07 dhjetor 2009

Ferrara: Me Bajernin, si finale

Trajneri i Juventusit, Çiro Ferrara, kërkon që në ndeshjen me Bajernin e Mynihut, skuadra të tregojë nivelin e lojës së takimit ndaj Interit.
“Me Bajernin është si një finale. Dua dëshirën, shpirtin dhe vendosmërinë që pashë të shtunën. Do të isha tepër i lumtur nëse skuadra përsërit formën e asaj ndeshjeje”, deklaroi trajneri italian në konferencën për shtyp në prag të sfidës së nesërme.

Numri një i stolit bardhezi është i vetëdijshëm për rëndësinë që ka sfida me gjermanët. “Në këtë ndeshje luhet kalimi i grupit, pra e ardhmja jonë në Ligën e Kampionëve. Prandaj është tepër e rëndësishme për klubin. Është si një finale edhe për Bajernin, megjithatë, vetëm njëra nga skuadrat do të dalë triumfuese”, shtoi ai.

Tekniku bardhezi vlerësoi nivelin e kundërshtarit: “Është një skuadër e madhe, e mësuar të luajë gjithnjë në nivele të larta. Do përpiqet ta mbajë ndeshjen në ekuilibër dhe të na godasë kur t’i jepet rasti”.