08 dhjetor 2009

Champions, sonte "fjala e fundit" në katër grupe

Katër grupet e para të Ligës së Kampionëve zhvillojnë sonte takimet e fundit nga ku do të përcaktohen edhe katër skuadrat e tjera që nuk e kanë siguruar kualifikimin për në turin tjetër.
Grupi A: Ndeshje më interesante e kësaj mbrëmjeje është ajo mes Juventusit dhe Bajernit të Mynihut. “Zonja e vjetër” ka një pikë më shumë se skuadra bavareze, dhe në këtë përballje do t’i mjaftonte qoftë edhe një barazim për të siguruar kualifikimin, ndërsa njëra prej këtyre skuadrave do të luajë në Ligën e Evropës.

Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Bordo do të luajë formalisht me Makabi Haifan. Këta të fundit ndodhen në kuotën e zero pikëve, ndërsa kampionët e Francës kanë siguruar vendin e parë.

Grupi B: Volfsburgu do të presë në një super përballje Mançester Junaited. Në rast se vendasit fitojnë me më shumë se një gol diferencë, shkojnë në kuotën e 10 pikëve, aq sa ka edhe Mançesteri, dhe atëherë vendi i parë i takon atyre pasi ndeshja e parë ka përfunduar 2-1 për anglezët.

Në ndeshjen tjetër Beshiktashi do të presë CSKA-në e Moskës. Qëllimi i vetëm i turqve (me 4 pikë) është fitorja me më shumë se një gol kundër rusëve. Këta të fundit ndodhen në kuotën e 7 pikëve, duke shpresuar ende për një kualifikim për në Ligën e Kampionëve.

Grupi C: Ndeshja kryesore e këtij grupi është ajo mes Olimpikut të Marsejës (7 pikë) dhe Realit të Madridit (10 pikë). Francezët duhet të fitojnë patjetër për të shpresuar te kualifikimi, me një rezultat me më shumë se tre gola për t’u renditur para Realit, ose duke shpresuar në ndonjë hap fals të Milanit.

Këta të fundit luajnë sonte kundër Zyrihut, skuadër që tre pikët e vetme i ka marrë pikërisht kundër Milanit në “San Siro”. Një fitore e skuadrës së Leonardos do t’i siguronte kualifikimin për në 16 më të mirat e kontinentit.

Grupi D: Ky grup është pa shumë interes sa i përket kualifikimit për në turin tjetër, pasi Çelsi dhe Porto e kanë siguruar prej kohësh kualifikimin. Lufta zhvillohet vetëm për vendin e tretë që të çon në Ligën e Evropës, ku në garë janë Atletiko e Madridit (3 pikë) dhe Apoeli (2 pikë).

Madrilenët do të presin Porton në fushën e vet, ndërsa qipriotët do të luajnë në fushën e vështirë të Çelsit.

Ndeshjet nisin të gjitha në orën 20:45.