07 dhjetor 2009

Del Piero: Mund të fitojmë ndaj kujtdo

Një fitore që në shtëpinë e Juventusit e prisnin prej vitesh. Ajo e së shtunës kundër Interit ka qenë në fakt e para në fushën e bardhezinjve pas ‘Calciopoli’-t, një fitore speciale për kapitenin Aleks Del Piero. “Një fitore që ka një shije shumë të ëmbël, - ka thënë ai. - Tani na takon neve që të vazhdojmë në këtë rrugë dhe t’i shfrytëzojmë në mënyrën e duhur këto tri pikë. Duhet të kuptojmë se nëse luajmë me këtë agresivitet, me këtë dëshirë, mund të mundim çdo kundërshtar”. I kënaqur me fitoren ka qenë edhe Xhon Elkan që në fund të takimit ka thënë: “Më ka pëlqyer Juventusi, ka qenë një fitore e madhe. Skuadra ka qenë e bashkuar, e fortë dhe ka fituar. Goli i Markizios? Një arritje e jashtëzakonshme. Kjo Juve do t’i kishte pëlqyer Avokatit (Anjelit)”.