14 dhjetor 2009

Fabregas: Vengeri na ka bërtitur në pushim

Kapiteni i Arsenalit, Çesk Fabregas ka zbuluar se trajneri Arsen Venger është sjellë në mënyrë jokarakteristike në pushimin ndërmjet dy pjesëlojëve në ndeshjen kundër Liverpulit....
"Trajneri ka bërtitur drejt nesh. Asnjëherë nuk e kam parë të tillë. Ishte tmerrësisht i zhgënjyer me lojën e treguar në pjesën e parë dhe na tha se me një lojë të tillë as që e meritojmë të bartim fanellën e Arsenalit. Mendoj se ai kishte të drejtë, por ne në pjesën e dytë arritëm t'i kthejmë gjërat në anën tonë", ka theksuar Fabregas. Ndërkohë, vetë trajneri francez, i cili drejton Arsenalin që nga viti 1996 ka refuzuar të tregojë se çfarë saktësisht u ka pohuar futbollistëve të tij. "E kam të vështirë ta sqarojë atë. Liverpuli ishte superior ndaj nesh në pjesën e parë. Gjithmonë përpiqem të jem i qetë dhe i përmbledhur, por është mirë që edhe pas 13 vjetësh mund t'i befasojë futbollistët e mi me gjëra të tilla", ka theksuar Venger, i cili më pas ka komentuar lojën e skuadrës së tij. "U futëm në lojë të frikësuar se nuk do të fitojmë këtë derbi, duke pasur parasysh se kishim humbur në derbit me Çelsin dhe Mançester Junajtedin. Atëherë kur e pamë se nuk kemi çfarë të humbim, arritëm të kontrollojmë ndeshjen, edhe pse duhet pranuar se tek goli i parë kishim fat. Pas atij goli frika kaloi në anën e Liverpulit, kurse pas golit tonë të dytë ritmi i lojës së Liverpulit shënoi rënie, kështu që nuk ishim të rrezikuar thuajse në asnjë moment gjatë pjesës së dytë".