10 dhjetor 2009

CSKA e Moskës eviton përjashtimin nga UEFA

CSKA-ja e Moskës mund të fillojë përgatitjet për fazën e 1/8-ve në Champions, pas konfirmimit se klubi nuk do të përjashtohet, për shkak të dy lojtarëve që rezultuan pozitiv në testin antidoping. Edhe pse u kualifikuan si skuadra e dytë e Grupit B (i fituar nga Mançester Junajtid), duke lënë jashtë turneut Volfsburgun, rusët rrezikonin masa ndëshkimore, për shkak se mbrojtësit Aleksei Berezutski dhe Sergei Ignasheviç kishin përdorur substanca të ndaluara. Lojtarët pretendonin se kishin përdorur "Sudafed", pasi ishin sëmurur gjatë aktivizimit me Kombëtaren. Substanca në fjalë është në listën e substancave "specifike", që sipas rregullave nuk sjellin përjashtim për klubin.