05 dhjetor 2009

Dinamo “kalon lumin”, barazon Apolonia, Laçi triumfon në Ersekë

Të shtunën u luajtën tri ndeshje të javës së 13-të të superligës, e cila e kishte ngritur siparin e saj një ditë më parë, me ndeshjen e luajtur në Krujë, mes Kastriotit dhe Teutës. Ndeshja në fjalë u fitua nga durrsakët 2-1, duke ia lënë vendin sfidave të sotme, ku Dinamo kryesuese ka fituar me vështirësi ndaj Flamurtarit të vendit të fundit. Ka qenë një gol i shënuar pas një rrëmuje në zonën mike, e konkluduar me finesë nga argjentinasi Soza, ai që i ka gëzuar pa masë blutë, të cilët kanë lënë për të dëshiruar kësaj here. Goli në fjalë është kontestuar nga vlonjatët, të cilët kanë pretenduar se ishte në pozicion jashtë loje Diopi, në kohën kur topi u nis në zonën e Mockës. Megjithatë, protesta nuk ka ndryshuar asgjë në vendimin e gjyqtarëve, përvc një kartoni të kuq për Begajn. Në këtë mënyrë, Dinamo ruan hapin, duke mos njohur rezultat tjetër, përvec fitores, qysh në barazimin e javës së 8-të në Korcë. Pra, pesë fitore radhazi. Në Fier është luajtur një tjetër ndeshje interesante. Apolonia e vendit të tretë ka pritur Vllazninë e Shkodrës, e cila i ka zhgënjyer të gjithë në këtë kampionat. Fierakët shikoheshin si favoritë, edhe për faktin se vinin pas një fitoreje 2-0 në transfertë, një javë më parë, ndaj Teutës. Pra, morali i skuadrës vendase ishte i lartë, ndërkohë që e kundërta pritej te kuqeblutë, pas asaj goditjeje shokuese që morën javën e shkuar, në kohën shtesë, nga Besa. Kujtojmë se para një jave, në kuadrin e javës së 12-të, Vllaznia kryesonte 2-1 ndaj verdhezinjve, por në kohën shtesë pësuan dy gola, duke u ikur fitorja nga duart. Sidoqoftë, shkodranët e kanë nisur mjaft mirë sfidën e Fierit, teksa e kanë parë veten në epërsi qysh në minutën e 12-të, pas një goli të realizuar nga Elvin Beqiri. Kjo e ka vënë në situatë të vështirë Apoloninë, që tashmë drejtohet nga Hasan Lika, deri në javën e 6-të trajner i Vllaznisë. Fierakët sulmojnë me forca të shumta, por prapavija kuqeblu arrin ta zmbrapsë furinë vendase deri në minutën e 56-të, kur Meto barazon rezultatin. Në këtë moment pritej që Apolonia të clirohej e të gjente edhe golin e epërsisë, por në fakt nuk ia kanë arritur, sa për meritë të shkodranëve, që janë mbrojtur mirë, aq edhe për paqartësi të tyre. Në këtë mënyrë, Apolonia dhe Vllaznia kanë ndarë nga një pikë, e cila u jep moral kuqebluve, ndërkohë që Apolonia rrezikon vendin e tretë, nëse nesër Tirana fiton në korcë. Një detyrë e vështirë për bardheblutë, po të kemi parasysh se Skënderbeu nuk fal kollaj në shtëpi. Gjithsesi, ndeshja në fjalë konsiderohet e hapir dhe i ka të tria rezultatet brenda. Të dielën, në Kavajë, Besa e vendit të dytë do të presë Shkumbinin e Peqinit, me një qëllim të qartë, fitoren, për të mos u distancuar më shumë nga Dinamo e vendit të parë. Por, jo për “turizëm” do të udhëtojnë edhe miqtë drejt Kavajës, ku do të mundohen të mos dalin duarbosh.

Më poshtë, në mënyrë telegrafike, ja edhe pasqyra e plotë e javës së 13-të të superligës:

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA e 13-të 04.12.2009

KASTRIOTI-TEUTA 1-2

05.12.2009

APOLONIA-VLLAZNIA 1-1
DINAMO-FLAMURTARI 1-0
GRAMOZI-LACI 1-2

06.12.2009

SKENDERBEU-TIRANA
BESA-SHKUMBINI