14 dhjetor 2009

Cana, kundërshtarët e mëdhenj, ata që e karikojnë në maksimum

Shqiptari, më i mirë në fushë kundër Çelsit, Arsenalit, Man. UTD e Liverpulit
Që Lorik Cana të japë 100% të tij, ndoshta edhe më shumë, duhet që skuadra me të cilën do të ndeshet Sandërlendi i tij të jetë një nga ekipet e "Big Four" të Premier Leagues. Në këtë përfundim mund të arrihet nëse i hedh një sy të kujdesshëm listës së lojtarëve më të mirë të "Maceve të Zeza" në 18 ndeshjet e para të këtij sezoni, ku përfshihen takimet e kampionatit anglez, por edhe ato të "FA Cup" apo "Calring Cup". Sipas faqes zyrtare të Sandërlendit në internet, "
www.Safc.com", që organizon edhe sondazhin, në 11 prej 17 ndeshjeve (në një takim nuk u aktivizua për shkak pezullimi nga kartonët e marrë), mesfushori shqiptar është përzgjedhur si më i miri. Por ndeshjet që e kanë karikuar Canën të japë maksimumin, kanë qenë pikërisht përballja me katërshen e të mëdhenjve të kampionatit anglez. Kundër Çelsit, Mançester Junajtid, Arsenalit dhe Liverpulit, shqiptari ka dhënë përgjigjen e tij, duke u shpallur në të katër herët si më i miri i takimit.