22 dhjetor 2009

Bora shpëton Ronaldinjon nga polemikat

Ndonjëherë rikthehen. Çfarë? Fantazmat e argëtimit dhe qëndrimit deri në orët e vona të natës në diskotekë. Gjithmonë një temë e nxehtë kur në mes është Ronaldinjo. Edhe një herë tjetër është rrezikuar të krijohej një situatë e papëlqyer në shtëpinë e Milanit, por dëbora ka shmangur gjithçka. Braziliani, në fakt, ka qenë pjesë e formacionit titullar, që do të përballej me Fiorentinën, ndërkohë që në mesditën e së shtunës kishin dalë zëra, sipas të cilëve, Dinjo do ta kishte filluar nga stoli ndeshjen me skuadrën toskane. Arsyet zyrtare flisnin për një lodhje të lehtë muskulare pas një jave stërvitjesh. Ndërsa, supozohet se e vërteta ka patur lidhje me festimet e Dinjos në javën e 110-vjetorit të Milanit.
Sipas shtypit italian, lojtari kuqezi, është parë në diskotekë në Milano natën e së martës, së mërkurës dhe së enjtes. Kjo, duket se ka ndikuar edhe tek paraqitja e tij jo e mirë në stërvitje. Kështu, lodhja muskulare ka qenë justifikimi i zakonshëm për të mbrojtur lojtarin (siç ka ndodhur edhe para ndeshjes Lacio-Milan), por më pas ka ardhur bora që ka shmangur të gjitha polemikat, që mund të krijoheshin. Ndërkohë, në datën 28 të këtij muaji kuqezinjtë do të rikthehen të punojnë në Milanelo. Me këtë rast, pas pushimeve në Brazil, Dinjo do të jetë më aktiv se kurrë.