04 dhjetor 2009

EL: Roma vazhdon tutje

Giallorossët kanë arritur të përmbysin avantazhin e Baselit për të siguruar kualifikimin në fazën e mëtutjeshme të Europa League.
Ndeshja e zhvilluar të enjten mbrëma në Stadio Olimpico, ndërmjet Romës dhe Baselit, ka përfunduar me fitoren e vendasve me rezultat prej 2-1. Mysafirët kaluan të parët në epërsi me golin e Benjamin Huggel (19’), ndërsa Francesco Totti barazoi rezultatin nga pika e bardhë (33’), dhe ky ishte rezultati i pjesës së parë. Në pjesën e dytë, vendasit u treguan më efikas, ndërsa një gol i shënuar nga Mirko Vucinic (58’), mjaftoi që Roma ta fitonte ndeshjen. Në takimin tjetër të Grupit E, Fulhami e ka mposhtur CSKA Sofjen me rezultat minimal dhe tash është në garë serioze për të vazhduar tutje. Pas xhiros së pestë, në këtë grup prin Roma me 10 pikë, në vend të dytë është Baseli me 9 pikë, ndërsa pozitën e tretë e mban Fulhami me tetë pikë. Xhiroja e fundit do të vendosë nëse Baseli ose Fulhami do të vazhdojnë tutje, pasi do të jetë një përballje direkte ndërmjet tyre. Skuadra zvicerane mund të kualifikohet edhe me barazim. Ndërsa Roma duhet ta mposhtë CSKA Sofjen për të pasur të sigurt pozitën e parë në grup.