05 dhjetor 2009

Derbi, Lacio 11 vjet pa fituar në Romë

Skuadra bardhekaltër ka më shumë se një dekadë pa sukses në “shtëpinë” e verdhekuqve
Nga fitorja e fundit e Lacios në shtëpinë e Romës, 2-1 në Kupën e Italisë më 21 janar 1998, janë luajtur edhe 12 derbi të tjerë, midis Serisë A dhe kupës së Italisë, në fushën e verdhekuqve, ku skuadra që drejtohet nga Ranieri ka një bilanc prej 7 fitoresh dhe 5 barazimesh. Ky është dhe rekordi më negativ në historinë e Lacios në ndeshjet e zhvilluara në fushën e Romës. Gjithashtu skuadra e Ranierit në muajin dhjetor, vetëm në ndeshjet e kampionatit italian, kanë rendimentin më të mirë përsa i përket mesatares së pikëve të grumbulluara për ndeshje: 1,77, fryt i 19 fitoreve, 12 barazimeve dhe 8 humbjeve. Në të vërtetë Ranieri ka një mesatare më të mirë në gusht (2), por në këtë muaj jo gjithmonë luhet kampionati.
Në 17 takimet e fundit të kampionatit italian të luajtura në dhjetor skuadrat e drejtuara nga Ranieri kanë një bilanc prej 12 fitoresh, 4 barazimesh dhe vetëm 1 humbje (Udineze-Fiorentina 2-0, 15 dhjetor 1996). Ndërsa, ndeshja e fundit ku Roma nuk ka pësuar gol është ajo e 3 majit të kaluar, 0-0 me Kievon. Në 18 ndeshjet pasuese të Serisë A verdhekuqtë kanë pësuar gjithmonë gol, 31 në total.
Daniele De Rosi, nëse do të zbresë në fushën e lojës, do të festonte dhe paraqitjen e tij numër 200 në Serinë A. 199 paraqitjet e mëparshme janë koleksionuar të gjitha me fanellën e Romës dhe debutimi i tij ka ardhur më 25 janar të vitit 2003: Komo-Roma 2-0. Në kampionat fitorja e Lacios mungon prej 12 javësh, teksa bardhekaltrit kanë marrë 7 barazime dhe 5 humbje: suksesi i fundit është arritur në 30 gushtin e kaluar, 2-1 në Verona ndaj Kievos. Lacio vjen nga dy barazime rradhazi 0-0 në kampionat kundër Napolit dhe Bolonjës.
Takimi i fundit ku lacialët kanë shënuar dhe kanë pësuar gol në Serinë A është zhvilluar në 8 nëntorin e kaluar kur janë mundur në fushën e tyre 2-1 nga Milani. Goli i bardhekaltërve, në të vërtetë, ka qenë një autogol i Tiago Silvës në minutën e 64-t: nga ky moment kanë kaluar 206 minuta pa shënuar asnjë gol; autori i golit të dytë të milanistëve është Pato në minutën e 35-të: nga ky moment kanë kaluar 235 minuta pa pësuar gol për Lacion.