarit. Por loja e tyre çaloi në repartin e sulmit. Një rezultat i tillë ka rënduar disi pozitat e skuadrës krutane. Bilanc negativ në këto gjashtë javë të fazës së dytë të kampionatit në total (pesë humbje dhe vetëm një fitore, ajo ndaj Shkumbinit), është një tregues mjaft interesant se në merkato duhet ndërhyrë urgjentisht për forcimin e skuadrës me element cilësorë. Koha është e mjaftueshme për ta bërë një gjë të tillë në mënyrë që pjesa tjetër e sezonit ta gjejë Kastriotin akoma më solid. Periudha prej mëse një muajsh të shërbejë jo vetëm në forcimin e skuadrës me element cilësor por edhe në përgatitjen e grupit për ndeshjen mjaft të vështirë që do të luajnë në transfertë me "Ujqërit e Dëborës". Kastrioti i ka bërë një mbyllje si mos më keq fazës së parë. Ndërsa skuadra e Tiranës arriti që të marrë fitoren e dytë radhazi dhe nga ajo që tha dhe trajneri mik Tafaj në fund të ndeshjes, ekipi ka hyrë në shinat e duhura dhe deri në fund nuk është çudi që skuadra kryeqytetase të bëj ndonjë surprizë duke ditur që ndeshjen e parë të vitit do e luajë ndaj Dinamos.
Deklarojnë….
Asnjë nga drejtuesit e skuadrës krutane nuk u paraqit në konferencën për shtyp pas ndeshjes.
Alban Tafaj, (trajner i Tiranës): Nuk kam përse ta fsheh, në Krujë morëm një tripikësh të artë dhe vinim në këtë sfidë pas një ndeshje shumë të mirë që kemi bërë në Tiranë me Apoloninë ku fituam dhe dominuam. Morëm tri pikë në sajë të kualiteteve që kemi në skuadër. E dominuam lojën në të gjitha drejtimet. Tashmë duhet mendojmë për ndeshjene radhës. Me ketë fitore dhe ritëm që ka ekipi im mendoj se jemi në rrugën e duhur dhe ditë më të mira do të vijnë për Tiranën.
Të veçanta
‑ Ndeshja e djeshme është transmetuar nga paketa dixhitale Super Sport. Pavarësisht nga ky fakt kjo ndeshje u ndoq nga një numër i konsiderueshëm sportëdashësish.
‑ Sipas burimve pranë drejtuesve më të lartë të klubit, hyrja në stadium për sportdashësit krutanë ka qenë falas.
‑ Në ndeshjen e djeshme ra në sy grupimi i njohur "Tirana Fanatiks" që ishte vendosur në pjesën e veriperendimore të stadiumit.
‑ Mjaft personalitete të pranishëm në tribunën kryesore duke filluar që nga presidenca krutane dhe ajo mike që ndoqën këtë sfidë

Vllaznia ngec përsëri, vlonjatët shpresojnë

Shkodranët kanë bërë një tjetër hap fals në shtëpi, duke mos parë më nga vendet e kreut
E ka nisur keq sezonin Vllaznia dhe e përfundoi keq vitin 2009. Të gjithë mendonin dhe e bënin punë të kryer fitoren me Flamurtarin dje, por nuk ka ndodhur kështu. Vlonjatët jo vetëm kanë arritur të barazojnë, por kanë qenë më pranë fitores me rastet që kanë krijuar. Në këtë ndeshje Vllaznia ka qenë më e plotë në formacionin e saj. Luante edhe Sinani, ashtu edhe Osja, të cilët kanë pasur probleme shëndetësore javët e fundit. Trajneri Luçi kishte vendosur në fushë një formacion sulmues. Megjithatë, ndeshja ka nisur më mirë për Flamurtarin. Janë futbollistët e tij që krijojnë dy rastet e para. Vllaznia në 45 minutat e para krijon vetëm dy raste, ku sidomos ai i Shtubinës, duhej të kishte përfunduar në rrjetë. Ndërkohë, rastet më të rrezikshme i ka pasur Flamurtari, madje mund të themi se shkodranët ishin me fat që nuk pësuan gjatë kësaj pjese loje. Sidomos rasti i Shehajt në minutën e 37-të duhej të ishte konkretizuar me gol, ngaqë doli i vetëm përballë Bishanit, por nuk arriti ta dërgonte topin në rrjetë. Pjesa e parë mbyllet në barazim 0‑0. E dyta nis me uljen në stol të Sinanit, që është larg formës së tij dhe në vend të kapitenit është Galica. Skuadra luan më mirë në fillimin e pjesës së dytë dhe për rrjedhojë goli nuk do të vononte të vinte. Nallbani ka gjuajtur saktë dhe topi përfundon në rrjetë. Ky gol krijoi përshtypjen se ndeshja tashmë u mbyll, por nuk do të mendonin kështu vlonjatët. Sidomos Roshi, lojtari që i dha frymë manovrës sulmuese të miqve. Ai ka qenë një rrezik i vazhdueshëm në krahun e djathtë, ka bërë gjithçka ka dashur me mbrojtësit e Vllaznisë dhe ka shërbyer edhe për shokët e tij. Sigurisht, ka shfrytëzuar edhe ndonjë gabim të portierit Bishani, apo të mbrojtësve të qendrës dhe Zeqiri ka ndëshkuar në dy raste. Mund të kishte ndëshkuar edhe Begaj e Shehaj, por kanë gabuar. Shkodranët kanë barazuar me anë të Balës, por ka qenë vonë. Përfundimisht 2‑2, barazim që ka sjellë tension në kampin shkodran. Një tension që nuk dihet se si do të shkojë. Nuk është më ajo qetësi në kampin shkodran dhe për pasojë nuk dihet se çfarë masash mund të merren. Ndoshta do të pritet analiza e thellë që vetë presidenti Fushaj pati premtuar që do të bënte në fund të dhjetorit. Ndërsa Flamurtari sërish mbetet në fund, por nuk është ajo situatë e para disa javëve. Tani rivalët i ka barazuar me pikë dhe pret merkaton për të vijuar me rezultatet pozitive, edhe pse duhet thënë që 2010-ta e përplas që në fillim me një ekip të fortë, siç është Besa, por të mos harrojmë që ndeshja luhet në Vlorë.

Deklarojnë…
Roland Luçi, trajner i Vllaznisë: "Rezultati ishte rrjedhë e lojës. Bëmë shumë gabime në këtë ndeshje, si në sulm, kur në pjesën e parë sulmuesit tanë e kërkuan topin me shpinë nga porta. Bëmë tri zëvendësime thuajse të detyruar dhe loja jonë u përmirësua disi në pjesën e dytë. Gabuam te goli i parë i pësuar dhe po ashtu edhe tek i dyti, ku dy mbrojtësit e qendrës nuk u vendosën si duhet. Më vjen keq që nuk morëm tri pikë, por më duhet ta pranoj se Flamurtari kishte një ekip shumë të mirë. Tashmë na duhet të presim janarin për të ndrequr gabimet tona dhe për të marrë më shumë pikë nga sa kemi marrë deri tani."
Gugash Magani, trajner i Flamurtarit: "Po të më pyesnit para ndeshjes, nëse do të isha i kënaqur me barazimin, do të kisha thënë menjëherë "po". Por nga mënyra si shkoi loja, mendoj se lamë dy pikë. Ky barazim gjithsesi do të na ndihmojë të përmirësojmë gjendjen në të ardhmen. Sa për largimin e të huajve, mund të them dhe ju e patë vetë sot që futbollistët vlonjatë e ndiejnë peshën e fanellës së tyre, ndërkohë që të huajt kanë qenë më të paguarit dhe nuk kanë bërë asgjë, prandaj ngula këmbë për largimin e tyre."
Të veçanta
- Kanë dalë shumë të zhgënjyer nga stadiumi tifozët shkodranë. Ata nuk e kanë kapërdirë dot barazimin e skuadrës së tyre dhe për rrjedhojë nuk kanë munguar akuzat ndaj futbollistëve, por edhe ndaj stafit në fund të ndeshjes.
- Ekipi i Vllaznisë ka pasur një premio prej 3 milionë lekësh të vjetra për fitoren e këtij takimi, premio që nuk u mor, ngaqë nuk arriti të fitojë.
- Lojtari më i mirë i ndeshjes ka qenë Odise Roshi, i cili sidomos në pjesën e dytë ka bërë gjithçka ka dashur me mbrojtjen shkodrane.

Apolonia, barazimi që kushton shtrenjtë

Korçarët kanë arritur të marrin një pikë me vlerë në Fier. Shënojnë të dy kapitenët e ekipeve
Një hap fals i Apolonisë në shtëpinë e vet dhe dy pikë mjaft të çmuara, të cilat do t’i kushtojnë shumë në objektivat që kjo skuadër ka. Fierakët nuk arrijnë të kalojnë dot një prej skuadrave më modeste të këtij kampionati, Skënderbeun, renditur momentalisht në vendet e fundit në renditje dhe që lufton për mbijetesë. Apolonia ka qarkulluar topin dhe vetëm kaq, pasi rastet për të kërkuar golin e fitores, kanë qenë fare të minimizuara, për të mos thënë që kanë munguar. Më tepër, fierakët kanë rrezikuar përmes goditjeve standarde. Në të dy rastet ka qenë kapiteni Haxhibuliç, i cili, në njërin rast ka shënuar dhe në goditjen tjetër ka goditur shtyllën traversale. Skuadrës së Likës i ka munguar harmoniteti dhe fantazia në organizimin e aksioneve sulmuese dhe futbollistët kanë punuar larg portës, të shkëputur nga njëri‑tjetri. Skënderbeu e ka merituar barazimin e marrë në Fier dhe ka bindur që nuk ka kaluar rastësisht në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë, duke pasur si kundërshtar pikërisht Apoloninë. Mungesa e mbrojtësve Ofoyen dhe Çela për shkak të dëmtimeve, e ka detyruar Likën që ta mbajë paksa të tërhequr mbrapa Kaçin. Fierakët kërkojnë të rrezikojnë duke kërkuar shërbimet e Haxhibuliçit dhe Brkiçit në sulm, po serbi ka qenë hija e vetvetes në këtë ndeshje. Në minutën e 40‑të, kapiteni do të godasë me saktësi një top që gjen rrjetën e Llapanjit dhe kalon në avantazh skuadrën fierake, duke pritur pjesën e dytë për të menduar dhe konsolidimin e këtij avantazhi. Por ndodh e kundërta. Apolonia vjen e tkurret në lojën e vet dhe korçarët rrisin pretendimet drejt gjetjes së barazimit. Futbolistët fierakë nuk e kanë freskinë e duhur fizike dhe ngjeshja e kampionatit ka bërë punën e vet. Gjithsesi, është Apolonia që e posedon më tepër topin, por pa qenë konkrete dhe duke e humbur gradualist rrezikshmërinë. Korçarët përfitojnë nga një pakujdesi e Ferizoviçit, teksa ndërhyn ndaj Djarmatit dhe kanë shënuar golin e barazimit me anë të kapitenit të tyre, Bledi Shkëmbi. Fierakët nuk mund të bëjnë më asgjë, as dy zëvendësimet e bëra nga trajneri Lika. Miqtë mbrohen mirë dhe, pse jo, ruajnë për të shfrytëzuar ndonjë gabim tjetër të mundshëm të fierakëve, për të rrëmbyer maksimumin e luksit nga ky takim. Megjithatë, vetëm barazim, i merituar ky për korçarët dhe i vështirë për Apoloninë, skuadër që është larguar edhe më nga Tirana e vendit të tretë. Nuk ka qenë kjo ndeshja e duhur për të mbyllur këtë vit futbollistik dhe fitorja tashmë është shndërruar në "qershizën e munguar mbi tortën e Vitit të Ri".
Deklarojnë…
Hasan Lika, trajner i Apolonisë: "Jemi futur në fushë për ta fituar këtë ndeshje. Pjesa e parë ka qenë e mirë për ne dhe kemi zhvilluar më shumë lojë, duke e konkretizuar me golin e avantazhit, por nuk kemi mundur ta ruajmë. Kemi gabuar me fillimin e pjesës së dytë dhe kundërshtari arrit ta barazonte rezultatin. Ndoshta duhej të kishim vepruar më mirë nga krahët, edhe me zgjedhjet e bëra. Megjithatë, le të jemi të ndërgjegjshëm, edhe lodhja ka bërë punën e vet, që ka ardhur si shkak i dendurisë tej mase të kampionatit. Mjafton të përmendim faktin se në 30 ditë kemi zhvilluar 9 ndeshje. Megjithatë, futbollistët kanë luajtur mirë, pavarësisht se nuk mundëm të fitonim."
Gerti Haxhiu, trajner i Skënderbeut: "Ka qenë një ndeshje e bukur e skuadrës sonë. Eshtë një barazim dhe një pikë e merituar nga ana jonë, pavarësisht se rrezikonim të mos udhëtonim fare drejt Fierit dhe kjo për një ngërç të krijuar në financa dhe jo për faj të presidencës. E dinim që transferta e Fierit do të ishte e vështirë dhe kjo u vërtetua. Sot dua t’u them një "Ju lumtë!?" të madhe futbollistëve, të cilët kanë treguar karakter në fushën e lojës dhe nuk është hera e parë që thyejnë tabunë e ndeshjeve të transfertës."
Të veçanta
- Golat e kësaj ndeshjeje janë shënuar nga kapitenët e skuadrave, Sead Haxhibuliç dhe Bledi Shkëmbi.
- Kapiteni i fierakëve ka shënuar plot katër gola në portën e Skënderbeut këtë edicion.
- Ndeshja e shtatë që Lika drejton skuadrën fierake në kampionat. Bilanci është: 2 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje, golaverazhi 9‑12, 8 pikë të grumbulluara.

Bizhdili nuk do justifikim sot nga Besa

Presidenti Nexhat Bizhdili hedh poshtë aludimet për emrat e lakuar në media për merkaton e dimrit
Pas fitores së djeshme të Tiranës, të gjithë mund të besojnë se Tirana u kthye. Kjo do të përkthehej te tifozëria verdhezi se sfidën e sotme me Gramozin, Besa e tyre duhet ta fitojë patjetër. Nëse deri dje Besës nuk i ka hyrë “gjemb në këmbë”, edhe pse ka barazuar, dy takimet e fundit, ku nga 6 pikët maksimale, në Laç dhe me Tiranën, mori vetëm dy, atëherë kërcënimi i kampionëve në fuqi është real. Si rrallëherë më parë, presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, ka dëgjuar transmetimet në radio dje të takimeve të luajtura. Mjafton ky fakt për të treguar interesimin mjaft të madh lidhur me sfidën e sotme. Pas mbarimit të takimeve të djeshme, ku Tirana fitoi, ja çfarë deklaroi Bizhdili: “E nisëm mjaft mirë sezonin dhe nga diferenca prej mbi 10 pikësh me Tiranën sot me fitoren ata janë 2 pikë para nesh. Unë jo se shoh punët e Tiranës, por Besa ime mbetet ekipi i vetëm që mund të ndjekë e konkurrojë Dinamon. Në këto kushte, kur kemi lënë pikë aty ku rivalët tanë kanë fituar, sfida me Gramozin merr një rëndësi të veçantë. Nëse s’do kishim gabuar aq shumë, punët do të ishin ndryshe po ja që tashmë na duhet të mundim patjetër Gramozin. Kjo do të jetë sfida e fundit e këtij viti e sigurisht pres vetëm fitoren. S’kemi rrugë tjetër, aq më shumë që përballë kemi Gramozin. Jo se dua ta nënvleftësoj, por gjithashtu nuk i barazoj dot vlerat e futbollistëve të mi me ata miq. Thjesht, të besuarit e mi janë të detyruar të fitojnë sot.” Një kërkesë, por mund të merret edhe si ultimatum për të besuarit e Shpëtim Duros. Kundërshtari i radhës është jo Dinamo e Tirana, por Gramozi dhe, nëse Besa nuk mund dot as Gramozin, atëherë nuk mund të flitet më për ekip pretendent. Në fakt, krahas sfidës së sotme, qarkullojnë mjaft emra si të kërkuar apo pranë Besës. Presidenti Bizhdili ka qartësuar se kërkon dy mesfushorë dhe një sulmues. Po i pyetur mbi deklarimet për mundësinë që korçari Shkëmbi të ketë biseduar me të, Bizhdili nuk pranon të ketë deklaruar qoftë edhe një emër të vetëm. Lidhur me këto aludime të medias, Bizhdili u përgjigj: “Nuk e mohoj që në adresën time direkt apo indirekt, qoftë me miq, apo media, më janë ofruar shumë emra për t’u bërë pjesë jona. Nisur nga fakti se deri më tani i kam lënë çdo gjë trajnerit Duro, edhe në këtë moment vetëm ai mund të deklarojë emrat të veçantë. Sigurisht, me trajnerin Duro kam biseduar edhe për emra të veçantë, por gjithçka ka mbetur midis nesh e vetëm në fund të janarit do të shihen të ardhurit. Nëse lexoni emra në shtyp, dijeni se mund të jenë vetëm dëshira të njërit apo tjetrit. Mua ky fakt më gëzon nga ana tjetër, sepse tregon besimin që kanë tek unë dhe Besa ime.” Takimi i sotëm mund të ndikojë jo pak në numrin e futbollistëve që do të afrohen në merkato e kjo veçmas nëse Besa nuk fiton.

Gramozi, një mal me mungesa sot në Kavajë

Kolonjarëve do t’u mungojë pothuajse gjysma e ekipit, duke e bërë më të vështirë takimin
Mbasi ka lënë pas atë humbje të pamerituar në transfertën e Vlorës, skuadra e Gramozit ka hedhur vështrimin te takimi i sotëm, që do të luajë sot po në transfertë, madje më të vështirë, atë ndaj Besës së vendit të dytë. Edhe pse vetëm pak orë e ndajnë Gramozin nga kjo përballje, të gjithë futbollistët duken optimistë se nga kjo sfidë do të arrijnë të marrin një rezultat pozitiv. Megjithatë, shfrytëzimi i kohës së mirë gjatë dy ditëve të fundit, e ka ndihmuar trajneri Canaj që të vazhdojë me grupin një stërvitje sipas planit të vendosur që në fillim të javës, duke mos ndryshuar asgjë nga programi i tij. Pavarësisht se të dyja skuadrat ndodhen në pozicione të ndryshme në klasifikim, ku Besa lufton për të kapur kreun dhe Gramozi për mbijetesë, mbrojtësi Klaudio Rexhepi do të shprehej: “E dimë që sot do të ndeshemi me një nga ekipet më të mira në këtë sezon, por ne duhet të japim më të mirën në Kavajë për të mos dalë pa pikë, pasi do të na e vështirësonte situatën në tabelën e renditjes. Ecuria e deritanishme e skuadrës nuk ka qenë dhe shumë e mirë, megjithatë kemi arritur që në javët e fundit, duke përjashtuar Vlorën, që jemi ndëshkuar padrejtësisht, të marrim rezultate pozitive dhe shpresoj që të vazhdojmë kështu, duke marrë pikë edhe në Kavajë. Pengesa e Kavajës dihet që është shumë e vështirë, por jo e pakalueshme. Në Kavajë luhet një futboll i pastër dhe sportdashësi është tepër objektiv. Shpresoj që edhe ndaj nesh të ndodhë një gjë e tillë, duke luajtur një takim “fair play” dhe në fund të fitojë ai që do të japë më të mirën në fushën e lojës. Mua si një lojtar i mbrojtjes më del për detyrë që të jem sa më i saktë në veprimet e mia dhe të mundohem t’i ndihmoj sa më shumë repartet e tjera,” - shprehet mbrojtësi i Gramozit, Klaudio Rexhepi. Më i shqetësuar për takimin e sotëm duket se është trajneri Agim Canaj, i cili në këtë takim do të ketë mungesa të shumta, të shkaktuara nga kartonët e verdhë dhe lojtarët e dëmtuar një javë më parë ndaj Flamurtarit. Canaj nuk do të ketë të gatshëm pothuajse gjysmën e formacionit, duke filluar nga mbrojtësi Kukaj, Oliveira, Sadiku, Hyseni, Dos Santos, Shaqiri dhe Bajollarin. Ekipi kolonjar, pasi ka kryer stërvitjen e paradites, është nisur rreth orës 12:30 drejt qytetit të Durrësit, aty ku ka dhe qendrën e tij të përhershme të akomodimit për ndeshjet në transfertë. Presidenti Mustafa Taçi ndërkohë ka shpërndarë shpërblimet për gjithë lojtarët për rezultatet e arritura, ndaj Tiranës dhe fitores në shtëpi ndaj Skënderbeut.

Dinamo, për një mbyllje dinjitoze me Laçin

Sipas trajnerit Shkëlqim Muça, dinamovitët duhet të respektojnë dhe kërkojnë fitore me Laçint

Dinamo dhe Laçi do të përballen sot, në orën 13:30, në stadiumin "Qemal Stafa" në sfidën e javës së 17-të të kategorisë superiore. Dy ekipet në fjalë ndodhen në pozita të ndryshme, ku blutë kryeqytetas kryesojnë kampionatin në kuotën e 41 pikëve, ndërsa Laçi ndodhet në vendin e 7-të, me 20 pikë. Por pavarësisht faktorëve të ndryshëm, dinamovitët janë me këmbë në tokë, sidomos pas humbjes ndaj Shkumbinit një javë më parë, pritet kthesa ndaj bardhezinjve. Të njëjtën gjë kërkon edhe trajneri Shkëlqim Muça, i cili kërkon një mbyllje dinjitoze të vitit nga ana e futbollistëve të tij.
Mbyllja
"Laçi s’ka lidhje fare me atë që ka ndodhur me ne në Peqin, ndaj Shkumbinit. Laçi duhet respektuar nga ana jonë për atë mikpritje që na bëri më 3 tetor, në drejtim të fushës e të luftës sportive gjatë ndeshjes, e cila është zhvilluar brenda rregullave të futbollit. Kjo ndeshje nuk ka lidhje me ato që kanë ikur. Ne duhet të vazhdojmë punën tonë për të fituar dhe për t’i bërë një mbyllje të mirë këtij viti. Pse jo, edhe për të ruajtur këtë diferencë pikësh me ndjekësit."
Mësimi
"Çdo humbje lë pasoja psikologjike në skuadër. Por ne jemi përpjekur që këtë humbje ta shohim si një mësim për ndeshjet që do të vijnë, sepse kampionati do të ketë edhe sfida të tjera të vështira dhe terrene të vështira. Prandaj ne duhet të jemi të përgatitur për çdo gjë."
Laçi
"Unë pak e kam parë Laçin në këtë periudhë, megjithatë është një skuadër që duhet respektuar, sepse është mjaft luftarake, vendoset mirë dhe jep maksimumin në fushën e lojës. Mbi të gjitha, është ndër ato që skuadra, të cilat kur debutojnë në një kampionat mes më të mirëve të futbollit shqiptar, luajnë fort dhe kërkojnë edhe surpriza."
Bakaj
"Natyrisht që Bakaj e ka merituar atë titull, por ai është shprehur vetë se suksesi i tij është edhe pjesë e futbollistëve, apo dhe e stafit. Sepse në futboll sukseset janë gjithnjë pjesë e përbashkët e skuadrës. Ai ka vlerat e veta si futbollist, sepse po të mos i kishte këto vlera, atëherë nuk do të ishte më i miri në Shqipëri."
Rivalët
"Mua nuk më shqetësojnë rivalët, sepse jam i përgatitur edhe për fitoret, por edhe për humbjet. Edhe diferenca e pikëve nuk të lë të mendosh për ndjekësit. Sepse, që të jem koshient, unë nuk e kisha parashikuar që në gjysmë të kampionatit të isha kaq pikë larg nga ndjekësit. E po ta thoja këtë, do të isha hipokrit. Megjithatë, po ju them që, nëse do të ishte në vendin tim trajneri i Besës, apo i Tiranës, me këtë diferencë pikësh të gjithë do të ishin të kënaqur. Kemi bërë maksimumin, por kjo është arritur me punë, sepse pa punë nuk bëhet asgjë. Por kjo nuk është vetëm merita ime, por e të gjithëve. Eshtë merita e stafit, sepse unë punoj me staf, sepse jo vetëm fitoret, por edhe humbjet i përballojmë bashkë. Eshtë meritë dhe e drejtuesve, të cilët janë treguar korrektë. Pra, është punë e përbashkët, sepse ndahen përgjegjësitë. Askush nuk e merr qindpërqindëshin e përgjegjësive, sepse në skuadër secili ka pozicionin dhe rëndësinë e vet. Unë kam pozicionin e trajnerit, por pa impenjimin e futbollistëve, asgjë nuk mund të bëhet. Por pa korrektësinë e drejtuesve, pavarësisht impenjimit të trajnerit e futbollistëve, prishet gjithçka. Eshtë një zinxhir, ku hallkat janë lidhur fort dhe punohet për një qëllim të përbashkët. Kur këputet një hallkë, çdo gjë prishet. Duhet ta kuptoni mirë që shkallët e përgjegjësisë janë të ndara, kurse suksesi i përbashkët,"- citon trajneri i Dinamos, Shkëlqim Muça.

Dinamo ndalet përsëri, afrohet Besa

Pas humbjes në Peqin fundjavën e kaluar, blutë kanë gabuar përsëri, duke barazuar 1-1 në “Selman Stërmasi” përballë Laçit.
Në javën e 17-të të Superligës, skuadra e Shkëlqim Muçës nuk shkoi më tepër se një barazim ndaj laçianëve, që nga ana e tyre vazhdojnë momentin pozitiv. Arlind Nora kaloi miqtë në epërsi që në minutën e 12-të, por Sebino Plaku në minutat shtesë ka shmangur humbjen e dytë rresht për skuadrën e tij.
Pas këtij barazimi, kryesuesit e kampionatit tashmë ndodhen 12 pikë para Besës së vendit të dytë, por këta të fundit kanë për të luajtur edhe një ndeshje me Skënderbeun. Kavajasit bënë detyrën sot në shtëpi, duke mundur minimalisht Gramozin 1-0. Skuadrës së Duros i ka mjaftuar goli i Paulin Dhëmbit në minutën e 14-të.
Ndërkohë, në përballjen tjetër të ditës së sotme, Teuta është rikthyer te fitorja, pasi ka mposhtur 1-0 Shkumbinin në “Niko Dovana”. Hyseni në minutën e fundit të pjesës së parë shënoi golin tripikësh për skuadrën e Mirel Josës.

Superliga, java e 17-të:

Dje
Apolonia 1 – 1 Skënderbeu
Kastrioti 0 – 1 Tirana
Vllaznia 2 – 2 Flamurtari

Sot
Dinamo 1 – 1 Laçi
Besa 1 – 0 Gramozi
Teuta 1 – 0 Shkumbini

Elis Bakajn e kërkon Borusia Dortmundi?

Sipas “fussballtransfers.com”, faqes së specializuar në fushën e merkatos, klubi gjerman mund të bëjë një ofertë për 22-vjeçarin që në merkaton e janarit.
Mesfushori i avancuar, që në dhjetor 2008 la Partizanin për t’iu bashkuar Dinamos për shumën e 100 mijë eurove, dy ditë më parë u shpall futbollisti më i mirë i vitit 2009 nga Federata Shqiptare e Futbollit. Forma e jashtëzakonshme që po kalon Bakaj, ka bërë që ai të tërheqë vëmendjen e ekipeve të mëdha.
Sipas faqes gjermane në internet, trajneri i Dortmundit, Jurgen Klop, përdor skemën 4-2-3-1 dhe 22-vjeçari mund të jetë një alternativë e mirë për krahun e majtë të mesfushës së avancuar. Kartoni i Elis Bakajt mund t’i kushtojë klubit të Bundesligës rreth 1.5 milion euro. Megjithatë, deri tani ende nuk është zyrtarizuar asnjë ofertë konkrete.

Shefki Kuçi ka qenë më i miri prej shqiptarëve

Futbollisti Shefki Kuçi ka qenë futbollisti më i mirë jo vetëm ndër shqiptarë. Ai me skuadrën e Koblenzi nga 17 ndeshje të paraqitura ka shënuar shtatë gola, që ka qenë një efikasitet i lartë i tij në ligën e dytë gjermane. Edhe vëllai i Shefkiut, Njaziu luajti 11 ndeshje dhe shënoi dy gola. Futbollisti Shqipëron Skeraj ka pasur 15 ndeshje, duke dëshmuar formë të lartë te Koblenzi. Ervin Skela që njihet si shënues i spikatur në kombëtaren Shqiptare, por nga nëntë ndeshje nuk shënoi asnjë gol të Koblenzi. Futbollisti tjetër shqiptar, Almir Murati në disa ndeshje ka luajtur në pjesën e dytë për Koblenzin, por ka pasur lojëra solide.

Berisha ka pasur më shumë paraqitje

Futbollisti nga Republika e Kosovës, Besart Berisha, ka pasur më shumë paraqitje te skuadra e Arminia e Bilefeldit në ligën e dytë gjermane për dallim nga Edmond Kapllani në Augsburg. Berisha në pjesën vjeshtore luajti 6 ndeshje dhe nuk ka arritur të shënoi asnjë gol. Berisha më shumë është aktivizuar në pjesën e dytë të lojës dhe duke pasur shumë pak minuta lojë. Mirëpo, edhe ato minutat e paktë që i ka zhvilluar në fushë ka pasur paraqitje të mirë.

Kapllani ka pasur një stinor të keq!

Futbollisti Edmond Kapllani, nga njohësit e këtij sporti është pritur të ketë më shumë minutash në radhë e skuadrës Augsburgu, që bën pjesë në Ligën e Dytë të Gjermanisë. Ai nga 17 ndeshje fatkeqësisht është aktivizuar vetëm dy ndeshje (tërësisht 80 minuta). Trajneri i Augsburgut, Jos Luhakay, gjatë një deklarate dhënë gazetës gjermane “Ausburger Allgemaine” ka thënë se “Ne morëm 12 futbollistë të rinj, dhe nuk ishte e mundur që t’i hidhnim të gjithë më fushë. Gjithsesi, Kapllani erdhi me shpresa të mëdha te ne, por fatkeqësisht deri tani ai nuk dalë në lojën e tij, ashtu si ne dhe ai priste të paraqitej”.

Gjasula ka qenë faktorë te FSV Frankfurti

Jurgen Gjasula, i lindur ne shtetin helvetik përkatësisht në Zvicër, ka pasur paraqitje të mira te skuadra e FSV Frankfurtit në ligën e dytë gjermane. Madje në ndeshjen e javës së fundit të stinorit vjeshtor ka qenë edhe autorë i golit nga penalltia në fitoren e skuadrës së tij me shifrat 1:0 kundër Koblenzit. Gjasula luajti 12 ndeshje dhe shënoi vetëm dy gola, për çka vlerësohet si sukses i mirë për këtë futbollistë të shkathët.

Ugzmajli: 80 për qind jemi të kënaqur

Futbollisti Alban Ugzmajli shprehet i kënaqur me rezultatet që ka pasur skuadra e tij, Flamurtari i Prishtinës, në edicionin vjeshtor në Raiffeisen Superligën e Kosovës. “Rezultatet e Flamurtarit gati janë edhe ato që janë kërkuar nga shtabi dhe futbollistët. Edhe pse kemi mundur që të kemi edhe shumë më tepër sa i përket rezultateve, prapëseprapë jam i kënaqur me pozitën e tretë me 27 pikë të tubuara. Mund të them se nuk jemi të kënaqur me lojërat tona që kemi dëshmuar në shtëpi sepse kemi lëshuar disa pikë në terrenin tonë madje edhe jashtë fushës kemi pasur raste për të fituar më shumë pikë. Pavarësisht kësaj jam i kënaqur 80 për qind me rezultate”, tha Ukgzmajli.

Rama & Shala, gati për Kombëtare

Dy kandidatët për ta veshur fanellën e Kombëtares shqiptare, Valdet Rama dhe Andis Shala, janë të gatshëm t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së selektorit Josip Kuze, nëse ky i fundit kërkon shërbimet e tyre.
Trajneri kroat, në një intervistë për g.j, tregoi se është duke vëzhguar me vëmendje sulmuesin e Hannoverit, Valdet Rama dhe atë të Dundee United, Andis Shala. Ndërsa për këtë janë në dijeni të dy kosovarët.
Ish anëtari i klubit gjerman VfR Mannheim, Andis Shala mezi pret të marrë ftesë nga trajneri Josip Kuze dhe të realizojë ëndrrën duke luajtur për Kombëtaren shqiptare.
“Kam dëgjuar që Kuze është duke më përcjellë. Besoj se me angazhimin tim do ta bind atë që të më ftojë në Kombëtare. Shpresoj të më thërrasë. Unë mburrem me lujt për kombin tim”, ka thënë Shala për g.j.
Në anën tjetër, edhe Valdet Rama është i informuar se kroati është duke e vëzhguar. Madje ish sulmuesi i Wolfsburgut është takuar sy më sy me Josip Kuzen javën e kaluar, pas ndeshjes Hannover ’96 – Bochum.
“Jam takuar me Kuzen. Pata një bisedë mjaft të mirë me të. Më tregoi që është i interesuar për mua dhe për këtë më vjen mirë”, thotë Rama i cili ishte vëzhguar edhe nga ish trajneri i Shqipërisë, Otto Bariç.
Sulmuesi i Hannoverit është i gatshëm ta veshë fanellën kuqezi, për të cilën thotë se do të japë gjithçka nga vetja.
“Kam ëndërruar të luaj për Shqipërinë. Nëse Kuze më fton, atëherë do jap 100 për qindëshin me gjithë dëshirë nga vetja për fanellën kuqezi”, theksoi ish anëtari i Ingolstadtit.
Nëse Rama dhe Shala vishen kuq e zi, atëherë numri i kosovarëve në Kombëtare pritet të rritet në nëntë.
Aktualisht në Kombëtaren shqiptare luajnë gjashtë kosovarë: Arian Beqaj, Lorik Cana, Armend Dallku, Debatik Curri, Besart Berisha dhe Samir Ujkani, derisa shumë shpejt atyre pritet t’u bashkohet edhe Mërgim Mavraj.
Ndërsa në të kaluarën fanellën kuq e zi e kanë bartur edhe Besnik Hasi, Mehmet Dragusha, Bekim Kastrati dhe Blerim Rrustemi.

Besa hedh "rrjetat" në Kosovë për sulmin

Besa vazhdon bisedimet në shumë drejtime për afrimin e të paktën një sulmuesi, i cili do të luajë përkrah Daniel Xhafës. Tashmë drejtuesit e klubit po studiojnë merkaton kosovare, ku po përflitet për një rikthim të mundshëm të Driton Krasniqit. Prej shumë javësh, trajneri Shpëtim Duro ka theksuar se verdhezinjve u nevojitet një përforcim në repartin ofensiv, i cili është shfaqur si më problematiku deri në këtë pjesë të sezonit. Presidenti Nexhat Bizhdili është i gatshëm të plotësojë kërkesën e drejtuesit të stolit, edhe sepse verdhezinjtë duhet të mbrojnë vendin e dytë në klasifikimin e Superiores. Deri më tani, drejtuesi më i lartë i klubit kavajas ka biseduar privatisht me Migen Memellin (i cili ka rënë parimisht dakord të rinovojë me Tiranën), me sulmuesin e Dinamos, Sebino Plaku, me kapitenin e Skënderbeut, Bledar Shkëmbi, por edhe me dyshen serbe të Apolonisë, Sead Haxhibuliç dhe Mllade Brkiç.

Lorik Cana: Të mundim Evertonin

Kapiteni i Sandërlendit, Lorik Cana, insiston se kjo është java kur skuadra e tij duhet të prishë serinë e rezultateve negative. Paraqitjet shumë tërheqëse që nga momenti i mbërritjes në radhët e ekipit anglez e kanë shndërruar në të preferuarin e të gjithë tifozëve. Në prag të ndeshjes së kësaj jave ndaj Evertonit, shqiptari synon të ndezë atmosferën. Për këtë arsye, kapiteni i "Maceve të Zeza" i ka bërë thirrje tifozëve, të cilët do të ishin një faktor i rëndësishëm në ndeshjen kundër Evertonit. "Ne kemi qenë të pafat në disa nga ndeshjet e fundit dhe tani keni shumë nevojë për pikë, sepse po na afrohen të gjithë rivalët që kishim pas", tha ai. "Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe një fitore do të kthente besimin e tifozë dhe do të na vendoste në pozita shumë komode në pritje të fazës së dytë. Kemi nevojë për mbështetjen e tifozëve këtë të shtunë dhe është e rëndësishme që të gjithë të jenë atje, sidomos në momente të vështira. Ne do të japim maksimumin tonë", përfundoi Cana.