17 dhjetor 2009

Duraku drejt Turqisë

Trajneri kosovar, Faredin Duraku ka gjasa të mëdha që karrierën e tij si trajner ta vazhdojë në futbollin e Turqisë.
Duraku që nga vera është pa punë, kur u nda me Kosovën e Vushtrrisë. Por, ky pushim i gjatë mund t’i shpaguhet trajnerit mitrovicas, sepse ai tani është në bisedime me tri skuadra turke.
Duraku ka gjasa të mira që ta marrë postin e trajnerit të skuadrës nga Stambolli, Sariyer, i cili klub garon në Ligën e dytë të Turqisë. Kjo skuadër tash e disa javë ka mbetur pa trajner dhe kosovari mund ta mbulojë këtë pozitë të mbetur bosh.
“Unë isha në Turqi, ku qëndrova disa ditë. Atje i pata disa takime me zyrtarë të klubit Sariyer, që garon në Ligën e dytë të Turqisë. Ky ekip ka mbetur pa trajner dhe ka gjasa të mira që drejtuesit e klubit të vendosin që të më emërojnë mua. Atyre u ka pëlqyer CV-ja ime. Ndërsa tani ka mbetur që ata të më japin ndonjë përgjigje”, deklaroi Duraku për G.J të martën.
Por nuk është vetëm Sariyer klubi në të cilin mund të ndodhë që Duraku ta ushtrojë profesionin e tij në të ardhmen.
Gjasat janë po ashtu të mëdha që Duraku karrierën e tij ta vazhdojë në ndonjërin prej dy klubeve gjigante të Turqisë, Galatasaray ose Fenerbahce.
Duraku tregon se është takuar me presidentin e Galatasarayt, Adnan Polat, me të cilin ka biseduar rreth angazhimit të tij në shkollën e futbollit të këtij klubi. Për të njëjtën çështje, Duraku tha se ka biseduar edhe me trajnerin e Fenerbahces, Christoph Daum.
“Gjatë qëndrimit tim në Turqi, e përcolla ndeshjen ndërmjet Galatasarayt dhe Panathinaikosit. Atëherë unë u takova me kryetarin e Galatasarayt, me të cilin bisedova rreth angazhimit tim në shkollën e futbollit të këtij klubi. Atij i erdhi mirë që u takua me mua, dhe CV-ja ime i pëlqeu. Tani pres një përgjigje edhe nga ky klub”, pohoi Duraku.
“Unë jam takuar edhe me Daumin, me të cilin kemi biseduar rreth së njëjtës çështje, pra që unë të angazhohem në Fenerbahce. Edhe atij i pëlqej karriera ime, CV-ja ime, dhe tani mbetet të shihet çfarë do të ndodhë”, shtoi ish-trajneri i Trepçës ’89.
Faredin Duraku tregon se ka dëshirë të madhe që karrierën e trajnerit ta vazhdojë në Turqi. Arsyeja pse dëshiron të punoj jashtë Kosovës është se sipas tij, në vendin tonë puna e trajnerit nuk vlerësohet, nga drejtuesit e klubeve.
“Unë do të kisha dëshirë që karrierën ta vazhdoj në Turqi, sepse kam nënshtetësinë e Kosovës, por edhe të Turqisë. Atje ka kushte të shkëlqyeshme për punë. Mendoj se atje me suksese do ta kryeja punën time, sepse e njoh mentalitetin e atjeshëm”, nënvizoi ai.
“Në Kosovë nuk po mundem t’i tregoj vlerat e mia sepse këtu nuk vlerësohet puna e trajnerit. Na bëjnë hesap si punëtore krahu, për ketë fakt jam shumë i zhgënjyer dhe dua që vlerat e mia t’i tregoj në për Evropë aty edhe ku epet rasti”, përfundoi Duraku, i cili së fundmi e ka udhëhequr Kosovën (V).