04 dhjetor 2009

Diego: Duhet një Juve perfekte për të fituar

Braziliani paralajmëron Interin, premton martesën verën që vjen dhe ëndërron: Dua të qëndroj 10 sezone këtu
Diego Ribas da Kunja tregon që do të martohet “vitin që vjen, pas Botërorit”. Imagjinojeni, por është vetëm fillimi, sepse Diego e ka futbollin në gjak dhe një kalendar në mendje. Adhuron të programojë nga pak gjithçka. Dhe është i programuar të bëjë fantazistin. Shpjegon që Juventusi e kërkonte prej “dy vjetësh” dhe për këtë një fanellë bardhezi ishte zgjidhja më e mirë e mundshme.
Kujton që ka nënshkruar një kontratë 5-vjeçare, por pastaj vazhdon: “Do të doja të qëndroja në Torino 8 apo 10 sezone. Dua të bëj si Platini dhe jo si Zidane që shkoi te Reali”. Agjenda është e plotë? Ka hapësirë për të paktën dy përkushtime të tjera. Nesër më 5 dhjetor dhe të martën më 8: “Duhet të jenë dy mbrëmje të përsosura”.
- Diego, a e prisnit një largësi të tillë me Interin?
- Jo, tetë pikë, jo. Nuk është normale, jo për këtë skuadër, për cilësitë që ka, për atë që është investuar. Për këtë duhet të fitojmë me Interin. Skuadra jonë nuk është inferiore ndaj askujt. - A është e vërtetë që jeni edhe një skuadër e ndërtuar rreth fantazisë?
- Ndiej përgjegjësi, ekziston, por nuk e besoj se Ferrara e ka ndërtuar skuadrën rreth meje. Juvja ka shumë kampionë dhe trajneri kërkon që energjitë e të gjithëve të shprehen në maksimum. Juvja është e ndërtuar për të luajtur me skemën “romb”, 4-3-1-1: për këtë ndodhem këtu.
- Kështu keni luajtur gjithnjë?
- Gjithnjë. Vetëm në Porto, me skemën 4-3-3 bëja mesfushorin e majtë. Jam përshtatur, asnjëherë s’kam pasur diskutime me ndonjë trajner. Porto bëri zgjedhjet e saj, mes tyre edhe ajo për të vazhduar me një modul që nuk parashikonte fantazistin. Për këtë u shita te Verderi.
- Këtë verë iu kërkoi edhe Interi?
- Asnjë kontakt me ta, ndërsa me Bajernin e Mynihut, po. Por nuk kam keqardhje. Juventusi më kërkonte prej dy vjetësh. Unë doja ta vishja këtë fanellë, doja të luaja në Itali dhe ia dola. Tani në Itali dua të fitoj sa më shpejt.
- Derbi i Italisë nuk është edhe aq i thjeshtë.
- Sfida ndiqet deri në Brazil. Kujtoj sfidat mes Juventusit dhe Interit, në televizor nuk humbisja asnjë. Zidane ishte idhulli im, por në Brazil bënin të gjithë tifo për Ronaldon. Ai me Interin ka bërë gjëra të jashtëzakonshme. Ndiej emocione për një mbrëmje të tillë, ndiej presion, por jo frikë. Sfida të tilla më japin kurajo.
- Ju jeni një brazilian ndryshe nga të zakonishmit?
- Jam një i privilegjuar. I detyrohem shumë familjes sime.
- Një brazilian që zbarkoi shumë i ri në Portugali.
- Ku kam mësuar se në fushë arsyetohet me shpejtësi. Shumë më shpejt se në Brazil. Bundesliga më ka mësuar disiplinën taktike.
- Po Ferrara çfarë ju ka mësuar?
- Është një trajner i jashtëzakonshëm, ka me të gjithë një dialog të vazhdueshëm.
- Megjithatë, pas humbjes në Bordo, ju thatë: “Ferrara duhet të na shpjegojë çfarë po ndodh”. Një kritikë ndaj trajnerit tuaj?
- E shpjegova atë episod, por po e them edhe një herë tjetër. Ishte vetëm mënyra më e mirë për të respektuar autoritetin e Ferrarës. Nuk na takon ne lojtarëve të analizojmë lojën e skuadrës, do të ishte një mungesë respekti për trajnerin.
Situata
Inter: Stankoviç në vend të Shnejderit
Do të jetë Dejan Stankoviç ai që do të zëvendësojë Shnejderin kundër Juventusit nesër. Holandezi, me përjashtim të ndonjë mrekullie, nuk do të jetë në fushë dhe do të qëndrojë pushim për ndeshjen e së mërkurës në Champions kundër Rubin Kazanit. Kështu Mourinjo do të aktivizojë serbin pas shpinës së Etosë dhe Militos. Në stërvitjen e fundit, ndërkohë, është sjellë shumë mirë Baloteli, që vazhdon punën me korrektësi për një vend mes lojtarëve të grumbulluar për në Torino. Për sa i takon pjesës tjetër, mbrojtja do të përbëhet nga katër lojtarë, me Zanetin, Samuelin, Lusion e Kivunë dhe një mesfushë me tre, me Muntarin, Kambiason e Tiago Motën.
Francezi
Juve: Trezege vështirë se riaftësohet
David Trezege nuk do të luajë ndaj Interit. Francezi që dukej drejt riaftësimit, ka akoma probleme dhe është larg formës më të mirë. Ferrara nuk do ta ketë mes titullarëve, ndonëse mund ta ulë në stol. Për sa i takon formacionit, i vetmi dyshim është në mesfushë, ku Markizio e Sisoko janë të sigurt për vendin e titullarit, ndërsa për fanellën e fundit në dispozicion, balotazhi është mes Kamoranezit e Poulsenit (edhe Melos nëse riaftësohet). Për momentin duket e pamundur që trajneri bardhezi të aktivizojë Kamoranezin me Diegon e dy sulmues përpara. Kësisoj, është më e lehtë që trajneri bardhezi të zbresë në mesfushë një repart më muskular.
Rekordi
Diego Milito, në “gjurmët” e Ronaldos
Milito si Ronaldo. Sot në sulmin zikaltër, i paprekshëm është vetëm “Princi” me një ecuri mbresëlënëse: 10 gola në këtë sezon, 9 në 14 ndeshje kampionati. Më i miri i epokës “Morati”, si ai, në sezonin e debutimit, është vetëm Ronaldo në 1997-98. Në përballjen statistikore, “fenomenët” si Ibra, Vieri e Adriano ndodhen pas, ky i fundit ishte “shkatërrues” në sezonin e tij të dytë si titullar: 13 gola në 14 ndeshje në 2005-05. Në përgjithësi, Milito (përfshirë dhe Xhenoan) numëron 33 gola në 43 ndeshje në Serinë A me një mesatare prej 0.767: më mirë se ai është vetëm Pedro Petrone (uruguajan i Fiorentinës në vitet ‘30) dhe Gunar Nordhal (sulmuesi legjendar suedez i Milanit).