16 dhjetor 2009

Curri, në histori të Vorsklas

Debatik Curri ka shkruar emrin në historinë e klubit ukrainas, Vorskla Poltava. Me golin e realizuar gjatë fundjavës që lamë pas, në fitoren 2-0 përballë Zakarpattias, mbrojtësi kosovar është ngjitur në kuotën e 18 golave të shënuar në Premier Liga e Ukrainës me skuadrën e tij, duke thyer rekordin e mbajtur deri më tani nga Sergei Çuiçenko.
Renditja në vendin e parë të klasifikimit të lojtarëve të Vorsklas që kanë shënuar më shumë në kampionatin elitar ka qenë si një dhuratë që Curri ia ka bërë vetes, vetëm pak ditë përpara se të festojë 26-vjetorin e lindjes.
Të shtunën, ai realizoi golin e tretë sezonal, pas dygolëshit të dy javëve më parë në portën e Dnipros. "Gjatë këtyre ndeshjeve më është krijuar mundësia që të shënoj dhe e kam shfrytëzuar", deklaroi ai për ueb faqen zyrtare të klubit.
"Mendoj se mund ta rris edhe më shumë këtë rekord, madje që prej kampionatit aktual. Do të isha i lumtur nëse ai do të zgjaste për një kohë të gjatë. Gjithsesi, për momentin jam më tepër i përqendruar te rezultatet e skuadrës. Ndodhemi në vendin e dhjetë, një pozicion të cilin mendoj se nuk e meritojmë. Pas pushimit dimëror duhet të rikuperojmë pikë dhe vende në klasifikim".