14 dhjetor 2009

Ferrara pranon humbjen, Blank e konfirmon

Tekniku bardhezi, pavarësisht nga humbja, është shprehur i kënaqur me lojën e skuadrës
Si i bëhet tani për të ribashkuar grupin, për t’i thënë tifozëve se kampionati është akoma i hapur, se Liga e Europës ose Kupa e Italisë mund të shpëtojnë sezonin. Si i bëhet për të shpëtuar Çiro Ferrarën. Zhan Klod Blank ka komentuar humbjen duke thënë se “kundër Barit ka qenë zhgënjyes rezultati, por kemi parë një skuadër me dëshirën për të ecur përpara, për të shënuar. Më pas diçka nuk ka funksionuar, penalltia e gabuar ka ndryshuar ndeshjen. Gjithsesi, kemi akoma shumë punë për të bërë”.
Ka ardhur edhe konfirmimi për Ferrarën: “Eshtë trajneri jonë deri në fund. Nuk bën pjesë në historinë e Juventusit të ndryshojë trajnerin, edhe pse ka ndodhur dy ndeshje para fundit në sezonin e kaluar, me një zgjedhje për të cilën marr të gjitha përgjegjësitë, pasi Deshamp ka vendosur vetë të largohet. Titulli? Një javë më parë Juvja ka rihapur kampionatin, ajo i ka aftësitë për të zhvilluar ndeshje të mëdha. Na mungon vazhdimësia dhe duhet të jemi më konkretë para portës kundërshtare. Mund të synojmë akoma rezultate të rëndësishme. Flitet për një rikthim të Betegës? Klubi është në rregull kështu”.
“Nuk kemi kaluar ditë të qeta, - ka qenë komenti i Ferrarës. - Jemi përpjekur të rekuperojmë forcat dhe energjitë që kemi harxhuar të martën kundër Bajernit në Champions. Tani është e vështirë të jepet një shpjegim. Kam parë shumë ndeshje të luajtura në këtë mënyrë që më pas janë humbur.
Megjithatë, jam i bindur se çfarëdo të kishim bërë kundër Barit topi nuk do të kishte përfunduar në rrjetë, edhe për meritë të kundërshtarit. Kur skuadra meriton të kritikohet unë nuk tërhiqem mbrapa, por pas një takimi të tillë nuk ndiej t’i them asgjë lojtarëve. Humbja është shumë e rëndë, por kam parë në sytë e lojtarëve një gjë që kisha kohë që nuk e shihja”. Penalltia e humbur mund të kishte ndryshuar takimin: “Penalltitë mund të gabohen.
Pas kësaj humbjeje do të ketë shumë kritika. Ata që nuk e kanë parë ndeshjen do të krijojnë një ide për një skuadër të mposhtur, në vështirësi. Nuk është kështu. Trajneri është pjesë e projektit dhe i merr përsipër përgjegjësitë bashkë me grupin. Diego? Duhet t’i qëndrojmë afër, është një vlerë e shtuar për këtë klub, e ka filluar mirë sezonin”.