13 dhjetor 2009

Cana mund të bëhet supermbrojtës

Gary Bennett, mbrojtës legjendar i Sunderlandit, ka deklaruar të dielën se Lorik Cana mund të shndërrohet në njërin prej qendërmbrojtësve më të mirë në histori të Maceve të Zeza.
Kriza në mbrojtjen e klubit anglez, përkatësisht lëndimet e shumta, bënë që mesfushori kosovar të paraqitej si qendërmbrojtës, në ndeshjen e së shtunës kundër Portsmouthit, ndërsa Bennett, i cili kaloi 11 vjet në zemrën e mbrojtjes së Sunderlandit, beson se Cana mund të luajë gjithmonë aty, në mbrojtje.
Futbollisti kosovar, në shumicën e ndeshjeve këtë sezon, kishte luajtur si mesfushor defanziv, por kishte paraqitje brilante kur luante për Shqipërinë, në qendër të mbrojtjes.
“Qendra e mbrojtjes është një pozitë ku kishte luajtur ai më parë. Ai do të luante mirë në atë pozitë, pse jo edhe gjatë gjithë sezonit. Mos harroni se Kevin Ball kishte arritur te Sunderlandi si qendërmbrojtës, ndërsa kishte përfunduar si mesfushor”, theksoi Bennett.
Steve Bruce po e kërkon parterin ideal për qendërmbrojtësin Michael Turner, i cili u transferua gjatë verës që shkoi. Ai mund të jetë Cana, pse jo. Vetë futbollisti kosovar, ditë më parë kishte deklaruar se nuk e ka problem pozitën se ku luan, duke e vënë suksesin e ekipit në rend të parë.