15 dhjetor 2009

Diego nuk dorëzohet: Titulli, jo i pamundur

Fantazisti brazilian ka bërë të ditur se beson akoma tek kampionati: Tani do të më shihni në fushë

“Fitorja e titullit nuk është një mision i pamundur”. Pavarësisht humbjes në Bari dhe gjashtë pikët diferencë nga Interi kryesues, Diego beson akoma se Juventusi mund të luftojë për titullin në kampionat. “Kemi lojtarë të nivelit të lartë dhe një trajner shumë të mirë si Çiro Ferrara, - ka thënë braziliani. - Jemi akoma në lojë për të fituar kampionatin”. Ish-lojtari i Verder Bremenit ka folur për përshtatjen e tij tek Juventusi dhe për diferencat, që ekzistojnë midis Bundesligës dhe Serisë A. “Në Torino më është bërë një pritje fantastike, kam patur menjëherë ndjesinë se jam bërë pjesë e një klubi të madh, - ka thënë Diego.

- Diferenca më e madhe në kalimin tim nga Verderi tek Juvja ka qenë në qëndrimin taktik që mbajnë kundërshtarët, të cilët duke u gjendur përballë një skuadre të fortë, synojnë të mbyllen sa më shumë në mbrojtje. Ndër të tjera kushtet e fushave këtu nuk janë të mira si në Gjermani”. Diego nuk i ka humbur shpresat për të zhvilluar Botërorin e ardhshëm me Seleçaon dhe pret të marrë një thirrje nga trajneri Dunga. “Ai i njeh cilësitë e mia dhe e di atë që mund të bëj.

Duke luajtur me Juventusin do të kem më shumë mundësi për të treguar vlerat e mia, por për t’u bërë pjesë e Brazilit duhet të punosh gjithmonë shumë dhe seriozisht”, ka thënë Diego. Ndërkohë, vazhdojnë problemet tek Juventusi, pasi Kamoranezi pritet të qëndrojë një kohë të gjatë larg fushës së lojës. Sikur të mos mjaftonin eleminimi në Champions Ligë dhe humbja kundër Barit në kampionat, Ferrara duhet të përballet edhe me dëmtimet e shumta.

Tekniku i Juves rrezikon të mos ketë në dispozicion për një kohë të gjatë Kamoranezin, i cili ka dalë pak minuta para fundit të ndeshjes të së shtunës për shkak të një problemi muskular. Testet, të cilave u është nënshtruar italo-argjentinasi, kanë evidentuar “një hematomë intramuskulare”. Në ditët në vazhdim do të zhvillohen teste të tjera, që do të bëjnë të kuptohet se sa i rëndë është dëmtimi, që ka pësuar mesfushori bardhezi dhe për rrjedhojë do të kuptohet më mirë edhe periudha që do t’i duhet Kamoranezit për t’u rikthyer në fushën e lojës.