04 dhjetor 2009

Diego: Juventusi do të fitojë ndaj Interit

Braziliani konfirmon se e pëlqen modulin në formë rombi në mesfushë dhe largon zërat se ka një marrëdhënie të vështirë me Ferrarën. Diego Ribas da Kunja, gjatë kësaj aventure të re të tijën në Itali, është dedikuar më shumë fjalëve sesa fushës së lojës. Ideja që krijohet është që fantazisti brazilian, pas 3 muajsh kampionat të zhvilluar, nuk ka shprehur akoma të gjithë potencialin e tij, por dëshira për të kryer një punë të mirë dhe fituar me fanellën e Juventusit është përsëritur me zë të lartë gjatë intervistave të zhvilluara. Edhe tashmë që distanca me Interin është bërë më e madhe sesa parashikimi, trekuartisti që ka lindur në Ribeirao Preto nuk ka humbur shpresat aspak: “Jo, tetë pikë jo. Nuk është normale, jo për këtë skuadër, për cilësitë që ka dhe zotëron grupi, për atë që është investuar nga shoqëria, është shprehur Diego me siguri në faqet e “Gazzetta dello Sport”. Për këtë arsye në ndeshjen e të shtunës me Interin duhet të fitojmë patjetër. Skuadra jonë nuk është një skuadër e ndërtuar për të qëndruar prapa askujt”. Në këto javët e fundit të kampionatit dhe Champions Ligës brazilianët e skuadrës janë përfshirë nga një valë kritikash për shkak të disa paraqitjeve nën nivelin e tyre të zakonshëm: “E ndjej përgjegjësinë, i kuptoj deri diku, por nuk besoj se Ferrara e ndërton skuadrën përreth meje, ka shtuar Diego. Juventusi ka shumë kampionë dhe trajneri dëshiron që potencialet e të gjithë lojtarëve të shprehen në maksimum. Juventusi është ndërtuar për të luajtur në formë rombi. Është kjo arsyeja se përse unë jam këtu tashmë. Felipe Melo? Asnjë nuk është i lumtur kur nuk luan, por Felipe nuk po bën historira dhe zhurmë. Është një tip shumë i qetë, punon dhe si të gjithë lojtarët në këtë skuadër pranon me qetësi vendimet e marra nga trajneri”. Pas disa problemeve dhe keqkuptimeve gjatë ndeshjes me Bordon, braziliani ka dashur të konfirmojë që marrëdhënia e tij me trajnerin është e shkëlqyer: “E kam shpjeguar tashmë disa herë atë episod, por e bëj me kënaqësi sqarimin edhe njëherë tjetër. Ishte vetëm mënyra më e mirë për të respektuar autoritetin e Ciro Ferrarës, ka pranuar organizatori brazilian. Nuk i takon lojtarëve të analizojnë lojën e skuadrës, do të ishte në një mënyrë mungesë respekti ndaj trajnerit. Marrëdhëniet janë të shkëlqyera, është një trajner i jashtëzakonshëm, ka me të gjithë një dialog të vazhdueshëm”.