19 dhjetor 2009

Dinamo kthehet në “Titanik” në Shkumbin, Flamurtari fitore shprese

Më në fund ndalet dhe Dinamo. Madje pëson një humbje shokuese, të thellë dhe që e ngatërron jo pak situatën psikologjike të kryesuesve të kampionatit. Natyrisht, terreni i stadiumit të Peqinit ka qenë tepër i rënduar dhe mund të përdoret nga Dinamo si shkak për këtë humbje 4-0, por rezultati i thellë nuk lë shumë vend për diskutime. Shkumbini i ka bërë “dhuratën” më të bukur të fundvitit kampionatit, kur dukej se titulli kampion ishte punë e kryer tashmë, e kishte fituar Dinamo. Frenimi i bluve i ka dhënë shansin Besës, ndjekëses më të afërt, që të tentojë patjetër të dielën fitoren në Korcë, për ta zvogluar direferencën me kreun, në 11 pikë. Po kështu, stimul moral do të jetë humbja e Dinamos edhe për Apoloninë dhe Tiranën, që mbajnë aktualisht vendin e tretë dhe të katërt, dhe që do të ndeshen të dielën mes tyre në “Qemal Stafa”. Megjithatë, java e 16-të ka thyer një “mit”, apo “tabu”, sikurse mund ta quajmë. Dinamo ka pësuar humbjen e parë, e cila është mjaft e hidhur, pasi është e thellë dhe nuk lë asnjë vend për justifikime. E ka merituar Shkumbini i Peqinit, i cili, edhe me një “dorë kavajase”, atë të trajnerit të sapoemëruar, Përparim Daiut, ka shënuar katër gola, falë luftës burrërore sportive, shpirtit të lartë të garës, cka ka bërë edhe diferencën. Dinamovitët nuk e kanë superuar dot terrenin e vështirë të fushës së Peqinit, ndaj kanë re pre’ edhe e ndërhyrjeve të gabuara, në dëm të kundërshtarit, gjë që është shoqëruar me një penallti dhe një karton të kuq për Kulin. Nëse shikon autorët e golave të Shkumbinit, dy prej tyre janë “ish”-ë të Dinamos. Caushaj dhe Bakiu kanë provuar të luajnë me fanellën blu, por kësaj here kanë shërbyer si “Hamza” për blutë. Ndërkohë, Dinamo, që konsiderohet si “nëndetëse”, javën e 16-të ka përfunduar në “Titanik” në Shkumbin.

Te fitorja, shumë e cmuar, dhe që jep shpresë për vazhdimësinë e garës, është kthyer Flamurtari. Në ndeshjen e luajtur në Vlorë, skuadra e drejtuar nga Gugash Magani ka fituar 2-0 ndaj Gramozit të trajnerit Canaj. Në njëfarë mënyre, Flamurtari është hakmarrë për eliminimin që i bëri Gramozi nga Kupa e Shqipërisë, qysh në 1/16 finale. Dy gola “të huaj” për vlonjatët, i pari me penallti nga Junior, i dyti me kokë nga Djukic, i kanë siguruar 3 pikët e arta skuadrës kuqezi, e cila tashmë nuk është e vetme në fundin e renditjes, pasi i bën shoqëri edhe skuadra korcare, me nga 14 pikë të dyja, ndërsa ajo kolonjare ka një pikë më shumë. Frenohet kësisoji Gramozi, i cili kishte dy-tri javë që nuk humbte, madje i kishte marrë barazim edhe Tiranës kampione në kryeqytet.

Në derbin e Lacit me Kastriotin ka vendosur kapiteni vendas, Julian Brahja, që ka kthyer në gol një goditje dënimi. Gol i shënuar qysh në pjesën e parë, por që ka mbetur në fuqi deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit Peza, i cili ka drejtuar një sfidë të luftuar fort nga të dyja palët. Diferencën e ka bërë loja e grupit, ku bazohet Laci, ndërkohë që individualitetet e Kastriotit, edhe pse kanë krijuar raste të volitshme, nuk kanë qenë produktivë. Tri pikë me shumë vlera për Lacin, që në shtëpi nuk lëshon pe ndaj askujt, por ka ditur të marrë pikë edhe në transfertë, ndërsa Kastrioti kthehet “me këmbët në tokë”, pas një fitoreje të bujshme javën e shkuar, në shtëpi, 4-1 ndaj Shkumbinit.

Këto ishin tri ndeshjet e para të javës së 16-të të superligës, ndërkohë që tri të tjerat do të luhen nesër, të dielën, ku spikat ajo mes skuadrave “fqinje“ në renditje, Apolonisë së vendit të tretë dhe Tiranës së vendit të katërt. Të dyja këto skuadra i ndan një pikë, ndaj ballafaqimi i tyre në “Qemal Stafa“ ka shumë për të sqaruar. Aq më tepër që Dinamo kryesuese u ndal në Peqin, duke hapur një “dritare“ jo të vogël, sa i takon luftës për titull. Në Shkodër, Vllaznia do të presë Teutën e Durrësit, në përpjekjet e saj të dëshpëruara për të dalë nga tuneli ku e ka parë veten gjatë tërë këtij kampionati. Ballafaqimet mes këtyre dy skuadrave kanë qenë gjithnjë të paparashikueshme, për vetë faktin se “djemtë e detit“ kanë ditur të fitojnë edhe në “Loro Borici“, jo vetëm në Durrës, ku janë triumfatorë të rregullt. Në skajin tjetër, atë juglindor, të dielën do të luhet sfida Skënderbeu-Besa. Në stadiumin e Korcës, kuqebardhët kanë një rrugë, të marrin 3 pikët, pasi javët e fundit kanë qenë jo pak debitorë. Situatë të cilën nuk duhet ta lënë të agravohet, pasi fundi i renditjes është fare afër. Në anën tjetër, Besa e pretendimeve të mëdha, nisur edhe nga humbja e skuadrës kryesuese para saj, Dinamos në Peqin, do të jetë e detyruar të përballojë vendasit, me një alternativë, fitoren, ndoshta përmes një taktike të zgjedhur nga trajneri Duro, kundërsulmi, për ta goditur skuadrën vendase në momentet e hedhjes së saj në sulm. Terreni i mirë i stadiumit „Skënderbeu“ është një plus i madh për kavajasit, të cilët zhvillojnë një lojë tekniko-taktike, jo shumë të mbështetur në aspektin fizik.

Më poshtë, ja dhe pasqyra e ndeshjeve të javës së 16-të.

KATEGORIA SUPERIORE Java 16-të (19.12.2009)

FLAMURTARI-GRAMOZI 2-0
LACI-KASTRIOTI 1-0
SHKUMBINI-DINAMO 4-0

(20.12.2009)

TIRANA-APOLONIA
SKËNDERBEU-BESA
VLLAZNIA-TEUTA