02 dhjetor 2009

De Laurentis akuzon gjyqtarët dhe Donadonin

Aurelio De Laurentis nuk ka frikë t’i thotë gjërat ashtu siç i duken, teksa edhe paralajmëron: “Nuk duhet të shqetësohemi për këto pesë pikë që na kanë ikur për faj të gjyqtarëve, - tha presidenti i Napolit. - Do të vazhdojmë ta ngrejmë zërin sa herë që do të shohim që diçka nuk shkon. Nuk duhet t’ia heqim besueshmërinë asaj që bëjmë, përndryshe, si mund të pretendojmë besimin dhe mbështetjen e tifozëve tanë”.
Ato që kanë penguar ecurinë e napoletanëve, sipas presidentit De Laurentis, përveç gjyqtarëve të ndeshjeve, kanë qenë edhe gabimet e bëra nga ish-trajneri Donadoni: “Nëse Kualjarela duhet të punojë tani për të pasur benzinë, besoj se është për faj të një përgatitjeje të gabuar”. Megjithatë, numri një i klubit të kaltër, beson shumë tek lojtarët e tij: “Nëse nuk krijohen pengesa të kota, gjithçka do të shkojë për mirë”.