22 dhjetor 2009

FLESH LAJME - nga Kategoria Superiore

Luçi kërkon edhe një sforco me Flamurtarin

Trajneri i Vllaznisë, Roland Luçi, beson se ekipi që drejton mund të fitojë ndaj vlonjatëve
Fitorja me Teutën natyrisht që e ka gëzuar. Kjo është parë lehtësisht në sytë e tij pas ndeshjes. Natyrisht, ai e dëshiron këtë sukses më shumë sesa askush tjetër, sepse do t’i bindë të gjithë që Vllaznia nuk ka gabuar me zgjedhjen në pankinë. Roland Luçi ka deklaruar pas ndeshjes me durrsakët se tashmë për të dhe skuadrën më shumë se çdo gjë tjetër kanë rëndësi pikët. “E merituam fitoren, sepse e kontrolluam lojën gjatë gjithë kohës dhe, ndonëse lëshuam në momente të caktuara, sërish nuk e vumë në diskutim fitoren,” - deklaroi Luçi. Në fakt, si Vllaznia, ashtu edhe Luçi, kanë pasur nevojë më shumë se kurrë për pikë.
Skuadra për t’u ngjitur në vendin që i takon dhe trajneri për t’u thënë të gjithëve se ka vlera si trajner. Njëkohësisht, për të hedhur poshtë edhe gjithë fjalët që kanë qarkulluar për largimin e tij dhe ardhjen e trajnerëve të tjerë. Luçi ndërkohë ka premtuar edhe një tjetër fitore me Flamurtarin dhe të gjithë pastaj do të shkonin në pushimet e fundvitit më të qetë. “Fitorja me Teutën ishte e rëndësishme, sepse na dha pak qetësi. Jam i bindur se do të fitojmë edhe me Flamurtarin dhe pastaj gjërat kanë për të qenë edhe më mirë për ne. Vllaznia kurrsesi nuk e meriton të jetë në fund të tabelës së renditjes.
Prandaj dhe unë besoj shumë se ngjitja tashmë ka filluar dhe nuk do të kthehemi më pas. Madje pa kaluar shumë javë, do të shkojmë në vendin që na takon,” - thekson Luçi. Në ndeshjen e fundit është shfaqur si protagonist sërish 17-vjeçari Djepaxhia. Para dy javësh, me kartonin e kuq të marrë në ndeshjen me Kastriotin dhe këtë herë ndaj Teuëts, sepse ka shpëtuar portën e tij nga një gol i sigurt pikërisht në minutat shtesë.
Luçi sigurisht që ka meritën e madhe të aktivizimit të këtij lojtari, ashtu si edhe të tjerë lojtarëve të rinj. Megjithatë, në rastin e Djepaxhisë thotë se lojtari ka bërë vetëm detyrën. “Djepaxhia bëri vetëm detyrën. Ne si trajnerë e aktizivizojmë për t’i shërbyer skuadrës dhe, nëse ai bëri një gjë të mirë, do të thotë se nuk kemi gabuar në zgjedhjen që kemi bërë.
Ai duhet të vazhdojë të punojë,” ‑ ka thënë tekniku i kuqebluve. Përballja me Flamurtarin konsiderohet e rëndësishme, sepse marrja e tri pikëve do të thoshte një hap më tepër në kthimin e Vllaznisë në vendin që i takon. Me 21 pikë në renditje, gjërat do të ishin më ndryshe dhe për këtë arsye në këtë ndeshje ka një vlerësim edhe më të madh se në atë me Teutën.

Bala, i vetmi shkodran në “zborin” e kombëtares

Emri i Bekim Balës do të jetë i vetmi nga futbollistët e Vllaznisë që janë thirrur nga trajneri i kombëtares Josif Kuzhe për “zborin” e janarit që do të zhvillohet në Turqi nga data 3‑10 janar. Kjo bëhet e ditur nga vetë drejtuesit e klubit shkodran, të cilëve u ka mbërritur shkresa përkatëse nga FSHF‑ja për lejimin e këtij sportisti për këtë grumbullim. Ky është një sukses për këtë futbollist, që pikërisht në janar do të mbushë 19 vjeç. Ai po shfaqet çdo ditë e më tepër si protagonist te Vllaznia, teksa ka shënuar plot 10 gola këtë sezon (5 në kampionat dhe 5 në kupë) me këtë skuadër.

Shifrat e javës së 16‑të të superligës:

U shënuan 15 gola (8 në 45 minutat e para), që do të thotë 3 gola mesatarisht për çdo ndeshje (nuk përfshihet ndeshja Skënderbeu‑Besa).
- Numri i përgjithshëm i golave arriti në 207, ose mesatarisht 13.8 për çdo javë.
- A.Abilaliaj i Tiranës shënoi golin e 200‑të të kampionatit në ndeshjen me Apoloninë.
- Kreu i golashënuesve më të mirë nuk ka ndryshim: E.Bakaj i Dinamos udhëheq me 10 gola.
- Nga të huajt e superligës sonë kanë shënuar këtë javë braziliani Flavio Junior dhe slloveni D.Gjukiç të Flamurtarit dhe maqedonasi S.Gjorevski i Shkumbinit.
U dhanë tre 11‑metërsha dhe u realizuan të tre nga F.Junior (Flamurtari), I.Çaushaj (Shkumbini) dhe M.Memelli (Tirana).
U regjistruan 5 fitore nga skuadrat pritëse.
Pas 16 javësh, Dinamo nënshkruan kapitullimin e parë në këtë kampionat.
Vllaznia e Teuta zhvilluan ndeshjen e 145‑të jubilare. Kuqeblutë përsëritën fitoren e fundit të arritur më 15.11.2008, ndërkaq E.Alikaj depozitoi golin e 185‑të në portën durrsake.
Tirana dhe Apolonia luajtën takimin e 70‑të jubilar, kurse M.Memelli është autor i golit të 150‑të jubilar në portën fierake.
Në ndeshjen e 40‑të jubilare, Shkumbini shpartalloi Dinamon kryesuese 4‑0, ndërsa Sekseri është autor i golit të 25‑të në portën e skuadrës blu.
Flamurtari, pas 10 javësh, arrin fitoren, këtë herë duke mundur Gramozin dhe i merr revanshin atij me të njëjtën monedhë e rezultat (2‑0).
U dhanë 15 kartonë të verdhë dhe numri i përgjithshëm i tyre shkoi në 386, që do të thotë mesatarisht 25.73 për çdo javë.
U dha vetëm një karton i kuq dhe numri i përgjithshëm i tyre shkoi në 29, ose mesatarisht 1.8 për çdo javë.

Abilaliaj: Pas Apolonisë, radhën Kastrioti

Sulmuesi Arbër Abilaliaj pas fierakëve kërkon që të shënojë edhe në ndeshjen me krutanët
Fitorja me Apoloninë ka rikthyer buzëqeshjen e munguar në kampin bardheblu jo vetëm te lojtarët dhe stafi, por edhe te tifozët. Kjo fitore i ka afruar kryeqytetasit me tepër me ekipin e vendit të dytë, Besën, edhe pse kjo e fundit ka një ndeshje më pak. Entuziazmi i fitores me fierakët nuk ka zgjatur shumë në kampin kryeqytetas, pasi dje, nën drejtimin e Alban Tafajt dhe Nevil Dedes, skuadra ka nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës me Kastriotin që do të zhvillohet në Krujë.
Kjo përballje parashikohet mjaft e vështirë, aq më tepër që krutanët i bën një surprizë të pakëndshme kampionëve në fuqi në fazën e parë, kur barazuan në kryeqytett dhe fill pas asaj sfide erdhi edhe dorëheqja e parevokueshme e kroatit Ilija Lonçareviç. Sulmuesi Arbër Abilaliaj, iu rikthye golit në takimin me Apoloninë dhe deri më tani ka shënuar katër gola me fanellën e Tiranës.
“Fitorja me Apoloninë ka ardhur në momentin e duhur për skuadrën tonë, pasi ne vinim nga dy rezultate jo të mira në kampionat dhe kemi barazuar me dy ekipe debutuese si Skënderbeu dhe Gramozi. E kishim vlerësuar si duhet përballjen që shkoi, pasi ekipi fierak na mundi në fazën e parë. Jo vetëm kaq, por në organikën e vet kanë lojtarë cilësorë, që do të dëshironte t’i kishte në përbërje çdo ekip i superligës. Kjo është Tirana që presim të gjithë. Ne kemi dominuar jo vetëm me gola, por edhe me lojë, sepse kemi pasur disa raste si në pjesën e parë ashtu dhe në fragmentin e dytë të lojës dhe rezultati mund të kishte qenë edhe më i thellë.
Jam ambientuar mjaft mirë këtu dhe besoj se po të ruajmë këtë ritëm, shumë shpejt jo vetëm do të kemi kapur vendin e dytë, por do të kemi oreks edhe për më larg. Tashmë duhet të përqendrohemi te sfida me Kastriotin, ku unë do të përpiqem të shënojë sërish. Pavarësisht se në fazën e parë krutanët na kanë marrë pikë në “Qemal Stafa”, duke parë formën mjaft të mirë që kemi si skuadër, por edhe harmonizimin dhe marrëdhëniet e mira staf-lojtarë, mendoj se në Krujë Tirana do t’i tregojë mirë “dhëmbët”. E di që nuk do ta kemi të lehtë, por po të luajmë si me Apoloninë, mendoj se do ta kemi më kollaj për ta fituar ndeshjen,”- tha fillimisht ish-lojtari i Flamurtarit, Partizanit dhe Besës, Abilaliaj.
Ndryshe nga sfida e së dielës, kur bardhebluve u munguan tre titullarë të skualifikuar, si Nallbani, Sefa, Bici, në mesjavë ata do të jenë në dispozicion të stafit. Sipas Abilaliajt, me një skuadër më të plotë, një rezultat pozitiv në Krujë do të jetë edhe më i lehtë për t’u arrirë. “Më vjen mirë që në një ndeshje decizive si kjo me Kastriotin, do të jemi më të plotë se ndaj fierakëve. Duhet të japim maksimumin dhe të tregojmë se Tirana mbetet gjithmonë Tiranë dhe nuk e meriton këtë pozicion ku ndodhet aktualisht,”- përfundon deklaratën e tij sulmuesi i bardhebluve, Arbër Abilaliaj.


Grupi, i përgjysmuar në stërvitje

Dje, skuadra e Tiranës ka nisur seancën e parë stërvitore në prag të sfidës që do të luajë në mesjavë me Kastriotin në Krujë. Ndërkohë, ka rënë në sy mungesa e një pjese të mirë të lojtarëve që nuk janë stërvitur me grupin. Bëhet fjalë për kapitenin Muka, Devollin, Karabecin dhe Memellin, të cilët kanë marrë leje pranë stafit teknik. Për sa i përket kapitenit Muka, ai ka probleme shëndetësore. Pritet që në seancën e sotme skuadra të jetë më e plotë dhe stafi t’i ketë të gjithë lojtarët në dispozicion në prag të sfidës me Kastriotin, që është mjaft vendimtare për bardheblutë.

Titullarët stërviten me “doza” të ulëta

Duke qenë se ditën e diel luajtën me Apoloninë, dje disa nga titullarët, si Abilaliaj, Sina, Ahmataj, Osmani, Pashaj, Muzaka, kanë bërë një seancë më të lehtë se futbollistët e stolit, me të cilët është marrë zv.trajneri Dede. Lojtarët e formacionit kanë zhvilluar kryesisht vrapime aerobike rreth fushës.

Lila i thotë “lamtumirë” për 2009-n

U duk se dëmtimi në Kavajë do të kalonte shpejt për mbrojtësin e bardhebluve dhe të përfaqësueses sonë, Andi Lila, mirëpo siç pohon vetë lojtari, u ka thënë lamtumirë fushave për vitin 2009. Ashtu si ndaj Apolonisë, edhe ndaj Kastriotit Lila do të mungojë dhe do të bashkohet me skuadrën në ditët e para të vitit 2010.

Bizhdili nuk dorëzohet: Titulli, i hapur!

Presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, pohon se kampionati është i gjatë dhe çdo gjë ndodh
Presidenti i Besës karikon skuadrën e tij. Nexhat Bizhdili, numri një i klubit kavajas, që në kampionatin në vazhdim ka mbajtur në plot 15 javë vendin e dytë, si ndjekësja më e afërt e Dinamos kryesuese, nuk është i një mendjeje me trajnerin e tij, Shpëtim Duro. Nëse ky i fundit, pas dy barazimeve të fundit, 1‑1 në Laç dhe 1‑1 në Kavajë me Tiranën, kishte ngritur “flamurin e bardhë”, sa i takon luftës për titull, kjo nuk “votëbesohet” nga Bizhdili, që pas humbjes 4‑0 të Dinamos në Peqin, ka ripërsëritur objektivat e skuadrës së tij.
Ndoshta më entuziast dhe optimist se kurrë. “Kush tha se Besa është dorëzuar në luftën për titull? E di se e ka thënë pak a shumë edhe trajneri Duro, por unë jam plotësisht kundër kësaj bindjeje, që nuk duhet të ekzistojë kurrsesi në mendjet e lojtarëve dhe stafit teknik të Besës. Jo se u mund Dinamo, në ndjekje të së cilës ne jemi, por këtë bindje e kam ngaqë kampionati është ende i gjatë. Mos harroni se nuk është kryer akoma merkatoja e janarit, ku Besa do të jetë e angazhuar fuqimisht.
Si president, gjatë tërë drejtimit tim të Besës, nuk kam pasur një skuadër kaq cilësore, ndaj nuk kam si dorëzohem kaq shpejt për titullin, i cili mbetet objektivi ynë kryesor. Do të luftojmë deri në fund për t’ia bërë dhuratë popullit kavajas një titull kampion, që i mungon aq shumë. Kam folur me trajnerin Duro dhe kam marrë udhëzimet e tij, se çfarë i duhet skuadrës si përforcim, ndaj kam filluar negociatat me lojtarë të ndryshëm. Një gjë është e sigurt: te Besa do të afrohen edhe dy mesfushorë dhe një sulmues cilësor, që të bëjnë diferencën.
Ky do të jetë shërbimi i radhës, që unë si president do t’i bëj trajnerit Duro, i cili ka të gjitha aftësitë për ta udhëhequr skuadrën drejt fitimit të titullit kampion, por edhe të Kupës së Shqipërisë. Natyrisht, zonën europiane e kemi thuajse të sigurt tashmë, përmes vendit të dytë në kampionat, por kjo gjë nuk na mjafton si skuadër. Jemi të vendosur për ta synuar titullin kampion deri në atë moment kur matematika të mos na lejojë. Vërtet kemi bërë gabime rrugës, por të tilla gjëra janë të pranueshme në futboll.
Pa diskutim do të bëjë hapa false edhe Dinamo, sikurse këtë herë në Peqin, ndaj detyra jonë është t’i ndjekim blutë kryesues këmba‑këmbës. Ju siguroj se do t’ia bëjmë “jetën” të vështirë Dinamos,” - ka theksuar Bizhili. I pyetur në lidhje me “pengesën” kryesore që po has Besa e tij në këtë kampionat, fusha tepër e keqe e stadiumit kavajas, presidenti Bizhdili pohon: “Eshtë e vërtetë që fusha e keqe e Kavajës, më e keqja në superligë, na ka penalizuar jashtë mase.
Mjafton të kujtojmë ndeshjen e fundit me Tiranën, kur Daniel Xhafaj kaloi edhe portierin Nallbani, por topi i ngeci në baltë. E kemi ndarë mendjen si klub tashmë, në këtë fushë do të luajmë edhe ndaj Gramozit, ndeshjen e radhës në shtëpi, pastaj do ta heqim tapetin ekzistues për ta zëvendësuar me të riun. Kam marrë garanci se tapetin do të na e sjellë federata, kështu që menjëherë do të nisim nga puna për rikonstruksionin e fushës.”

Gramozi sërish e pëson nga gjykimi skandaloz

Gramozi është mundur në Vlorë, por jo nga loja e dobët e ekipit, por nga gjykimi skandaloz i Sokol Çekajt, i cili kishte hyrë me paramendim për ta ndëshkuar Gramozin. Kryesia e klubit dhe gjithë sportdashësit e Ersekës kanë qenë tepër të shqetësuar kur kanë parë në moviolë atë penallti një metër larg vijës së zonës. Gjyqtarët fundja le të dënohen, por Gramozit po i ikin pikët një nga një dhe nuk i intereson dënimi i këtij apo atij gjyqtari. Tri pikë të humbura ndaj Laçit në mënyrë flagrante nga gjyqtari Meta dhe tani vjen kjo e fundit në Vlorë.
Pra, këto nuk janë të rastësishme. Disa “aktorë” të garës nuk pajtohen dot me faktin që një skuadër e vogël si Gramozi të luajë në superligë dhe duan ta rrëzojnë. Por ndoshta kjo do të jetë hera e fundit. Largimi nga stadiumi i Vlorës në mënyrë demonstrative i trajnerit Canaj la të nënkuptohet një gjë, se ai ishte i pakënaqur nga gjykimi, por nuk doli në konferencën për shtyp, pasi me siguri vlonjatët do ta “kryqëzonin” për ato çka do fliste.
Por si duket kolonjarët nuk do të lejojnë tani e tutje të luhet me djersën e tyre. Kalendari në mesjavë e vë Gramozin përballë Besës, aq më tepër që luhet në transfertë. Vështirësitë dihen, por kjo nuk do të thotë se kolonjarët janë të dorëzuar pa u luajtur takimi. Ashtu siç i morën një pikë Tiranës, ashtu mund t’i marrin pikë çfarëdolloj skuadre. Besa do të jetë e favorizuar edhe për faktin se nuk ka luajtur në fundjavë, megjithatë shpresa vdes e fundit.

Muça: Shkumbini fitoi, por humbi futbolli

Sipas trajnerit Shkëlqim Muça, skuadra e Shkumbinit e ka merituar fitoren, duke mos e paragjykuar
Edhe pse nga pala dinamovite ka pasur ankesa lidhur me terrenin sportiv në fushën e Peqinit dhe humbjen e thellë në shifrat 4-0, trajneri Shkëlqim Muça, me anë të një interviste për “Sportin shqiptar” shprehet se bardhekaltrit e kanë merituar fitoren. Por në krahun tjetër të “medaljes” tekniku blu ka rezervat e veta për kushtet e terrenit dhe vazhdimin e sfidës për 90 minuta në një fushë ku, sipas Muçës, vetëm futboll s’mund të luhej.
- Z. Muça, çfarë ka ndodhur konkretisht në Peqin?
- Ka ndodhur që Shkumbini e ka merituar fitoren me Dinamon. Ekipi ynë nuk ka treguar forcë karakteri dhe nuk i është përshtatur në asnjë moment terrenit të rënduar. Për kushtet që është zhvilluar kjo sfidë, mendoj se peqinasit kanë fituar me meritë.
- A mund të mos zhvillohej kjo sfidë, duke parë kushtet në të cilat është luajtur?
- Normalisht, në një terren të tillë, loja s’duhej zhvilluar, por derisa loja nisi, ne nuk treguam forcë karakteri. Është e vështirë për mua ta shpjegoj me fjalë të tjera, sepse në terrene si ai i Peqinit, unë si trajner s’mund t’u kërkoj lojtarëve të mi gjithçka, sepse në atë sfidë dikush mund të mbyllte edhe karrierën. Në pushim të ndeshjes disa nga futbollistët më kanë kërkuar të mos e vazhdojnë më lojën, ndërsa unë u kam thënë të vazhdojnë vetëm për të mos e lënë në mes, sepse janë organe të tjera që duhet të merren me pezullimin e lojës në të tilla kushte.
Çdo ndeshje mund të zhvillohet në të gjitha llojet e kushteve sa për të thënë e bërë, ashtu kot, bjeri topit. Por kur ka baltë dhe topi nuk ecën, normalisht do të ketë edhe dyluftime të rënda dhe dëmtime, madje edhe të rënda, ku lojtarët rrezikojnë edhe karrierën e tyre. Ata mbajnë familjen me këtë profesion dhe në ato terrene mund të thyhesh këmbën, të nxjerrësh gjurin dhe gjithçka. Eshtë detyrë e FSHF-së për të parashikuar ndërprerjen e takimeve të tilla. Por kjo që them s’ka lidhje me Shkumbinin. Ai u fut në fushë, dha maksimumin dhe e fitoi ndeshjen.
- Nga informacionet që gazeta ka, arbitrat e takimit s’kanë kryer as nxemjen e nevojshme para këtij takimi…?
- Unë nuk di kur erdhën apo ikën gjyqtarët, pasi me këtë punë duhet të merret i deleguari i FSHF-së. Unë di që ajo fushë ishte jashtë çdo standardi për të vazhduar ndeshjen. Këtë gjë e kanë thënë edhe nëpër studio si specialistë apo edhe ish-arbitra me emër të Shqipërisë.
Pse në Korçë nuk u zhvillua ndeshja? Është shumë normale që të mos zhvillohej, sepse ai terren me borë më pas do të bëhej me baltë, çka është tepër i rrezikshëm për futbollistët, prandaj edhe ndërpriten ndeshjet. Për ta mbyllur këtë temë: Në atë ndeshje Shkumbini fitoi me meritë, por humbi futbolli.
- Mund të ndodheni sërish në të tilla situata. Do të pranoni sërish humbjen për arsye të terrenit?
- Nëse FSHF-ja nuk ndërhyn sipas rregullores në të tilla situata, kampionati mund të degjenerojë. Sepse në momentin e parë, kur fillon kampionati, fushat janë shumë të mira. Por kur ato rëndohen dhe bëhen jopraktike, atëherë komisioni mund të vendosë që “x” ekip të luajë në fushë asnjanëse, ose klubi përkatës të investojë për rregullimin e terrenit. Unë mendoj se fushat i bën bashkia dhe jo FSHF-ja, kjo e fundit ka detyrë vetëm të survejojë. Në Tiranë luhet në kushte optimale, por kur shkon në një tjetër fushë, gjen anën e kundërt.
Nëse do të jemi sërish përballë një terreni të tillë, të jeni të sigurt që do të kërkojmë dhe insistojmë të mos futemi në fushë. Në Peqin s’na pyeti njeri fare, por tani s’do të presim që të na pyesin të tjerët, do marrim masat tona. Nëse e shikojmë që loja bëhet e papërshtatshme gjatë zhvillimet të saj, do veprojmë me mënyrat tona. Futbollistët e Dinamos janë cilësorë dhe kërkojnë terrene të përshtatme për të shpalosur vlerat e tyre.

Precedenti: Shkumbini-Tirana u ndërpre më 2001-shin

“Duhet të kuptoni diçka. Loja s’mund të ndërpritet pa nisur ende, ajo mund të fillojë dhe të ndërpritet më pas. Unë kam qenë vetë trajner në një situatë të ngjashme. Edhe ju mund ta kujtoni shumë mirë 8 vite më parë po në Peqin, kur drejtoja skuadrën e Tiranës më 2001. Në fund të pjesës së parë, apo në fillim të pjesës së dytë, ka filluar një shi i rrëmbyeshëm dhe fusha është bërë e papërshtatshme për të luajtur futboll dhe gjyqtari, në bashkëpunim me vëzhguesit e FSHF-së, vendosi që sfida të ndërpritej. Dhe është zhvilluar ditën tjetër, duke nisur me rezultatin 0-0, kur një ditë më parë, kur sfida qe ndërprerë, ne udhëhiqnim 1-0 ndaj Shkumbinit,” - kujton Muça.

Prova e topit? Ndëshkohesh me karton

Pyetja kryesore, e drejtuar nga gazetarët në ambientet blu ndaj protagonistëve të Dinamos në sfidën e Peqinit, ka qenë: “A është bërë prova e topit nga gjyqtari Janku në Peqin”? Përgjigjen e jep trajneri Muça gjatë prononcimit të tij: “Ka pasur momente gjatë ndeshjes që Allmuça e ka marrë topin dhe e ka përplasur në tokë për t’i treguar gjyqtarit që nuk kërcen, por Janku i ka bërë me shenjë që, nëse e përsëriste edhe një herë një gjë të tillë, do të ndëshkohej me karton.”

Të huajt e Dinamos fillojnë “shtegtimet”

Pas largimit për në vendlindje (Serbi) të mbrojtësit Marko Putinçanin, i pezulluar nga komisioni i disiplinës, ditën e djeshme edhe mbrojtësi Lukas Malakarne ka udhëtuar drejt Argjentinës, pasi ai është i padisponueshëm për sfidën e së enjtes ndaj Laçit, pasi ka plotësuar në Peqin numrin 3 të kartonëve të verdhë.

Superliga, 7 ditë në provë për kombëtaren

Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë dje publike listën e futbollistëve që do të grumbullohen nga trajneri i kombëtares. Josip Kuzhe, për “zborin” njëjavor të janarit, që do të zhvillohet në Antalia të Turqisë. Siç kishte premtuar, Kuzhe është bazuar në hartimin e kësaj liste te futbollistët e rinj, të cilët kanë cilësitë dhe mundësi reale që një ditë të përfaqësojnë ngjyrat kuqezi në arenën ndërkombëtare.

Bëhet fjalë për kombëtaren e madhe, sepse thuajse të gjithë futbollistët e listës kanë luajtur me përfaqësuesen U-21. Arjan Pisha, mbrojtësi i Dinamos është lojtari i vetëm i përfshirë në listë që i kalon të 30-at, çka tregon më qartë dëshirën e kroatit për t’u bazuar tek elementët e rinj të perspektivës.

Shpresa përbën boshtin e të grumbulluarve

Duke mos pasur alternativa të tjera më të mirë, Kuzhe është bazuar përgjithësisht te futbollistët e Shpresës, që drejtohet nga Artan Bushati. Nga 20 futbollistë të përfshirë në listë, 12 prej tyre vazhdojnë të jenë kontigjent i 21-vjeçarëve, duke u nisur që nga portierët Moçka dhe Hoxha, mbojtësit Veliu, Semina, Bicaj e Gocaj, te mesfushori Lilaj e në fund katërshja e sulmit Roshi-Bala-Cikalleshi-Shkurtaj. Sulmuesit e rinj të talentuar kanë rënë në sy që në moshe fare të re, por akoma nuk janë ingranuar plotësisht me Shpresën.

Kuzhe është shprehur me superlativa për këta 19-vjeçarë, por njëkohësisht ka theksuar se atyre do t’u duhet shumë punë dhe eksperiencë për të përfaqësuar denjësisht bluzën kuqezi. Futbollistët e tjerë të përfshirë në këtë listë kanë luajtur me kombëtaret e moshave në të kaluarën, por që për shkak të moshës nuk mund të luanim më me Shpresën. Kuzhe ka grumbulluar disa mesfushorë tashmë me eksperiencë, si Muzaka, Veliaj, Muça e Sefa, që nuk i kalojnë 23-25 vjeç.

Pisha, Kuzhe i beson përvojës

Arjan Pisha është futbollisti i vetëm që ka diferencë moshe me të gjithë të grumbulluarit e tjerë. Mbrojtësi i Dinamos është 32 vjeç, ndërsa futbolllisti i dytë më i madh në moshë është 25-vjeçari Gjergji Muzaka. Vendimi i kroatit duket befasues, por e ka një shpjegim.
Në ndeshjet që ka luajtur së fundmi Dinamo, ku ka qenë i pranishëm edhe Josip Kuzhe, Arjan Pisha e ka drejtuar më së miri repartin e mbrojtjes, duke shfaqur siguri. Kreu i pankinës kuqezi nuk i ka kursyer komplimentet për Pishën, ndonëse ka qenë skeptik për moshën dhe kampionatin ku luan. Mirëpo kombëtarja shqiptare ka shumë probleme në prapavijë, aq sa trajnerët vitet e fundit kanë qenë të detyruar të tërheqin Lorik Canën në qendër të mbrojtjes.
Gjithashtu, edhe Debatik Curri ka luajtur shumë i tërhequr, kur dihet që me Vorsklën luan në mesfushë, madje shquhet edhe si golashënues. Arjan Pisha mund të konsiderohet alternativë e mbrojtjes kuqezi në raste emergjence (dëmtimesh dhe ndëshkimesh me kartonë). Pavarësisht se e ka grumbulluar, kroati pret një paraqitje të nivelit të lartë të Pishës, që të mund t’i afrohet ritmit të kombëtares.

Prova e radhës për “moshën e mesme”

Disa nga futbollistët e kësaj liste janë grumbulluar edhe më parë nga trajneri Kuzhe, por disa prej tyre nuk e kanë pasur fatin të luajnë. Para ndeshjes miqësore me Estoninë, në listë u përfshinë Elis Bakaj, Jetmir Sefa, Gjergji Muzaka, Andi Lila, ndërsa Maringeln Shoshi është stërvitur disa ditë në Gjermani para takimit të fundit eliminator me Suedinë.
Edhe Gentian Muça është pëlqyer më parë nga kroati, por nuk ka mundur të udhëtojë për shkak të problemeve me vizën gjermane. Të gjithë këta lojtarë, të një moshe pak më të madhe se të lojtarëve të Shpresës, janë në provën e radhës për t’i treguar Kuzhes se vlejnë për kombëtaren.

Vasil Shkurtaj, “çunaku” i thirrur nga Kuzhe

Është vetëm 17 vjeç dhe stërvitet me ekipin e të rinjve të Olimpiakosit. Trajneri brazilian Ziko e ka kërkuar t’i bashkohet skuadrës së parë të Olimpiakosit, por i duhet të pajiset me pasaportë helene, që të mos konsiderohet ekstrakomunitar. Bëhet fjalë për Vasil Shkurtajn, sulmuesin me origjinë nga Vlora që luajti rreth 20 minuta në takimin që Shpresa e humbi me Bjellorusinë (2-1) në “Niko Dovana”.
Trajneri i kombëtares, Josip Kuzhe, ka vendosur ta shikojë nga afër në stërvitje gjatë “zborit” të janarit, kështu që e ka përfshirë në listë. Shkurtaj do të jetë lojtari mëi ri në moshë në këtë grumbullim të radhës, ndonëse edhe lojtarët e tjerë janë 19, 20 deri 25 vjeç. FSHF ka kontaktuar me Shkurtajn, duke marrë konfirmimin se do të lihet i lirë nga Olimpiakosi, për t’iu bashkuar kuqezinjve për “zborin” e janarit.

Vila-Shkurtaj, dyshja që luan jashtë

Nga 20 lojtarët e përfshirë në listë, dy prej tyre, pikërisht Emiliano Vila dhe Vasi Shkurtaj luajnë jashtë Shqipërisi. I pari kaloi gjatë merkatos nga Teuta e Durrësit te Dinamo e Zagrebit, për t’u dhënë më pas në formën e huazimit te Lokomotiva e Zagrebit, ku nuk ka gjetur hapësirat e duhura. Vasil Shkurtaj luan në Greqi me të rinjtë e Olimpiakosit dhe do t’i bashkohet skuadrës në Turqi. 18 futbollistët e tjerë luajnë në kampionatin shqiptar.

Mema-Demollari nisin grumbullimin në Greqi

Dy trajnerët e përfaqësueseve të moshave, Ardian Mema (U-17) dhe Sulejman Demollari (U-15), prej dy ditësh ndodhen në Greqi për projektin e FSHF-së për zbulimin e talenteve të reja që luajnë në kampionatet europiane. Ky projekt nisi me Greqinë, ku luan një numër shumë i madh fëmijësh të emigrantëve shqiptarë. Gjithçka është organizuar me zyrën e talenteve në fqinjin helen, që drejtohet nga Vangjel Çavo.
Në këtë grumbullim, që ka nisur dje, do të vëzhgohen futbollistët e datëlindjes 1994-1995, pra nga 15 deri 17 vjeç. Për çdo grup-moshë është përpiluar një listë me 25 lojtarë të rinj, që luajnë kryesisht në ligën profesioniste. Në ditën e fundit të grumbullimit do të bëhet një seleksionimi i këtyre futbollistëve të rinj, të cilët do të provohen në një ndeshje kontrolli me bashkëmoshatarët grekë.

Lorik Cana, “gju më gju” me tifozët e Sandërlandit

Kapiteni shqiptar i Sandërlendit, Lorik Cana, pasi ka mbyllur seancën stërvitore të radhës, ka përfunduar mes fansave, për të cilët ka firmosur autografe para Krishtlindjeve. Mesfushori shqiptar ishte në dyqanin e klubit të tij, për t’u takuar me qindra tifozë, që kishin ardhur aty për të, pavarësisht dëborës dhe erës së fortë që frynte. Duke folur për këtë ceremoni të veçantë, Loriku tha: “Ky veprimi im, për t’u takuar këtu me mbështetësit, ishte si një lloj shpërblimi karshi asaj që kanë treguar gjatë gjithë kësaj kohe
Tifozët e Sandërlendit kanë treguar kaq shumë besim tek unë, sa kjo më ka ndihmuar të ndihem me të vërtetë mirë. Ishte një dëshirë dhe obligim i madh për të përmbushur kërkesën e mbështetësve, që ishin kaq të shumtë në numër, sa nuk isha në gjendje t’i takoja të gjithë. Megjithatë, gjej rastin për t’i falënderuar për mbështetjen që më kanë dhënë,”- i tha dje Lorik Cana.