08 dhjetor 2009

Bordoja, me “rotacion” ndaj Makabit

Francezët e Bordosë do të luajnë sonte kundër Makabi Haifas në transfertë. Portieri Sedrik Karraso, kapiteni Alu Diarra, Jaroslav Plasil dhe Joan Gurkufi janë në mesin e lojtarëve, që trajneri Blank nuk i ka grumbulluar për ndeshjen e radhës kundër izraelitëve. Rezultati i ndeshjes në stadiumin “Ramat Gan” nuk ka rëndësi për asnjërën prej skuadrave, duke qenë se francezët e kanë siguruar kualifikimin, ndërsa kundërshtarët e tyre janë në vend të fundit.
Skuadra e Blankut ende nuk ka pësuar humbjen e parë dhe trajneri ka besim te lojtarët e tij me më pak përvojë. “Disa lojarë do të debutojnë në këtë kompeticion”, ka thënë ish-mbrojtësi francez në faqen zyrtare të klubit. “Do të jetë me shumë interes për ta pasi kanë nevojë për më shumë minuta lojë. Do të jetë një mundësi e madhe për të parë lojtarë të rinj të talentuar”, ka shtuar ai.
Lojtarë si Mishael Ciani, Joan Gufran, Matië Shalme, Mark Planus dhe Benua Tremulinas nuk do të luajnë sot. Portieri Ulrih Rame është lojtar 37-vjeçar me shumë përvojë. Ai e di se kjo ndeshje, në vend që të jetë e zymtë, siç mund të mendojnë disa, do të jetë e fortë, sepse formacioni i dytë i Bordosë do të luajë mirë. Bordoja e mundi Makabin 1‑0 kur u takuan në shtator në Francë. Ndeshja e sotme pritet të jetë edhe ndeshja e fundit e mbrojtësit të Makabit, 38-vjeçarit Alon Harazi. Mbrojtësi do të luajë ndeshjen e tij të fundit para se të lërë futbollin.